E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përjashtimi, Puka në grevë urie, Saranda lutjet

Pas dhunës në fushë së paprecendet, vendimi për përjashtimin nga ky sezon dhe pezullimin për dy vite nga futbolli për dy skuadrat e kategorive inferiore, Tërbunit dhe Butrintit, ka bërë që Puka dhe Saranda të reagojnë në mënyra diametralisht të kundërta. I pari futet në grevë urie në shenjë proteste, ndërsa i dyti i lutet FSHF-së për mëshirë. Ndodh edhe kështu. Gjithçka në emër të dashurisë për futbollin, këtë lojë magjike anekënd botës, por që për qytete të vogla është "fe", është "ushqim", është jetë. Ngjarjet e ndodhura në takimin Tërbuni-Kastrioti, ku publiku vendas, i irrituar nga një anulim goli prej gjyqtarit Mentor Sopjani, u fut në fushë dhe dhunoi pa mëshirë treshen e gjyqtarëve, u ndëshkuan me dorë të hekurt nga Komisioni i Disiplinës pranë FSHF-së, i cili e pezulloi Tërbunin nga të gjitha aktivitetet futbollistike kombëtare për 2 vjet dhe e zbriti një kategori më poshtë. Vendim i cili është kontestuar fuqishëm nga pukjanët, të përfaqësuar nga kryebashkiaku Rustem Strugaj, i cili menjëherë paralajmëroi se do ta ndjekë çështjen deri në Lozanë. Por, dje, ditën e 8 Marsit, lajme të tjera vijnë nga Puka, që për futbollin shqiptar përbëjnë gjëra të padëgjuara më parë. Greva e urisë është ajo që do të bëjnë intelektualët e Pukës (10-12, mes të cilëve mjekë, mësues, ekonomistë etj.), bashkë me lojtarët dhe stafin e Tërbunit. Gjithçka është konfirmuar edhe nga kryetari i Bashkisë së Pukës, Rustem Strugaj, i cili ka kontaktuar dje me grevistët e mbyllur në Pallatin e Kulturës së qytetit që nga ora 19:30. Ndërsa të gjithë lojtarët e Tërbunit mësohet se do t‘i bashkohen grevës sot në orën 09:00 të mëngjesit, si dhe gjithë futbollistët e Tërbunit, bashkë me stafin teknik. Kurse nga Saranda mbërrin reagimi i këshillit bashkiak, i cili pasi e ka konsideruar ngjarjen e rëndë çështje individuale të lojtarëve përkatës, jo të të gjithë ekipit, ka kërkuar mëshirë nga presidenti i FSHF-së, Armand Duka.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›