E Shtunë, 31 Tetor 2026

Inaugurohet restaurimi i Shën Nikollës

Në fshatin Bogoshevë të Komunës së Prizrenit u bë inaugurimi i restaurimit të kishës Shën Nikolla. Të pranishëm qenë presidentja e vendit Atifete Jahjaga, ambasadorja e SHBA-së në Prishtinë Tracey Ann Jacobson si dhe ministri i Kulturës Memli Krasniqi.

Presidentja e vendit Atifete Jahjaga dhe ambasadorja amerikane Tracey Ann Jacobson kanë inauguruar përfundimin e restaurimit të Kishës Shën Nikolla në fshatin Bogoshevë të Komunës së Prizrenit. Investimi në ruajtjen e trashëgimisë kulturore, sipas zyrtarëve më të lartë të vendit dhe atyre ndërkombëtarë, tregon më se miri përkushtimin e trashëgimisë.

Fillimi i inaugurimit ishte paraparë në orën 12:00, ndërsa ambasadores amerikane i është dashur që të pres rreth gjysmë ore derisa ka ardhur presidentja e vendit Atifete Jahjaga.

E para e vendit tha se kjo është një ngjarje simbolike, por me një domethënie për të gjithë.

“Kjo kishë e Shën Nikollës ka ekzistuar dhe i ka shërbyer perëndisë në këto hapësira qysh nga shekulli XIV. Kisha ka shërbyer si vend i tubimit dhe afrimit të popullatës së kësaj ane, prandaj unë si presidente e Republikës së Kosovës zotohem se do të angazhohem që popullata të kthehet në vatrat e veta për ta ndërtuar të ardhmen e vet”, ka theksuar Jahjaga.

Ndërkohë, ambasadorja e SHBA-ve në Kosovë, Tracey Ann Jacobson ka thënë se shteti i saj do të investojë edhe më shumë në objektet e kultit.

“SHBA-të për renovimin e tri projekteve të trashëgimisë kulturore kanë ndarë 1.5 milion dollarë. Këto projekte do të përfshijnë investimet në objektet e kultit; myslimane, katolike dhe ortodokse. Unë jam e lumtur për bashkëpunimin me International Relief ana Development (IRD), Qeverinë e Kosovës dhe bashkësitë fetare, ndërsa këtë partneritet të fuqishëm do e vazhdojmë për ruajtjen e trashëgimisë kulturore e fetare”, ka thënë Jacobson.

Ambasadorja amerikane u zotua nga Bogosheva se në vitin e ardhshëm do të investojë 1.5 milionë dollarë në projektin për Hoçën e Madhe dhe atë të zonës historike të Prizrenit.

Ndërkaq ministri i Kulturës, i Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi ka thënë se ky diversitet kulturor duhet të përcjellët tek gjeneratat e reja.

“Ky diversitet kulturor duhet të kultivohet, promovohet dhe mesazhi i tolerancës ndëretnike dhe ndërfetare të përçohet tek gjeneratat e reja”, ka deklaruar Krasniqi.

Ministri Krasniqi në fjalën e tij ka falënderuar Ambasadën Amerikane për kontributin e vazhdueshëm që po jep në ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë. Ai ka përgëzuar IRD-në për punën profesionale që ka bërë. Ministri shtoi se trashëgimia kulturore tashmë ka një vëmendje të veçantë nga institucionet e Republikës së Kosovës.

“Prezenca jonë këtu sot dëshmon për përkushtimin e institucioneve të Republikës së Kosovës, miqve tanë dhe mbi të gjitha qytetarëve tanë për të ruajtur thesarin tonë kulturor, etnik dhe fetar. Është dëshmia më e mirë kjo ngjarje sot se trashëgimia është një vlerë e përbashkët e jona, duke mos lejuar të na ndajë siç ndoshta ka ndodhur në të kaluarën”, deklaroi ai. “Kosova ka një popullsi shumë të re dhe synimi ynë duhet të jetë pikërisht kjo gjeneratë, duke përçuar tek ajo frymën e bashkëpunimit dhe përkushtimit për ruajtjen dhe promovimit të trashëgimisë sonë kulturore”.

Ministri Krasniqi theksoi edhe një herë se trashëgimia kulturore ka qenë dhe është një prioritet i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Ai shtoi se me këtë bashkëveprim të shumë institucioneve janë arritur rezultate shumë konkrete. Ministri shfaqi përkushtimin e tij për angazhim edhe më të madh për të shënuar progres edhe më të madh.

Ndërkohë ati Sllobodan, me këtë rast ka falënderuar ambasadën e SHBA-ve për renovimin dhe restaurimin e Kishës së Shën Nikollës në Bogoshevë, por jo edhe institucionet e Republikës së Kosovës.

“Kjo kishë do u shërbejë të gjithë serbëve që jetojnë këtu dhe atyre që dëshirojnë të kthehen”, ka thënë ai.

Restaurimi i Kishës së Shën Nikollës u bë gjatë periudhës maj-shtator 2012. Qëllimi i restaurimit ishte eliminimi i deformimeve në sistemin konstruktiv, largimi i dëmtimeve fizike në mure dhe në strukturat dhe elementet stilistike të përpunuara, duke e ruajtur formën autentike të objektit.

Projekti për mbrojtje dhe restaurimin e objekteve kulturore përfshin restaurimin e tri objekteve të trashëgimisë kulturore në regjionin e Prizrenit.

Me grantin e fondit të Ambasadës Amerikane, International Relief ana Development (IRD) ka udhëhequr restaurimin e tri objekteve të trashëgimisë kulturore në regjionin e Prizrenit: kishën e Shën Nikollës në Bogoshevë, shtëpinë e vjetër të ShehZades në Prizren dhe Kishën e Shën Shtjefnit në Hoçë të Madhe.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›