E Shtunë, 31 Tetor 2026

Menyja e veçantë duke pritur golat

Ndeshjet nuk pranojnë vonesa. Kur arbitri fërshëllen për fillimin e lojës gjithçka duhet të jetë gati dhe e lehtë për t‘u arritur, në mënyrë që askush të mos duhet të ngrihet më prej aty ku është ulur deri në përfundim të 45 minutave të para. Me siguri që pjatat e kompletit të mirë, gotat dhe mbulesat e tavolinës duhet të dalin jashtë përdorimit, sepse kjo do të jetë koha më e papërshtatshme për të treguar kujdes. Evropiani i futbollit do të jetë edhe periudha e "anarkisë" gastronomike: na duhet të hamë thuajse gjithçka dhe në çdo orë, duke e zhvendosur urinë në orarin e ndeshjeve, duke pasur si imperativ të vetëm ngrënien me dorë. E vetmja që bën përjashtim do të jetë luga, për akulloret apo ndonjë kos frutash. Mjekët, përveçse tifozë janë të vetmit në ato ditë që mund të mendojnë se të hash para televizorit të bën keq për shëndetin: të humbet shija, bashkë me të kontrolli dhe nuk i jepet kohë stomakut të "bëjë" punën e vet para ndeshjes tjetër. Përveç mjekëve edhe dietologët nuk ngelen pas. E në fakt, të shtrirë në divan për katër apo pesë orë në ditë, duke e pasur mendjen në çdo moment tek ndeshja, është e pamundur t‘u shpëtosh dy apo tre kilogramëve më tepër. Kështu, të pamposhturit e "tv-food", tani kanë mësuar të marrin edhe masat përkatëse. Ndërkaq, është mirë, meqë edhe ndeshjet janë në darkë, të mjaftohemi me një mori perimesh jeshile duke garantuar kështu kripërat minerale dhe fibrat në sasi të mjaftueshme, shoqëruar me salca-bio dhe vaj ulliri, sigurisht pa harruar frutat. Është mirë që të konsumohet vetëm një lloj frute për vakt dhe sigurisht burimin e vitaminës C, lëng portokalli. Ndërsa dietologët bazohen në cilësinë e ushqimeve, psikologët i hedhin sytë drejt përmasave të porcioneve të asaj që duhet të konsumohet. Asnjëherë pjata të mëdha dhe pak ushqim. Domatet e mbushura, ullinjtë, brusketat nuk duhen vendosur asnjëherë në pjata të pashoqëruara me ushqime të tjera. Është mirë të shoqërohen me patëllxhanë, kunguj apo patate të pjekura me avull, pjata që edhe pa lejen e gruas mund t‘i vendosësh mbi krevat pa pasur frikën se mbulesat do të bëhen pis. E vështirë t‘u rezistosh sallameve, por më mirë t‘i zëvendësosh me proshutë apo mortadelë. Por sigurisht, me 31 ndeshje gjithsej dhe më shumë se 50 orë futboll do të jetë e pashmangshme t‘u shpëtosh, birrës, picave, hamburgerëve apo patatinave nëse keni vendosur që pasionin tuaj për futbollin ta ndani me shokët në pab. Por nga ana tjetër, t‘i ndjekësh ndeshjet e Kampionatit Evropian të Futbollit në televizion mund t‘i bëjë shumë mirë shëndetit tonë. "Sidomos nëse i shikon në shoqërinë e miqve dhe të afërmeve, ndoshta para një pjate makaronash, ushqimi kryesor i dietës mesdhetare", kështu deklarojnë specialistët tani që kompeticioni më i madh i futbollit evropian ka startuar. Meqenëse këtë kohë pasioni i fansave për futbollin, bëhet më i gjallë se kurrë, ekspertët e vënë theksin te zakonet ushqyese të miliona fansave që do ta ndjekin ndeshjen nga televizori. "Kur luan kombëtarja e vendit tënd rritet dëshira për të qëndruar bashkë me miqtë. Sigurisht për të ndarë gëzimin dhe emocionet që ajo të jep. Një socializim që i bën shumë mirë gjendjes sonë shëndetësore. Sigurisht që Evropiani i Futbollit në Austri dhe Zvicër, do të ndryshojë zakonet e ushqimit të të pasionuarve, që janë gati që çdo mbrëmje në orën 21 të mos humbasin asnjë sfidë në televizion. "T‘i ndjekësh në shoqëri ndeshjet në televizion -shpjegon eksperti - do të mundësojë një lloj të caktuar ushqyerjeje, të shpejtë dhe të përbashkët. Prandaj është më se e kuptueshme që picat, makaronat, ushqime të pasura me karbohidrate që sidomos në verë, preferohen më shumë se ushqimet me yndyrë. Më mirë jo patatinave në qese dhe produkteve të tjera të këtij lloji, ndërkohë që të gjithë e kemi lejen në xhep për birra. Por më origjinalja nga të nga të gjitha, mbetet ideja e një restoranti në Londër. Ndoshta mungesa e kombëtares së tyre në këtë evropian ka bërë që të mendojnë më thellë. "Bar Kick" në kryeqytetin britanik ka vendosur që në menynë e tij të shtojë edhe pjatat e "Euro 2008", që nuk është gjë tjetër veçse një mundësi e jashtëzakonshme për të shijuar pjatat tradicionale të të gjitha vendeve pjesëmarrëse gjatë 20 ditëve të kampionatit. Shijet dhe aromat nga i gjithë kontinenti do të bashkohen përmes futbollit. Kuzhina e këtij restoranti sigurisht që ka një meny speciale për çdo ditë të kampionatit duke tërhequr kështu njerëzit jo vetëm që të shikojnë skuadrën e tyre të preferuar, por të shijojnë edhe pjatat më të mira të atyre vendeve. Sigurisht, mundësia për të tërhequr sa më shumë klientë është e garantuar. Le ta nisim nga grupi A

Grupi A

Zvicër: "Alpengluehn"- versioni zviceran i "Welsh Rarebit" (bukë e thekur e lyer me një lloj salce të bërë nga djathërat më të mirë të prodhuar në vend dhe përzier me pluhur specash të kuq, mustardë dhe birrë

Republika Çeke: "Bramboracka" - supa tradicionale çeke e përgatitur me patate dhe fara susami.

Portugali: "Bolhinos de bacalhau" - Pite me kripë të mbushura me merluc, majdanoz dhe hudhra.

Turqi: "Eskander" - mish qengji i njomë që tradicionalisht shërbehet me kos dhe salcë domatesh dhe bukë të thekur.

Grupi B

Austria: "Wiener Schnitzel" - një copë mish viçi gatuar me vaj ulliri limon dhe bukë të thatë

Kroacia: Pasticada (e cilësuar si pjata e preferuar kur vjen vjehrra për vizitë) mish qengji i gatuar me kumbulla të thata, verë të ëmbël, proshutë, salcë domateje dhe lëng mishi.

Gjermani: Currywurst - salçiçe të gatuara në zgarë me erëza dhe salcë domateje

Polonia: Pierogi - ‘Ravioli‘ polake ose buçkan të mbushura me patate dhe djathë, shoqëruar edhe me një lloj ëmbëlsire

Schwarzwaelder Kirschtorte (me fruta pylli dhe biskota) Group C

Grupi C

Rumani: Mamaliga - një nga pjatat më të njohura në Rumani. Mamaliga është e përbërë me drithëra sidomos me misër dhe në vend ajo serviret me feta (lloj kaçamaku)

Francë: Coq au vin - Mish pule i pjekur me verë të kuqe.

Ose Bouillabaisse - supa klasike franceze me speca, hudhra dhe bukë të thekur.

Holandë: Erwtensoup - supë me bizele jeshile ose

"Banane Amsterdam" - banane, proshutë e pjekur dhe mustardë

Itali: Panzanella - një lloj sallate me domate, qepë të kuqe, ullinj, majdanoz dhe vaj ulliri dhe sigurisht makarona të llojeve të ndryshme

Grupi D

Spanjë: Pisto manchego - perime të pjekura në zgarë me rigon dhe djathë ose "Or Huevos a la flamenco" - vezë të pjekura me perime.

Rusia: Zakuski - Antipastë ose meze ruse me kërpudha, havjar, djathë, gjalpë dhe pure me rrepa të kuqe dhe kikirikë

Greqi: Galaktoboureko- Një lloj llazanje me peta dhe e mbushur me krem të përgatitur me miell, qumësht dhe gjalpë. Para se të piqet ndahet në feta dhe spërkatet me pak ujë

Suedi: Koettbullar - mish të pjekur me salcë luleshtrydheje, sallatorë dhe sallatë me lakra ose tavë me peshk, qepë, karota dhe patate

Kultura gastronomike për t‘u adhuruar, sepse ndryshe nuk mund të shijohen ndryshe golat dhe debatet pas ndeshjeve.

Kuzhina zvicerane

Kuzhina zvicerane është një bashkim kulturash të ndryshme si ajo gjermane, franceze dhe pak italiane, që ndryshon nga një kanton në tjetrin. Produktet tipike më të famshme në të gjithë botën janë djathërat dhe çokollatat. Pjatat zvicerane me bazë djathërat më të famshme janë fonduta, që shoqërohet gjithmonë me verë të bardhë dhe bukë të thekur, dhe "Raclette" ku djathi shoqërohet nga patate dhe turshi."Muesli"-t, me bazë drithërash dhe frutash është pjatanca tipike e mëngjesit zviceran. Mes pjatave me bazë mishin, më të njohurat e kuzhinës zvicerane janë "Kalbfilet", fileto viçi,

"Rindfilet", fileto mëshqerre, "Schweinschnitzel", kotoletë derri

"Lederpiessli", mëlçi në zgarë. Pjatat më të famshme të kantonit Ticino janë ato të bëra me disa lloj salsiçesh "artizanale‘.

"Rösti" është një tjetër pjatë e njohur me bazë patatesh. Të mrekullueshme gjithashtu edhe supat, orizi dhe ëmbëlsirat.

Kuzhina austriake

Është shumë e ngjashme me atë gjermane, por ka ndikim të madh edhe nga kuzhina hungareze dhe ato sllave, të ngelura që nga Perandoria Austro-Hungareze. Ushqimi tradicional austriak bazohet te patatet dhe mishi dhe salçiçet. Gatimet e këtij vendi, për shkak të përmbajtjes së madhe të mishit, janë konsideruar si shumë të rënda, megjithatë vitet e fundit me hapjen edhe të "New Austrian" një universitet gatimi, e cili sugjeron përdorimin e pakët të kripës dhe gjalpit për t‘i bërë ushqimet më të lehta dhe më të shëndetshme. Salçiçet janë gjithashtu ushqimi i preferuar për pjesën më të madhe të austriakëve. Gulashi i përgatitur me mish, qepë, speca të kuq dhe erëza është një tjetër pjatë me origjinë "hungareze" që përdoret shumë në vend dhe lë mbresa të mëdha te të gjithë ata që e vizitojnë Austrinë.

Sekreti i Rumanisë në Evropian? Qëndron te ushqimi turk

Nuk shfaqet kurrë në televizione apo gazeta, por janë të shumtë ata që i njohin "bëmat" e tij në fushën gastronomike. Po flasim për Yalan Kadir, shefi i kuzhinës së skuadrës kombëtare të Rumanisë. E, mjafton të shqiptosh emrin e tij për të risjellë buzëqeshjet në fytyrat e futbollistëve dhe drejtuesve. Kuzhinieri turk është ekspert i ushqimeve të shëndetshme si makaronat, peshku dhe sallata që hahen gjithmonë me dëshirë. Por duket se pjata më e pëlqyer e menysë së tij është supa me erëza. "Gatuan në mënyrë fantastike", ka thënë zëdhënësi i skuadrës,

Paul Zaharia, duke shfaqur një buzëqeshje në fytyrë që duket se bie ndesh me pamjen e tij thuajse gjithmonë serioze. Kadir iu bashkua skuadrës vetëm një javë para se Evropiani të niste. "Çdo ditë gatuaj nga një pjatë të ndryshme. Kanë kaluar ditët kur merrja djathin dhe ujin nga Rumania dhe kam kuptuar se në çdo vend që shkon kombëtarja ka nga një pjatë të veçantë, të cilën ua gatuaj", ka deklaruar në një nga intervistat e rralla. "Ushqimi i tij është i mrekullueshëm", ka deklaruar drejtuesi Dan Bragonau. Më pëlqen gjithçka që ha nga duart e tij. Është e mirë, por mbi të gjitha e shëndetshme". E në të vërtetë, po bëhen thuajse dhjetë vjet që turku Kadir, gatuan për kombëtaren rumune dhe shumë nga futbollistët e saj deklarojnë se të hash ushqim të përgatitur nga ai të jep forcë dhe njëkohësisht të bën të ndihesh si pupël për të vrapuar 90 minuta në fushë. "Kjo është një nga armët tona më të forta në këtë kampionat", tregojnë duke qeshur.

Ushqimet

Është mirë, meqë edhe ndeshjet janë në darkë, të mjaftohemi me një mori perimesh jeshile duke garantuar kështu kripërat minerale dhe fibrat në sasi të mjaftueshme, shoqëruar me salca-bio dhe vaj ulliri, sigurisht pa harruar frutat

Fast-food

Por sigurisht, me 31 ndeshje gjithsej dhe më shumë se 50 orë futboll do të jetë e pashmangshme t‘u shpëtosh, birrës, picave, hamburgerëve apo patatinave nëse keni vendosur që pasionin tuaj për futbollin ta ndani me shokët në pab.

Ndryshimi

Sigurisht që Evropiani i Futbollit në Austri dhe Zvicër, do të ndryshojë zakonet e ushqimit të të pasionuarve, që janë gati që çdo mbrëmje në orën 21 të mos humbasin asnjë sfidë në televizion

Ideja

Më origjinalja nga të nga të gjitha, mbetet ideja e një restoranti në Londër. Ndoshta mungesa e kombëtares së tyre në këtë evropian ka bërë që të mendojnë më thellë. "Bar Kick" në kryeqytetin britanik ka vendosur që në menynë e tij të shtojë edhe pjatat e "Euro 2008"

Menyja

Kuzhina e këtij restoranti sigurisht që ka një meny speciale për çdo ditë të kampionatit duke tërhequr kështu njerëzit jo vetëm që të shikojnë skuadrën e tyre të preferuar, por të shijojnë edhe pjatat më të mira të atyre vendeve. Sigurisht, mundësia për të tërhequr sa më shumë klientë është e garantuar

Rreziqet

Mjekët, përveçse tifozë janë të vetmit në ato ditë që mund të mendojnë se të hash para televizorit të bën keq për shëndetin: të humbet shija, bashkë me të kontrolli dhe nuk i jepet kohë stomakut të "bëjë" punën e vet para ndeshjes tjetër


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›