Rama: Qeveria s'bëri asgjë për Lezhën
Kryetari i PS-së premtoi se programi i PS-së ofron zgjidhje edhe për problemet Lezhës
LEZHË- Kryetari i PS-së, Edi Rama, prezantoi dje në Lezhë kandidatët për këtë qark, përmes një tubimi të zhvilluar në sheshin kryesor përballë Pallatit të Kulturës. Për kryesocialistin Rama, qeveria aktuale nuk solli asnjë ndryshim në Lezhë.
Ai sqaroi se Lezha është një zonë që zhvillohet nga bujqësia dhe turizmi, por të dy këta sektorë përballen me probleme të shumta, kjo sepse, sipas tij, interesi i qeverisë së Kryeministrit Berisha është i përqendruar atje ku janë interesat e ngushta të të afërmve të tij, dhe jo interesi i komunitetit.
Sipas Ramës, ndonëse Lezha ka resurse të mëdha për të zhvilluar një turizëm elitar, duke thithur mjaft turistë të huaj, ai dergjet me një turizëm ditor dhe që frekuentohet kryesisht nga vetë banorët.
"Përkrahja që duhet të këtë ky lloj sektori është pasqyruar në programin elektoral të Partisë Socialiste, pasi është përgatitur duke bashkëbiseduar pikërisht me ata njerëz që mbajnë familjet e tyre me këtë biznes dhe kanë treguar probleme që ata kanë dhe për të cilat duhet një zgjidhje e menjëhershme",- tha Rama.
Kryetari i opozitës ka shtuar se fshati është një pikënisje për qeverinë socialiste, që do të dalë pas zgjedhjeve të qershorit, duke e përkrahur dhe mbështetur me të gjitha mënyrat fshatarin, e nëpërmjet tij për ti dhënë hov zhvillimit të bujqësisë.
Një tjetër pikë e prekur nga kreu i opozitës, Edi Rama, ka qenë edhe pamundësia e shqiptarëve për të lëvizur të lirë në shtetet e Bashkimit Europian, dhe kjo, sipas tij, ka ndarë shqiptarët, duke u mohuar atyre të drejtën për të qenë pranë dhe me familjet e tyre. "Me ardhjen e socialistëve në pushtet, kjo lëvizje e lirë do të realizohet brenda vitit 2010 dhe ky nuk është premtim, por kusht i realizueshëm për një qeveri që do të punojë për shqiptarët", - shtoi ai.