Krojf, në mbrojtje të trajnerit Pelegrini
Johan Krojf ka dalë në mbrojtje të trajnerit të Realit, Manuel Pelegrini, dhe këmbëngul se drejtuesit e klubit duhet t‘i japin fund kërkesave që skuadra madrilene të luajë si Barcelona. Legjenda holandeze këmbëngul se asnjë skuadër nuk mund të "kopjojë" stilin e katalanëve dhe se kiliani duhet të lihet i qetë, që të ndërtojë ekipin e tij. "Pelegrinit vazhdojnë t‘i thonë se skuadra e tij nuk luan si Barça, por kjo është e pamundur që të realizohet. Lojtarët që ai ka në dispozicion te Reali kanë kualitete të ndryshme nga ‘blaugranat‘ dhe për këtë arsye, rezultati përfundimtar në lojë nuk mund të jetë i njëjti", shkruante ai në editorialin e përjavshëm në kolonat e "El Periodico". "Me Seviljan humbën se mungonte Ronaldo? Një hipotezë e pabazuar, me të cilën nuk jam aspak dakord".