Bekim Fehmiu dhe dashuria e parë shkodrane

Vëllimi i dytë i librit me kujtime i aktorit të madh shqiptar nga Kosova, Bekim Fehmiu, i titulluar "Shkëlqim dhe tmerr", doli nga shtypi në muajin tetor të këtij viti. Ai u promovua më datë 27 tetor 2012, gjatë panairit të librit në Beograd, ku merrnin pjesë bashkëshortja Branka Petriç dhe djali Uliks Fehmiu.
Pjesë të shkëputura nga ky libër, janë publikuar nga "Gazeta shqiptare'', ku mes tjerash flitet edhe për vizitën në Shqipëri dhe dashurinë e parë të aktorit Fehmiu, Bukuroshe Tahirin nga Shkodra. RRËFIMET NË VETË TË PARË Java e filmit shqiptar. I ftuar..... Mbahej për herë të parë "Java e filmit shqiptar" në Beograd në Shtëpinë e Rinisë. Mezi arrita të shoh fundin e projektimit të njërit prej filmave. Takoj Abdurrahman Shalën, regjisorin e ri Besim Sahatçiu... Më njohën me dy regjisorë të rinj nga Shqipëria, Piro Milkani dhe Dhimitër Anagnosti. - A do të kishit ardhur tek ne si i ftuar? - më pyet Dhimitri, ai shtatshkurtri me tipare të zeza, i cili studimet e kameras dhe të regjisë i kishte kryer në Leningrad dhe në Moskë. - Me shumë dëshirë, nëse më ftoni! Atelie 212. Jam i ulur në bufe me kolegët. Hyn Borisllav Mihajlloviç- Mihizi, një nga intelektualët më të mëdhenj të vendit. "Dëgjova se do të shkosh në Shqipëri. Atje jeton një shkrimtar i madh. Quhet Ismail Kadare. Ka shkruar një roman të mrekullueshëm, 'Gjenerali i ushtrisë së vdekur'. Shiko nëse mund të ma sjellësh". Erdhi ftesa që të jem i ftuar i "Kinostudios" shqiptare. Ditë e zymtë. Udhëtova me atë karakatinën e JAT-it. Nga avioni mund të shihet plani urbanistik i Tiranës të projektuar në mënyrë të tillë që të mund të ndjekë rendin e fjalëve "Duçe" (kështu është quajtur Musolini). Aerodromi? Tipik për një vend të vogël dhe të varfër. Për herë të parë në Tiranë. Procedura me kufitarët e ashpër dhe me doganierët, të cilët ngjasin me aerodromin, shkoi pa vështirësi, sepse më prisnin Dhimitër Anagnosti dhe Pirro Milkani si dhe drejtori i "Kinostudios". - A flisni shqip? A njihni njeri në Shqipëri që do të dëshironit të takonit? Më ndihmuan të sistemoj valixhen time të udhëtimit në bagazhin e automjetit tip "Lada". Gjatë udhëtimit për në Tiranë, drejtori më pyet përsëri. - A keni ndonjë dëshirë që do të mund t'ua plotësonim sa jeni në Shqipëri? - Kam dy. E para, t'i përcjell përshëndetjet më të përzemërta nga ana e nënës sime, bashkëshortes së Bajram Currit, Dervishe Hanëmit. E dyta, të shoh dashurinë time të parë. U stepën. - Ju keni një dashuri të parë në Shqipëri? Si quhet? Prej nga është? - Nga Shkodra. Quhet Bukuroshe Tahiri. Ka një vëlla, i cili quhet Riza dhe një motër me emrin Safete. - Mirë! Do të shohim! Më sistemuan në hotel "Dajti" në qendër të qytetit... NË SHKODËR Shkodër. Qytetin nga i cili kam disa kujtime të gjalla, nuk e njoha fare. Hoteli? Një ndërtesë njëkatëshe, një shtëpi e bukur me çardak, oborr dhe bahçe. Më kujtoi shtëpinë e Shaip Pashës në Prizren. Më shpunë tek një zonjë e vjetër, e veja e Bajram Currit, e cila më priste. Shtëpia e saj mbushur me kushërinj dhe miq të ftuar. Dervishe Hanëmi, e dashur dhe e ngrohtë, qëndronte ulur në minder. Në mur, sipër kokës së saj, fotografia e të shoqit. Iu afrova dhe i putha dorën. - Hedija, gruaja e Ibrahim Fehmiut, së bashku me fëmijët e saj ju dërgojmë përshëndetjet e tyre të përzemërta dhe mu lutën t'ju përqafoj. Fytyra e saj ndriste si shenjtëreshë. Përqafimi i saj, i butë dhe erëmirë, tamam si prej plake. Më uli afër vetes, duke më mbajtur dorën ndërmjet duarve të saj. Cili je ti? - më tha. Ai më i vogli, Bekimi, i thashë. Më pyeti për Dijen dhe të gjithë të tjerët emër për emër. E rrëmbyen kujtimet për të shoqin, për babain tim, e në mënyrë të veçantë për Dijen dhe ato kohë të stuhishme. Fytyrat e të pranishmëve si të përskuqura. Kur u ndamë, bëmë një fotografi për kujtim. Ditë e re. Dolëm për të bërë një shëtitje nëpër Shkodër. Shkodra është e pastër si të gjitha qytetet shqiptare. Duke shëtitur na afroheshin njerëz. Turma që na shoqëronte po bëhej gjithnjë e më e madhe... - Çfarë është bërë me dashurinë time të parë, Bukuroshen? - Për fat të keq nuk arritëm ta gjenim. Nuk ka në Shkodër ndonjë familje me mbiemrin Tahiri. Duke ecur, vura re dy rrathë të përkryer: njëri me perimetër më të madh dhe tjetri më i vogël brenda tij. /Indeksonline/