DITA 121/ Me flakadanë në duar, protestuesit në qytetin ‘Studenti’: “Arrestoni Ramën”

Pas përfundimit të fjalimeve para Kryeministrisë, protestuesit kanë vijuar marshimin në rrugët e Tiranës, në ditën e 121-të të protestave kundër qeverisë.
Me flakadanë në duar dhe pankarta, qytetarët kanë marshuar në akset kryesore të kryeqytetit, ndërsa kanë jehuar thirrjet “Ju erdhi fundi”, “Arrestoni Ramën” dhe “Revolucion”.
Protestuesit kanë bërë të ditur se dorëheqja e kryeministrit Edi Rama mbetet një kërkesë e panegociueshme.
Protesta ka bërë bashkë sërish qytetarë nga shtresa të ndryshme të shoqërisë, mes tyre fëmijë, të moshuar, studentë, profesionistë dhe aktivistë.
Më pas, protesta është zhvendosur drejt Qytetit Studenti, ku protestuesit kanë vijuar marshimin me thirrje për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, ndërsa në qendër të tubimit janë vendosur studentët dhe të rinjtë.
“Erdhën studentët”, “Studentë bashkohuni, kombi na thërret”, “Rama jep dorëheqjen” dhe “Revolucion” kanë qenë disa prej thirrjeve që kanë shoqëruar marshimin.
Qyteti Studenti është kthyer kështu në një prej ndalesave të protestuesve, të cilët kërkojnë përfshirjen e të rinjve në protestën që tashmë ka hyrë në muajin e pestë.
Protesta qytetare ka mbërritur në ditën e 121-të dhe organizatorët kanë paralajmëruar vijimin e tubimeve dhe marshimeve në kryeqytet.