Belinda, sërish ‘ministre’ te Transportet. Ja investigimi i Fiks Fare

Edhe pse zyrtarisht është shkarkuar nga detyra e zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, emri i Belinda Ballukut vijon të përmendet si ministrja reale e Transporteve nga drejtues të institucioneve në varësi të kësaj ministrie.
Gjatë një investigimi të emisionit “Fiks Fare”, ku gazetarja u prezantua si person në kërkim të një vendi pune dhe si “mikeshë e Belës”, disa drejtues institucionesh flasin për Ballukun si “shefe” dhe i referohen ndikimit të saj në emërime dhe punësime.
Maksim Et’hemaj, Drejtor Ekzekutiv i Autoritetit të Aviacionit Civil Shqiptar, shprehet se një punonjëse e mediave do të zëvendësohej nëse këtë do ta kërkonte Balluku.
PJESË NGA BISEDA/
Maksim Et’hemaj: Mirëmëngjes, çfarë bëhet?
Gazetarja: ǒthua ti, kur po diskutoja, se unë herë pas here takohem me shefen (Belinda Ballukun), edhe i thashë: “Aman, se jam mërzitur shumë aty”. Me aq sa fola, më bëri një rezyme të përgjithshme, që është një vend shumë i mirë që e shoh për ty, për koordinimin e mediave.
Maksim Et’hemaj: E kam!
Gazetarja: E ke?
Maksim Et’hemaj: Te pjesa këtu e mediave është mikeshë e Belës. Nëse Bela të thotë ty: “Do ta heq atë dhe do të të vë ty”, shumë mirë, më vjen mirë që ke kontakte. Këtu e kam një të mediave, nëse Bela do ta heqë, për mua është thjesht një emër.
Gazetarja: Mos u shqetëso fare.
Maksim Et’hemaj: Jo, “care” shumë është për njerëzit që thotë Bela, e ke gabim.
Gazetarja: Po Bela do thotë, fut edhe 10 të tjerë, çfarë do bësh ti pastaj?
Maksim Et’hemaj: Ato vendet që i kam jo teknike, të atyre janë. Se unë nuk kam interes fare.
Edhe Sokol Zaimi, drejtor i ISHT, flet për rëndësinë që, sipas tij, ka marrëdhënia me Ballukun.
Sokol Zaimi: Pa merak, nëse je mikeshë e shefes, je dhe e imja.
Gazetarja: Unë nuk e kam idenë fare se çfarë bëhet këtu me vendet vakante ose si jeni ju, me punët mirë? Ju kanë ngacmuar tani?
Sokol Zaimi: Këtë punë kemi ne tani, na ngacmojnë, na lënë rehat. Të kemi shefen mirë, ajo është e rëndësishme, pa ne ushtarë jemi. Ushtarët zëvendësohen kollaj, mbretëresha nuk zëvendësohet dot.
Sponsorizuar
Gazetarja: Po mbretëresha është…
Ndërkohë, Rapush Tola, drejtor i Autoritetit Kombëtar për Sigurinë dhe Emergjencat në Miniera, i sugjeron gazetares që për një mundësi punësimi të kontaktojë Ballukun.
Gazetarja: Nuk e di hapësirën dhe mundësinë, qoftë edhe për koordinatore e projekteve të brendshme ose të jashtme, ose përfaqësuese të raporteve që kanë mediat. Dua të jem dhe pak më e lirë.
Rapush Tola: Këtu është, nuk besoj se gjen. Është institucion shumë i vogël, ky ka gjithsej 47 veta në organikë. Ne kemi vetëm një në Ministri që është me mediat. Me atë komunikojmë kur kemi ndonjë gjë për të thënë.
Gazetarja: Me Infrastrukturën?
Rapush Tola: Po.
Gazetarja: Jeni vartës të atyre. Tani ju vareni nga ministri?
Rapush Tola: Po, ne varemi direkt nga ministri. Bela e ka emëruar vetë atë (ministrin Enea Karakaçi). Thuaji (Belindës) të të rregullojë atje (MIE), i ka rrogat e mira, se vret mendjen, qetësohesh shpirtërisht. Po besoj, po të gjesh ndonjë mundësi që ajo (Belinda Balluku) t’i çojë ndonjë sinjal (Karakaçit). Edhe ajo ka hallet e veta, se i janë turr të gjithë si qen. Me Enean si i ke lidhjet, me ministrin?
Gazetarja: Me ministrin e kam shumë të mirë.
Rapush Tola: Është djalë i mirë Enea.
Gazetarja: Se di si i ka marrëdhëniet me Belën Enea.
Rapush Tola: Po Bela e vuri aty. Enea është djalë i mirë, po pate marrëdhënie, shko takoje. Se ai me Belën, Bela e ka çuar aty atë, mbase thotë ndonjë llaf. a.b