E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bekim Fehmiu ëndërronte të interpretonte Skënderbeun

Lajmi për humbjen tragjike të aktorit të madh me origjinë shqiptare, Bekim Fehmiu, është pasqyruar jo vetëm nga media vendase, por edhe të huaja. Nga Italia, Spanja, Turqia, Gjermania etj., është bërë me dije lajmi për ndarjen nga jeta në moshën 74-vjeçare të aktorit shqiptar. Ministra të Kulturës, e politikanë, njerëz të artit nga Serbia e rajoni, artistë shqiptarë si nga Kosova ashtu edhe nga Shqipëria, i janë bashkuar kësaj dhimbjeje të madhe, duke shprehur mesazhe ngushëllimi për familjen Fehmiu. Të gjithë e kujtojnë me dashuri e respekt njeriun dhe artistin e madh, i cili i dha shumë teatrit e kinematografisë. Njësoj i dashur vjen edhe në kujtimet e regjisorit shqiptar, Piro Milkani.

Atij i kujtohet mjaft mirë se si për herë të parë mbi këtë personalitet të artit shqiptar mësoi teksa lexonte një revistë franceze të quajtur “Kaje du cinema”. Një kritik francez shkruante për kinemanë jugosllave dhe përmendte aty dy shkëlqime, dy yje të kinemasë së viteve ‘60, për Bekim Fehmiun dhe Faruk Begollin, që ishin shqiptarë të Kosovës. “Kjo na ngazëlloi”, thotë ai. Më pas, në pranverën e vitit 1972, fati e desh që në Beograd, kur u organizua java e filmit shqiptar, të shkonte regjisori Piro Milkani së bashku me regjisorin tjetër të madh, Dhimitër Anagnostin. “Natën e dytë të këtij aktiviteti kushtuar filmave shqiptarë, në kinemanë e rinisë në Beograd u shfaq aktori Bekim Fehmiu. Prej asaj nate ai jo vetëm që i ndoqi filmat shqiptarë, por edhe u shoqërua me ne. Bashkë me Anagnostin, ai na ka pritur në shtëpinë e tij në Beograd. Ky takim i parë me të u bë shkak që po atë vit Bekimit t’i bëhej një ftesë nga Kinostudio, në Tiranë. Erdhi dhe qëndroi në Shqipëri për dhjetë ditë. Gjatë kësaj kohe ai shprehu emocionet dhe dashurinë e tij të madhe për vendin nga vinte. Kudo që shkonte ai thoshte ‘Unë jam aktor shqiptar’. Ai kishte ëndërr të interpretonte rolin e Skënderbeun dhe kur erdhi në Shqipëri e shprehu haptas dëshirën për të luajtur rolin e heroit tonë kombëtar. E kishte një ëndërr të jetës së tij, por nga Shqipëria asnjëherë nuk u mor përsipër ky prodhim filmik, sepse edhe sot mbetet një ndërmarrje e kushtueshme”, vijon më tej Milkani. Për regjisorin shqiptar, Bekim Fehmiu, i cili ndërroi jetë ditën e martë, ishte jo vetëm një aktor, por edhe një njeri i madh. “Bekim Fehmiu rrezatonte dashuri për vendin e tij. Ai ishte një shkëlqim i vërtetë i interpretimit aktorial, një aktor shumë i ndjeshëm, që e çoi në këtë moment tragjik”, shton më tej ai.

Duke iu referuar edhe mospranisë së Bekim Fehmiut në skenën apo në ekranet shqiptare, Piro Milkani thotë se vitet e fundit ai filloi të jepte shenja të një tërheqjeje drejt vetvetes, të pranimit dhe pastaj të mohimit për të luajtur në role, në filma shqiptarë e kosovarë. “Por kjo tërheqje ndaj filmave shqiptarë e kosovarë më duket se ishte si pasojë e këtij depresioni që kishte filluar tek ai, në mënyrë absolute nuk kishte asgjë tjetër. Për shembull, pranoi të vinte te filmi i Kujtim Çashkut të luante “Kolonel Bunker”, atë rol që e interpretoi Agim Qirjaqi, dhe pastaj në momentin e fundit gjente pretekste dhe nuk vinte. Nuk e di pse, por ishte më tepër problem psikologjik, sesa problem mentaliteti, kundërshtimi apo mosbesimi”, shprehet ai ndërsa kujton edhe takimin e fundit me aktorin e madh me origjinë shqiptare. “Ka ndodhur në kinemanë ‘ABC’ në Prishtinë gjatë vitit 2005. Unë kisha shkuar në Kosovë të përgatisja filmin tim, ‘Trishtimi i zonjës Shnajder’. Iu afrova dhe me shaka i propozova të interpretonte në rolin e Kontit Sternberk. Dhe ai ma ktheu: ‘Me siguri, patjetër do të vij me Piro Milkanin’, por ndihej që në thelb ai ishte larguar nga jeta. Bënte një jetë të mbyllur kohët e fundit. Programi i tij ishte një kafe në orën 12:00 në barin e kinemasë ‘ABC’ e pastaj kthehej në shtëpinë e tij. Gjysmën e kohës e kalonte në Prishtinë e gjysmën tjetër në Beograd”, tregon Piro Milkani, për të cilin Bekim Fehmiu ka lënë pas role të shkëlqyera si në film, ashtu edhe në teatër. /gazetashqip/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›