E Diel, 1 Nëntor 2026

Bejzade: Kamza ka mundur pengesat financiare

bejzadeTrajneri i ekipit uron Partizanin dhe shprehet optimist për shpëtimin në kategorinë e parë, ku kanë mbetur dhe tri ndeshje nga fundi

Kamza ndodhet një pikë përpara Burrelit, i cili mban vendin që të dërgon në ndeshjet e Play-Out-it, në renditjen e kategorisë së Parë. Ku kanë mbetur edhe tri ndeshje nga fundi, Kamza i ka të gjitha mundësitë për të shpëtuar në Kategorinë e Parë. Skuadra e kryeqytetit ka arritur të përballojë problemet e shumta si mungesën e stadiumit dhe mungesën e anës financiare, e cila ka qenë e cunguar.

Trajneri i skuadrës, Skerdi Bejzade shprehet I zhgënjyer nga mungesa e mbështetjes që i ka munguar ekipit nga ana e bashkisë, por shprehet optimist për shpëtimin në kategorinë e parë. Fakti që kemi luajtur ndeshjet tona jashtë fushe kanë ndikuar në renditjen tonë. Në fillim të sezonit situatat shkuan mirë, por pas prishjes së marrëdhënieve midis bashkisë dhe presidencës, gjithçka u shkatërrua.

Mungesës së stadiumit iu është shtuar dhe mungesa financiare, e cila në nisje, 51% u mbulohej nga presidenti Qarri dhe 49% nga bashkia.  Me sa di unë, bashkia nuk ka dhënë asnjë lek gjatë gjithë vitit. Si mund të mbahet një ekip kështu, pa stadium dhe pa lekë? Për këtë ka meritë presidenti, i cili ja doli ta shpëtojë skuadrën e Kamzës për këtë vit, tha Bejzade.

Për ndeshjen e radhës, trajneri i kamzalinjve u shpreh optimist, pasi për të skuadra e tij ka motiv më shumë se kundërshtari. Kamzës i duhen tri pikët me shumë së Partizani, kështu që mendoj se ekipi im do të jetë më i motivuar për të marrë maksimumin, theksoi Bejzade në lidhje me sfidën e fundjavës, e cila do të zhvillohet në Yrshek.

Mundësitë janë që Kamza të mos luajë në Play Out. Pas Partizanit presim Lushnjen brenda dhe në fund e mbyllim me Adën. Mendoj se në këto ndeshje, ekipi do të bëjë më të mirën dhe mendoj se do të shpëtojmë direkt, shtoi ai. Në fund, Bejzade komplimentoi dhe rikthimin e Partizanit në elitën e futbollit shqiptar.

Për Partizanin më bëhet qejfi, se i mungonte Supeligës dhe tifozëve të zjarrtë. I uroj të kuqve që vitin tjetër të jenë ekip potent, theksoi Bejzade. Kamza ka luajtur pjesë më të madhe të ndeshjeve jashtë stadiumit të saj, fakt që ka ndikuar shumë në rezultatet e arritura.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›