E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bekenbauer: Italia do të jetë triumfuese

Legjenda e Gjermanisë, Franc Bekenbauer, këshillon Italinë që të vazhdojë fitoren e Kupës së Botës 2006 me triumf edhe në "Euro 2008". "Kaizeri" i cilëson "axurrët" si favoritët kryesorë në evenimentin në Austri dhe Zvicër, edhe pse pranon se shumë skuadra të tjera, duke përfshirë këtu edhe Gjermaninë e tij, do të rivalizojnë fort për fitimin e trofeut. "Nuk besoj që edhe në këtë Evropian do të ketë një fituese surprizë, ashtu sikundër ndodhi në Portugali me Greqinë e Oto Rehagelit", shkruante ai në analizën e të përditshmes "Bild". "Ndryshe nga katër vjet më parë, fituese e aktivitetit do të jetë një vend me futboll më klasik, e këtu e kam fjalën për Italinë. Edhe pse u është dëmtuar kapiteni (Fabio) Kanavaro, për mua ata mbeten favoritët kryesorë për të marrë kupën. Pas skuadrës së drejtuar nga Roberto Donadoni, do të thosha që shanse të mira për të triumfuar kanë edhe Franca ose Holanda, pasi vetëm njëra prej tyre do të mund të mbijetojë në ‘grupin e vdekjes‘, por edhe Spanja e natyrisht Gjermania. Po mendoj se ne (gjermanët) kemi shanse reale që ta fitojmë Evropianin".


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›