E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sër Aleks: Murinjo, ti nuk më tremb

Ranieri autocensurohet, Spaleti bën të paditurin. Sër Aleks Ferguson sulmon drejt. Përgatitet dosieri i gjysmëfinaleve të Champions 2008, për të ndaluar Murinjon atje ku ka filluar: në "Old Trafford", me Porton, në 1/8 e vitit 2004. "Në prag të një ndeshjeje me Hozenë, më duhet të pres gjithçka nga ai. Por do të përgatitemi si pas 0-0 në ‘Kamp Nou‘. Një përgatitje intensive dhe efikase, që ka funksionuar shumë mirë: 1-0 për ne në kthim, gol i Skolls në minutën e 14". Ranieri, Spaleti dhe gjithë Seria A, janë të irrituar nga Murinjo. Ju, jo? "Do të ambientohet edhe Hoze. Unë nuk jam një djalosh i ri dhe vij nga Glasgou. Këto të dyja më bëjnë të mos çuditem më nga asgjë".

Por çfarë gjëje të veçantë duhet të bëjë Murinjo, që nga ky moment deri në fillimin e ndeshjes ndaj Mançesterit?

Ka një fuqi magnetike mbi median, të gjithë e duan, sepse kalon nga argëtuesi te qesharaku që sulmon. Ka një teknikë të arritur mediatike. Por edhe ai e di se, kur fillon ndeshja mbeten vetëm zikaltërit kundër të kuqve, nuk mund të bëhet asgjë më shumë. Personalisht u besoj atyre që hedh në fushë.

Tek Interi, Murinjo është nën presion. Kështu do të ndihet në Mançester?

Po, por Interi komandon Serinë A, dhe pas barazimit me Romën, e ka tashmë titullin në xhep. Duhet ta besojë edhe ai, pasi tani duket ende i trembur. Është e dukshme që mendon për ndeshjen ndaj nesh.

A ishte penallti rasti i Balotelit?

Një penallti "e ëmbël". Por nëse humbiste me Romën, Hoze mbetej sërish favorit për titull.

Në prag të ndeshjes së parë, Murinjo ka thënë se Mançesteri nuk do të sulmonte. Çfarë Interi do të prisni të mërkurën?

Vërtet ka besuar se nuk do të sulmonim në San Siro? Atëherë ju them se Interi në "Old Trafford" do të synojë të arrijë te penalltitë. Mentaliteti italian ekziston gjithmonë. Edhe me argjentinasit edhe të tjerët, ideja mbetet e njëjta. Do të synojnë të mbajnë lojën për 120‘ në rezultatin 0-0.

Keni fituar Champions e "Carling Cup" nga penalltitë, çfarë ju shqetëson?

Asgjë. Të mitë kanë demonstruar se e kanë atë që duhet kur arrihet te 11-metërshat. Shpresoj të vazhdojnë kështu.

Ibrahimoviç dhe Adriano?

Djem me shumë potencë, agresivë. Dhe jo vetëm ata. Të rrezikshëm sidomos në rastet e goditjeve të ndaluara. Por në Milano, i kontrolluam mirë: Interi ka pasur vetëm disa gjysma rastesh në pjesën e dytë. Të mitë luajtën me një përqendrim të admirueshëm. Kështu duhet të luajnë edhe në kthim.

Po nëse Interi shënon në "Old Trafford"?

Barcelona nuk ia doli. Po nëse një mundësi e tillë do të na jepet neve?"

Juve-Çelsi dhe Roma-Arsenal. Parashikime?

Çelsi ka një pozicion komod, e shikoj më të vështirë Arsenalin. Roma nuk është keq, por varet edhe nga dëmtimet që ka. Gjithsesi pres kualifikimin e anglezëve.

Sa e veçantë ishte shishja 300-euroshe që iu dhuroi Murinjo në Milano?

Një verë shumë e mirë. Nuk e kam hapur ende, por ka bërë zgjedhje të mirë.

Si do t‘ia shpërbleni?

Më duhet të bëj figurë të mirë me Hozenë. Me një shishe "Chateau du Vinegar"...(batutë: Vinegar në anglisht është "aceto", produkt i fermentimit të verës). Jo, jini të qetë. Do të jetë një shishe nga ato më të mirat.

Rio Ferdinand ka thënë se do t‘i pëlqente Murinjo te Mançesteri, kur ju të hiqni dorë.

Kush mendon se do të largohem? Duhet të më largoni me forcë. As që e mendoj. Aq më shumë Murinjon te Junajtid.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›