“Belle Air” fut në linjë 3 avionë “Airbus A320” dhe 1 “ATR 72-500”
Kompania “Belle Air” sh.p.k. prezantoi dje në ambientet e hotel “Sheraton” futjen në linjë të 3 avionëve “Airbus A320” dhe 1 avion “ATR 72-500” i sapodalë nga fabrika. Në këtë ceremoni mori pjesë edhe Kryeministri i vendit, Sali Berisha. “Belle Air” u krijua në qershor të vitit 2005 dhe e filloi aktivitetin e tij më 1 mars 2006, fillimisht me një avion tip “MD82”, duke fluturuar në 7 destinacione në drejtim të Italisë. Në më pak se 4 vjet, “Belle Air” është bërë tashmë një faktor i rëndësishëm në zhvillimin e Aviacionit Civil Shqiptar, duke përmirësuar ndjeshëm fluturimet e tij nëpërmjet Tiranës dhe Prishtinës me Evropën në bazë të një strategjie "Low Cost".
Aktualisht “Belle Air” fluturon në 24 destinacione të ndryshme. Kjo kompani realizon më shumë se 43 për qind të lëvizjes së pasagjerëve nga, dhe për në aeroportin e Tiranës. Mendohet që deri në fund të vitit “Belle Air” të transportojë rreth 630.000 pasagjerë.
Për të gjitha këto arritje e për të tjera akoma, “Belle Air” kishte ftuar në këtë ceremoni personalitete të shumta të fushës së aviacionit nga Evropa dhe bota, ku rreth 30 prej tyre kishin konfirmuar më parë pjesëmarrjen në këtë ngjarje të shënuar për kompaninë. Në ceremoni ishin të pranishëm personalitete të larta nga qeveria, nga Ministria e Transportit, nga institucionet aeroportuale brenda dhe jashtë vendit, nga bota e biznesit, nga grupet e ndryshme të interesit, nga shoqëria civile, si dhe nga mediat e shkruara dhe ato elektronike. “Duke pasur gjithnjë si detyrë të tij parësore shërbimin dhe kujdesin e plotë ndaj klientëve të tij, me futjen në linjë të këtyre avionëve, “Belle Air” do t'u krijojë më shumë konfort pasagjerëve duke mbajtur një standard të lartë, gjë të cilën, ai do ta çojë akoma më përpara, me projektet e tij në të ardhmen”, - tha në fjalën e tij drejtori i Përgjithshëm i “Belle Air”.