E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bejtullahu hap ekspozitë në Therandë

Grafisti Bardhyl Bejtullahu ka ekspozuar të shtunën disa nga punimet e tij në Galerinë e Qendrës së Rinisë “Shtëpia e Fellbahut” në Therandë. Ai në veprat e tij e trajton bukurinë, idenë dhe mesazhin.

Shpirti human i krijuesit Bardhyl Bejtullahu, i mbushur me frymëzim nga vetë jeta, hapësira dhe ngjarjet që e rrethojnë, shfaqet para nesh me trajtat e ndryshme të kategorive estetike.

E bukura si sinonim i lumturisë sikur nuk e lë krijuesin të jetë i qetë që herë pas here trazon shpirtin e tij duke e ngacmuar për të shpërthyer ndjenjat shpirtërore e duke u bërë trajtë konkrete artistike.

Pjekuria artistike e Bardhit vjen në mënyrë evolutive që nga fëmijëria, kur ëndrrat për t'u bërë artist, e deri tash si mjeshtër i grafikës, magjistri Bardhyl Bejtullahu formësoi konceptin e vet për artin nëpërmjet grafikës, pikturës, dizajnit dhe multimediave duke na sjellë risi në idetë dhe në shprehjen artistike përmes teknikave klasike të grafikës dhe teknikave bashkëkohore të shtypit.

Trajtat artistike të cilat janë paraqitur në teknikat akuatintë, gjilpërë e thatë, grafikë digjitale dhe sitoshtyp, artisti tenton që fragmentet artistike të përmbajnë, natyroren e bimëve, më konkretisht gjetheve që qëndrojnë lehtësisht në punime.

Nuk është lehtë që nga diçka shumë e thjeshtë që askujt nuk i bie në mendje ta zbulosh të bukurën e fshehur brenda objektit dhe subjektit, si duket Bardhyli duke gjurmuar për të gjetur të bukurën u takua me të dhe përmes komunikimit artistik, na takon edhe neve për ta shijuar eliksirin e bukurisë.

Për të krijuar një vepër në cilindo lloj të shtypit grafik, artisti u përmbahet elementeve dhe parimeve të rëndësishme për krijimin e veprës grafike, që përbëhen nga vijat dhe gërshetimi i tyre ritmik nga strukturat. Prej teknikave më dominante në grafikat në vijim, është ajo e akuatintës.

Ajo që shpërfaq ndjenjat e autorit, aty ku arti bashkohet me ndërdijën, aty ku e parregulluara bëhet e rregulluar, qetësia e shprishur nga dora e artistit ose rregullimi i asaj që pritet të ndodhë. Bëhet fjalë për natyrën, zhurmën, lëvizjen, lojën, bashkimin dhe rezistimin e çdo rregulli. Nuk e ndryshoi lëvizjen, apo nuk e ilustroi në një shkallë ku identiteti i formës merr kahje narrative, por vetëm e ndihmoi dhe vazhdoi imazhin e krijuar dhe e bëri pjesë të një teatri ekzistencial apo absurd.

Bardhyl Bejtullahu ka gjetur formulën jo vetëm të zbulimit ku fshehët e bukura, por edhe formulën për të krijuar të bukurën.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›