E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bektashi: E vuaj piraterinë

Alma Bektashi ka dhuruar në Tiranë një mbrëmje me këngë jazz dhe perla të repertorit të Nexhmije Pagarushës. Para koncertit ajo tregoi për veten në skenë dhe jashtë saj. Dhe, mbi të gjitha, një shqetësim: "Çdo gjë del në You Tube. Madje tani kanë filluar të nxjerrin edhe gjëra koti të jetës së këngëtarëve, duke ngrënë, duke ecur".


Këngëtarja nga Kosova, Alma Bektashi, është rikthyer në skenën shqiptare pas dy viteve mungesë me rastin e mbrëmjen së fundit të festivalit "Takimet muzikore të dy botëve - Argjiro 2009".


Muzikë jazz dhe këngë të repertorit të yllit kosovar, Nexhmije Pagarusha, ishin zgjedhja e Bektashit. Prej 10 vjetësh është pedagoge në Akademinë e Arteve në Prishtinë.


Thotë se edhe konkurset e ndryshme televizive po bëjnë një punë të mirë në zbulimin e artistëve të rinj.


Pak minuta para daljes së saj në skenë, këngëtarja rrëfeu për "Shekulli"-n lidhjen me muzikën jazz, idhujt e saj, një pjesë të eksperiencës pedagogjike dhe mungesën në festivale.


Për herë të fundit ju jeni ngjitur në këtë skenë para dy vjetësh. Si po ju duket rikthimi?


Është e vërtetë, kam kohë që nuk kam dalë në skenë. Shfaqja e fundit ka qenë "Romeo dhe Xhulieta", po këtu, në Teatrin e Operës dhe të Baletit. Në atë kohë kam pasur dy projekte të mëdha në Shqipëri, "Këngët e shekullit" dhe mjuzikolin "Romeo dhe Xhulieta".


Gjatë kësaj mungese ju keni bërë një kapërcim nga "Romeo dhe Xhulieta" në jazz...
Po, programi i sotëm ka këngë të muzikës jazz, por edhe pjesë shqiptare që më parë i ka kënduar Nexhmije Pagarusha. Këngë që i ka orkestruar bashkëshorti i saj, kompozitori Rexho Mulliqi. Si "Lulëzoj fusha", "Lules", "E dehur jam" etj.

Ju kujtohet kur ju ka lindur dëshira për të kënduar jazz?


Kam qenë 15 vjeçe kur kam nisur të këndoj jazz. Këngën e parë me elemente te muzikës jazz e kam kënduar në Akordet e Kosovës, atëherë jam shpërblyer me çmimin "Pllakata e artë" e kompozitorëve të Jugosllavisë.


Ndërsa kënga e parë internacionale ka qenë "A Night in Tunisia", e kam dëgjuar për herë të parë nga Chaka Khan. Ka qenë një këngë, me të cilën kam qenë e dashuruar, një periudhë vetëm atë këngë këndoja.

Çfarë përmban repertori juaj i jazzi-t?


Shumë këngë. Po të filloj t'i numëroj, vetëm këngë të preferuara, dalin mbi 50. Sepse, zakonisht, edhe librat me të cilët punoj janë libra që kanë "100 jazz standard songs".


Ka shumë këngëtare që i këndojnë, si Sarah Gough, Karmen Mçoy, Chaka Khan, Anita Baker apo Ella Fitzgerald. Të gjitha vazhdoj t'i dëgjoj dhe i kam idhuj. Secila e sjell interpretimin në mënyrën e saj sa më origjinale.

Cila rrymë e jazz-it ju tërheq më shumë?


Jazz-in latin e dëgjoj me pasion, por rrallë e këndoj, dhe pse është shumë i bukur. E këndoj në vende ku është për t'u kënduar, kurse më shumë preferoj jazz-in klasik, cool jazz ose free jazz, që kanë përfaqësues në kohët e tyre, si Miles Daivis.


Apo ajo që në ditët e sotme mund ta quaj shkartisja e muzikës jazz, fusion. Pastaj është edhe etno jazz. Më pëlqejnë të gjitha rrymat që kanë lidhje me muzikën jazz.

Përveçse këndoni, ju prej 10 vjetësh jeni edhe pedagoge në Akademinë e Arteve në Prishtinë. Sa ndryshon Alma këngëtare nga ajo pedagoge?


Në Akademi jap teknikën e zërit, një lëndë shumë specifike, ku punohet ekskluzivisht me vokalin. Mësimdhënia në fillim ka qenë shumë interesante, edhe për mua, edhe për studentët. Sidomos studentët e viteve të para, kur më shohin, thonë "oh, këngëtarja". Më duhet të punoj shumë që ta kuptojnë se ndryshe është Alma në skenë dhe ndryshe pedagoge.


Në fakultet jam kërkuese dhe pres shumë prej studentëve. Nëpërmjet interpretimit të tyre, shihet edhe puna ime. Por është shumë interesante, një eksperiencë e mrekullueshme.


Sa arrini t'u jepni studentëve nga eksperienca juaj 20-vjeçare në skenë?


Shumë. Tani që kujtoj, në fillimet e mia nuk shqetësohesha se si po dal në skenë, se si po prezantohem. Por me kalimin e kohës përgjegjësia është më e madhe. Në qoftë se je pedagoge, duhet të jesh model. Ashtu si unë gjithmonë kam pasur model pedagogen time të kantos, Suzana Frashëri.

Veç Akademisë së Arteve, tani zëra po dalin edhe nga formatet e ndryshme televizive. Ju si e shihni këtë mënyrë të re të "fabrikimit" të artistëve?


I mbështes spektaklet si "Ethet e së premtes" apo "Star Academy", sepse u japin mundësi të rinjve të tregojnë talentin e tyre. Gjë që është shumë e vështirë, sepse tani tregu është shumë i egër. Këto forma i çojnë deri në një vend këngëtarët, por pastaj ata duhet të ecin vetë. Po këtu është pengesë pjesa ekonomike, sepse nuk mundet një spektakël të sigurojë anën ekonomike.


Kush e ka më të fortë anën ekonomike apo kush gjen sponsor, mund të bëjë një këngë, një videoklip dhe mund të lançohet. Është një mënyrë shumë e mirë, sepse u jepet mundësia të gjithëve.

Ka kaluar kohë që kur keni marrë pjesë në festivalet e këngës në Shqipëri. Keni në plan të riktheheni?


Unë jam fanse e festivaleve dhe e spektakleve të bukura. Po nëpër festivale ndoshta mund të marrë pjesë si mysafire, por si konkurrente nuk besoj.



Nuk e mendoni festivalin si një alternativë për të qëndruar në tregun muzikor?


Jo, sepse tani unë shoh që këngët që kam kënduar nga albumi i ri, në spektaklin e Vitit të Ri, në "RTK", pothuajse pas dy javësh kanë dalë të gjitha në You Tube. Kështu që është e kotë të bësh album.

Unë mendoj që do të vazhdoj në sistemin e single-ve me një videoklip. Edhe unë vuaj piraterinë si të gjithë këngëtarët, sepse çdo gjë del në You Tube. Madje, tani kanë filluat të nxjerrin edhe gjëra koti të jetës së këngëtarëve, duke ngrënë, duke ecur.


Kohët e fundit, në media, emri juaj shoqërohet shpesh me fjalën jazz. Në këtë stacion do të qëndrojë Alma Bektashi?


Unë këndoj këngën e lehtë, rok, pop, më pëlqen soul R&B, jazz, por gjithmonë përpiqem që të mos dal nga origjinaliteti im. Të kuptohet që po këndon Alma dhe jo një tjetër.


Botohet shqip përmbledhja me ese e Ernest Koliqit

Përmbledhja me ese, "Ese të letërsisë shqipe", e Ernest Koliqit vjen në shqip nga përkthimi prej italishtes i Dhurata Shehrit dhe e botuar nga Instituti i Dialogut dhe i Komunikimit.


E botuar në Itali më 1972-shin, përmblidhen në të kontribute, kumtesa e artikuj të mbajtur në konferenca e kongrese të ndryshme shkencore të botuara jashtë Shqipërisë, të cilat rrokin një periudhë kohe 15-vjeçare, duke filluar nga viti 1953 deri në vitin 1968.


Në shënimin e shtëpisë botuese thuhet se shkrimet e këtij vëllimi, më shumë se ese letrare, mund të konsiderohen të pikënisura nga një lexim i vëmendshëm dhe me pasion i veprave të disa prej interpretuesve më të shquar të shpirtit shqiptar, qofshin ata rapsodë popullorë apo shkrimtarë të kultivuar.


"Ernest Koliqi ka dashur t'i inkuadrojë shfaqjet e tyre, sidomos ato poetike, në mjedisin nga kanë dalë, në botën shqiptare, të vogël, por të ndërlikuar, jo shumë të hapur për ata që nuk janë pjesë e saj.


Ai ka dashur të nënvizojë nga ajo botë, sidomos ato aspekte të veçanta që të rrëshqasin nëse lë pas dore trashëgiminë e traditave arkaike, besimeve, besëtytnive e paragjykimeve, por edhe tërësisë së cilësive të brendshme njerëzore e etnike që karakterizojnë e dallojnë gjenin shqiptar."


Duke vazhduar traditën gjithëpërfshirëse të "Antologjisë së lirikës shqiptare", Koliqi krijon njëherësh një model etik dhe estetik të trajtimit të letërsisë: etik dhe estetik për lexuesin shqiptar dhe të huaj.


I pari i mësuar me përjashtimet dhe me subjektivizmin klanor dhe ideologjik do të gjejë tek mendimi kritik i Koliqit tablonë e plotë (ndonëse subjektive) dhe jo hierarkinë e cunguar të letërsisë shqipe.


I dyti do të gjejë një histori të shkurtër, por domethënëse të letërsisë shqipe në penën e një prej përfaqësuesve më të shquar të saj.
Koliqi është autor i "Gjurmat e stinëve", "Hija e Maleve", "Pasqyrat e Narçizit", "Tregtar flamujsh", "Shija e bukës mbrume" etj.

"Mundësi", Mickey Rourke në Tiranë


Këtë javë, në kinemanë më të re të qytetit, kinemanë "Kristal", shfaqet filmi amerikan
"Mundësi", i regjisorit Darren Aronofsky, me protagonist aktorin Mickey Rourke. Në rolet të tjerë interpretojnë Marisa Tomei, Evan Rachel Wood dhe Ernest Miller.


Filmi ka fituar "Luanin e Artë" në Festivalin e Filmit në Venecia, në 2008-ën. Po në këtë kinema shfaqen edhe "Instinkti i vdekjes 1", "Madagscar 2" dhe "Kung Fu Panda".


 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›