E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ngre siparin festa e futbollit, spektakël madhështor në Zvicër

Me një ceremoni plot ngjyra në stadiumin "St. Jakob-Park" në Bazel të Zvicrës morri udhë edhe Kampionati i 13-të Europian. Shfaqja, e dizenjuar nga drejtori artistik Martin Arnaud dhe agjencia "Auditoire" solli shumë elementë të kombinuar, për të transmetuar imazhin dhe traditën e Zvicrës dhe Austrisë, dy vendeve organizatore të Euro 2008. Vëmendja ishte përqendruar te sporti dhe kultura, por pa harruar edhe mesazhin e UEFA-s për lojë të ndershme dhe luftë kundër racizmit. Spektakli që zgjati 13 minuta, kishte si protagonistë afro 1 mijë persona me kombësi nga shtete të ndryshme, të moshës nga 14 deri në 70 vjeç. Nëpërmjet koreografisë së organizuar ata transmetuan për publikun pamje nga bardhësia e Alpeve e deri te gjelbërimi i kullotave karakteristike. 600 vullnetarë mbajtën kube shumëngjyrësh, duke krijuar një seri peizazhesh. Në fund, fusha është "pushtuar" nga 16 fëmijë që mbanin flamurët e vendeve pjesëmarrës në këtë eveniment. Ata shoqëroheshin nga "Miss Zvicra 2007", Amada Aman, ndërkohë që qielli zviceran është mbushur me tullumbace të bardha e jeshile dhe fishekzjarrë.

Surpriza

Zvicra e pafat, Çekisë i mjafton një gjuajtje

Surpriza e parë e "Euro 2008" ka ardhur që në ndeshjen e hapjes së këtij turneu, ku përballë janë vënë Zvicra organizatore dhe Çekia. Ekipi vendas ka dominuar të gjithë ndeshjen, por ka qenë pa fat, sepse ka krijuar shumë raste, por nuk ka shënuar. Ndërsa çekëve u ka mjaftuar një gjuajtje në portë për të shënuar golin e fitores dhe për të marrë tri pikët e para në Grupin A.

Zvicra ka tentuar në të gjitha mënyrat të shënojë, duke shfrytëzuar sidomos formën e mirë të sulmuesit Aleksander Frei, i cili ka vënë dy herë radhazi në vështirësi Çeh me gjuajtjet nga distanca. Por kapiteni i Zvicrës është dëmtuar në fundin e pjesës së parë dhe është zëvendësuar në fillimin e të dytës nga Hakan Jakin. Megjithatë, loja e Zvicrës nuk bie dhe është i sapofuturi në lojë që rrezikon menjëherë të shënojë golin e avantazhit me një goditje dënimi. Edhe në minutën e 66-të është përsëri Hakan Jakin që ka mundësi të shënojë, por gjuajtja e tij me kokë përfundon jashtë, ngjitur me shtyllë. Por në momentin më të mirë të skuadrës zvicerane është Çekia që arrin të përfitojë nga një rreshtim i gabuar në prapavijën e vendasve, duke shënuar golin e avantazhit me anë të Sverkos. Zvicra hidhet e tëra drejt sulmit, duke kërkuar barazimin, por në rastin më të mirë të minutës së 79-të, Volanten godet traversën. Përfundon 1-0, një rezultat që nxjerr menjëherë Çekinë mes favoritëve për të kaluar turin, ndërsa Zvicrës nuk i lejohen më hapa të gabuar.

Portugalia, hap drejt kualifikimit

Skuadra e Skolarit merr tre pikët e para

Portugalia kalon 2-0 Turqinë dhe konfirmohet si koka e Grupit A. Ndeshja e dytë e këtij Evropiani, ajo ndërmjet skuadrave të tjera të Grupit A, Portugalisë dhe Turqisë, është luajtur në "Stade de Geneve". Iberikët, nënkampionë në "Euro 2004" e kanë filluar lojën vetëm me Nuno Gomez në sulm, që mbështetej nga Kristiano Ronaldo, Deko e Simao. Ndërkohë që, me Nihat të vetëm në sulm, Fatih Terim ka menduar mos t‘u japë kundërshtarëve pika referimi, duke zgjedhur inkursionet nga krahët. Momenti i parë i rrezikshëm është për portugezët, ku vetëm pas 6 minutave Ronaldo provon, por pa fat. Në të 13-ën Turqia pretendon 11-metërsh, por gjyqtari Herbert Fandel nuk bie në grackën e Tunçait, i cili gjithsesi ia ka hedhur pa u ndëshkuar me karton të verdhë për simulim. Portugezët vazhdojnë të kenë fjalën e parë në lojë dhe në të 17-ën arrijnë të gjejnë rrugën e rrjetës me Pepe, por vijërojtësi sheh një pozicion jashtë loje të mbrojtësit të Realit të Madridit dhe e anulon golin. Të gjendur në vështirësi përballë lojës së shpejtë të kundërshtarëve, të besuarit e Terim provojnë të rrezikojnë nga goditjet standarde, por Nihat Kahveci është i pafat, duke mos gjetur portën. Nga një tjetër goditje dënimi, por këtë herë në favor të portugezëve, është Simao që tenton, me topin që shuhet vetëm pak centimetra mbi portë. Në të 30-ën është Kristiano Ronaldo që shkakton drithërima në mbrojtjen turke: pasi kalon disa kundërshtarë, ai tenton gjuajtjen nga jashtë zonës, megjithatë ylli i Mançester Junajted nuk finalizon si duhet. Kandidati kryesor për fitimin e "Topit të Artë" bëhet sërish protagonist, këtë herë me një goditje dënimi në pozicion të prirët. Në të 30-ën ai ekzekuton shumë bukur, por portieri turk, Volkan Demirel, arrin ta devijojë topin aq sa mjafton për ta devijuar drejt shtyllës. Pjesa e parë mbyllet me një tentativë nga distanca të Mevlut Erdinç, që kontrollohet pa vështirësi nga Rikardo. 45 minutat e dyta fillojnë me Nuno Gomes që ka shansin më të mirë për të shënuar, pas një gabimi të mbrojtjes vendase, por shtylla prish festën e kapitenit të Portugalisë. Edhe pse iberikët janë më këmbëngulës në tentativat për të zhbllokuar rezultatin, turqit vazhdojnë të mbrohet duke shpresuar të dalin nga kjo sfidë me të paktën 1 pikë. Në minutën e 55-të, portieri Volkan Demirel tregohet i vëmendshëm në tentativën e befasishme të Kristiano Ronaldos, duke neutralizuar rrezikun. Portugezët provojnë edhe me Zhoao Moutinjon nga distanca, por e djathta e tij është e pasaktë. Kur kronometri shënonte 61 minuta është Pepe ai që merr pamjen e një sulmuesi të mirëfilltë, dhe pasi depërton nga mesi i fushës, i vetëm përpara portës nuk gabon: 1-0 për Portugalinë. Skuadra e Skolarit mund të kishte shënuar golin e sigurisë, por Nuno Gomes frenohet sërish nga shtylla. Tentativa e fundit e turqve përpara kapitullimit është një devijim me kokë i Emre Ashik, që nuk shënjestron si duhet. Në minutën e dytë shtesë, Raul Meireles shënon edhe golin e dytë, duke i dhënë portugezëve kryesimin e grupit.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›