E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bekham qëndron te Milani: Një ëndërr që realizohet

Përfundon me shprehjen "happy end" telenovela që ka parë të përfshirë trekëndëshin Becks-Milan-Galaksi. Anglezi ka mundur të bindë klubin amerikan ta lërë në Milano deri në përfundim të sezonit. Lajmërimi për përfundimin e suksesshëm të tratativave vjen nga klubi amerikan. Presidenti i Galaksit, Tim Leiueke, ka deklaruar: "Është shkruar shumë rreth kësaj çështjeje. Synimi ynë ka qenë gjithmonë për ta mbajtur Bekhamin, por i kemi bërë llogaritë dhe mendoj se do të ishte me vlerë ta lejojmë të vazhdojë rrugën me Milanin, një rrugë e rëndësishme, sidomos për vetë Bekhamin". Klubi italian i rrugës "Turati" dhe vetë lojtari kanë mundur të marrin zgjatjen e kontratës në formë huazimi në bazë të një sakrifice ekonomike, e cila ende nuk është bërë e njohur publikisht. Një Bekham për t‘u admiruar, për atë që kishte shkruar në komunikatë: "U jam mirënjohës të dyja klubeve, që më kanë ndihmuar ta bëj realitet këtë ëndërr. Do të më lejohet të luaj deri në fund të këtij sezoni te Milani. Por falënderoj edhe Galaksin, sepse më ka dhënë mundësinë për të vazhduar impenjimin tim në ‘Major Soçer‘ për zhvillimin e futbollit në Shtetet e Bashkuara, një aspekt që na ka bërë shumë për vete". Fantazisti do të rikthehet në Los Anxhelos në muajin qershor, edhe pse është shumë e mundshme që ai të kthehet sërish te Milani në sezonin tjetër të merkatos së futbollistëve. Por mes tifozëve ka një zhgënjim, i cili u manifestua në "San Siro" para ndeshjes me Atalantën. Nga ultrasit milanistë janë ekspozuar disa pankarta: "Skuadra më e titulluar e botës? Po, por me këtë politikë po shkohet drejt fundit", "Futbollistë, trajner dhe klub, secili ka përgjegjësitë e tij", "Njëherë e një kohë shpenzoje vërtet, tani blen vetëm në parametrat zero", "Na ishte një herë Milani i ëndrrave, tani është një skuadër cirku".

Në mes, mesazhi më i madh i shkruar me të kuqe: "Nderoni ngjyrat tona". Në ditën që Milani ka zyrtarizuar zgjatjen e rrogës së Devid Bekham, tifozët kanë manifestuar të gjithë zhgënjimin e tyre për një sezon, i cili, për ta thënë me fjalët e Murinjos, do të mbyllet me "zero tituj".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›