E Shtunë, 31 Tetor 2026

“I pëlqen t’i ndihmojë njerëzit”

Sapo ka marrë kurorën e më të bukurës së Kosovës, ndërkaq në Las Vegas do të përpiqet të fitojë kurorën e më të bukurës, madje duke arritur suksese më të mëdha se Marigona Dragusha. Kjo është “Miss Kosova Universe 2010” Kështjella Pepshi, e cila flet për studimet, dashurinë, planet dhe për suksesin e arritur në Miss Universe Kosova 2010.

Rozë: Fillimisht, cila është CV-ja e Kështjella Pepshit?
Pepshi: Po, jam Kështjella Pepshi nga Peja, kurse jetoj bashkë me familjen time në Zvicër që shumë vite.

Rozë: Na tregoni me çfarë merret Keshtjella dhe cilat janë planet e ardhshme?
Pepshi: Unë jam studente e dermatologjisë. Ishte dëshira ime që të studioj këtë drejtim, sepse me pëlqen që t’u ndihmoj njerëzve ta kenë një lëkurë të shëndoshë. Kurse sa i përket planit tim në të ardhmen, do të mundohem që t’i përfundoj studimet, pa marrë parasysh se do të kem ndoshta më pak kohë sesa më parë. Sapo kam fituar çmimin e Miss Universe Kosova, pra më pret një sfidë para vetes, e për të cilën duhet punë intensive, sepse e ndiej obligim shpirtëror që ta prezantoj sa me denjësisht shtetin tonë të dashur Republikën e Kosovës, shtetin më të ri në botë, kurse në anën tjetër shtetin më të vjetër me kulturë të lashtë në Ballkan e Evropë. Andaj, është herët t’ ju japi një përgjigje definitive në këtë pyetje, sepse, siç ju thash, unë tani kam disa plane në të ardhmen.

Rozë: Ju do të përfaqësoni Kosovën. Si ju bën të ndiheni ky fakt?
Pepshi: Po, vërtet më datë e 30 maj të vitit 2010, unë mora çmimin e Miss Universe Kosova 2010 që ishte i organizuar me shumë korrektësi dhe seriozitet të madh nga zotëri Agron Selimi dhe zonja Mina Selimi, të cilët kanë dhënë gjithë potencialin e vet që mbrëmja e Gala Shoë Miss Univers Kosova në Sheshin 21 të jetë sa më i suksesshëm. Vlen të theksohet se na kanë ofruar respekt dhe dashuri të mjaftueshme, sikur të na kishin fëmijët e vet, sidomos zonja e nderuar Mina Selimi, e cila zëvendësonte mungesën e nënave tona gjatë qëndrimit tonë atje ne Hotel Kalaja në Vushtrri. Ta fitosh këtë çmim, pra të identifikohesh si bukuroshja e vendit, vërtet është një ndjenjë e mirë, ndjehesh krenare dhe e lumtur. Këtë nuk do ta thosha vetëm unë, por do ta thoshte secila vashë që do ta fitonte këtë çmim, për shtetin e Republikës së Kosovës, i cili është çmim me karakter shtetëror që do ta prezantoj shtetin tim Republikën e Kosovës në Miss Universe që do të organizohet në Las Vegas . Unë jam fascinuar kur kam parë në Kosovë mjaft vasha të bukura, sepse Kosova njihet si shtet me djem dhe vasha shumë të bukura, andaj edhe ia vlen që të ndjehem shumë e gëzuar e lumtur dhe krenare për këtë.

Rozë: Sa mendoni që do ta keni të vështirë të merreni me këtë profesion?
Pepshi: Po, çdo profesion ka vështirësitë e veta, por ky është një profesion që do më shumë punë, pra punë intensive. Unë e them kështu, ani pse ende nuk jam futur në brendinë e tij, por shpresoj se do ia dal, sepse e kam dashur që në fëmijëri dhe kjo tash mua me jep motiv që të eci përpara, sepse pa vështirësi dhe mund asnjë profesion nuk mund të përvetësohet.

Rozë: Për ju më shumë ka vlerë bukuria apo mençuria?
Pepshi: Për mua bukuria ka vlerat e veta, pra pamjen e bukur fizike. Por, mençuria ia shton edhe me tepër bukurinë fizike njeriut. Pra, bukuria dhe mençuria janë dy komponentë qe njeriun e bëjnë të lumtur.

Rozë: Si e sheh vetën pas 10 viteve?
Pepshi: Për këtë pyetje është vështirë të jap një parashikim, sepse është shumë herët. Unë mendoj se duhet të them kështu, njeriu duhet ta ndjejë dhe t’i gëzohet të sotmes dhe të presë me dëshirë të nesërmen për sukseset e reja që do vinë. Kurse pas 10 viteve, mendoj se askush nuk mund ta japë një parashikim, se çfarë do ndodhë dhe si e sheh vetën. Pra, më së miri është që t’i gëzohem çdo ditë kur zgjohem shëndosh dhe mund të punojmë për të nesërmen.

Rozë: A jeni e dashuruar? Dhe si e kupton ti dashurinë?
Pepshi: Sa i përket kësaj pyetjeje, unë nuk jam ende e dashuruar, por dashuria për mua është e shenjtë. Pra, e dua shumë mamin dhe vëllanë. Këta për mua janë drita e jetës, kurse dashuria që do lind në të ardhmen, edhe ajo e ka vendin e vet. Por, njëherë unë do t’i futem rofesionit tim dhe do të punoj me përkushtim të madh.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›