E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sulçe: Misioni primar, të mundim Tiranën

sulceNga Edmond Sufaj

Sulmuesi 20-vjeçar i Partizanit thekson, se merkato do të vendosë shumë mbi objektivat e skuadrës në elitën e futbollit shqiptar

Partizani rikthehet në Superligë pas katër vitesh mungesë. Rikthimi i skuadrës ka gëzuar jo vetëm sportdashësit e skuadrës, por të gjithë opinionin sportiv, pasi tashmë në Superligë është shtuar një vlerë e munguar. Sulmuesi i skuadrës së kuqe, Salvador Sulçe shprehet entuziast për arritjen e objektivit dhe njëkohësisht shprehet optimist për të ardhmen e skuadrës në Superligë.

Objektivi primar

Ai shpreh dhe objektivin e parë. Misoni ynë primar është mundja e Tiranës, më pas vijnë objektivat e tjerë, theksoi Sulçe, duke i vënë theksin duelit spektakolar që dhuron derbi i kryeqytetit. Ndaj tyre jemi ndeshur edhe për kupën e Shqipërisë, por ajo ndeshje nuk mori rëndësinë e duhur, pasi Partizani bënte pjesë në kategorinë e Parë, tashmë që jemi rikthyer do e mundim me të gjitha mënyrat kundërshtarin tonë direkt, tha sulmuesi i të kuqve.

Shtysa kryesore

Një nga shtysat kryesore për suksesin e Partizanit ka qenë dhe mbështetja që është bërë nga drejtuesit e saj. Një nga arsyet kryesore që ne jemi sot në Superligë ka qenë mbështetja financiare që kemi marrë që nga nisja e sezonit. Kjo ka qenë dhe një nga mjetet kryesore që ka motivuar skuadrën tone për suksesin e arritur, u shpreh Sulçe. Përsa i përket mundësive për sukses që në sezonin e parë në Superligë, sulmuesi e vuri theksin te merkato.

Kupat e Europës, objektiv i mundshëm

Objektivat tona reale në Superligë varen nga projekti dhe merkato që do të zhvillohet. Me një merkato të mirë, pse të mos luftojmë për kupat e Europës? Gjithsesi, sido që të jetë, nëse fitojmë në derbi, mendoj se kemi arritur objektivin e sezonit, theksoi Sulçe. Në ndeshjen e ardhshme, Partizani do të presë Kamzën, e cila kërkon pikët maksimale, pasi është në luftë për mbijetesë në kategorinë e parë.

Pas arritjes së objektivit kryesor, tashmë Partizani po mendon më shumë për koaludimin dhe evidentimin e problemeve ku duhet ndërhyrë në merkato. Tri ndeshjet e mbetura do të na shërbejnë për të koaluduar më shumë skuadrën dhe mbi të gjitha për të eksperimentuar, theksoi sulmuesi i demave të kuq.

Partizani rikthehet në Yrshek

Skuadra e kuqe është rikthyer në fushën që i ka sjellë gjithnjë fat në ndeshjet e fundit. Ndeshja ndaj Kamzës do të zhvillohet pikërisht në fushën e Yrshekut, ku luan ndeshjet e saj Olimpiku i kategorisë së dytë. Fushat e kryeqytetit vijojnë të mbeten një mollë e ndaluar për Partizanin, kjo për dy arsye. Së pari, Qemal Stafa do nisë të stablizohet për të pritur Norvegjinë, ndërsa Selman Stermasi e ka humbur prej kohësh emrin stadium.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›