Prifti: Investimet e huaja, rëndësi për zhvillimin dhe integrimin e vendit
Në eventin e Shoqatës së Investitorëve të Huaj, ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, z. Dritan Prifti, gjatë fjalës së tij theksoi rëndësinë e tërheqjes së investimeve të huaja në vend. Ministri falënderoi pjesëmarrësit dhe u shprehu gatishmërinë e tij për një bashkëpunim sa më të suksesshëm. “Kontributi juaj në Shqipëri është i padiskutueshëm si një urë lidhëse në zhvillimin e dialogut ndërmjet biznesit dhe qeverisë. Kemi nevojë të dëgjojmë nevojat tuaja, të debatojmë për çështjet që ju prekin, në mënyrë që të mundemi të bëjmë politika ekonomike sa më efektive”, - tha Prifti. Ai nënvizoi se qeveria shqiptare ka ndërmarrë një sërë reformash në favor të zhvillimit të biznesit dhe investimeve. “Nëse objektivi madhor për katër vitet e ardhshme do të jetë ai i integrimit, ky objektiv do të bëhet i mundur vetëm nëpërmjet thellimit të mëtejshëm të reformave që përmirësojnë klimën e biznesit dhe të investimeve. Tërheqja e Investimeve të Huaja është e një rëndësie vendimtare për sigurimin e ritmeve të larta për zhvillimin dhe integrimin e vendit”, - theksoi ai. Gjithashtu, z. Prifti vuri në dijeni të gjithë pjesëmarrësit për përgatitjen e ligjit për sigurinë ndaj pronësisë. “Ky ligj do të sigurojë rritjen e investimeve të huaja dhe sigurinë politike afatgjatë në vend”, - theksoi ai. Edhe pse vendet e zhvilluara të Evropës janë prekur nga kriza ekonomike gjatë kësaj periudhe, Shqipëria po zhvillohet falë tërheqjes së investimeve të huaja të përmasave të mëdha. “Tani fokusi ynë kryesor do të përqendrohet në tërheqjen e “Green field investments”, duke zhvilluar më tej skemat e partnershipit publik - privat dhe drejt zhvillimit të zonave ekonomike dhe parqeve industriale”, - tha Prifti. Ai bëri me dije se qeveria ka shpallur krijimin e 6 parqeve industriale, ku me ngritjen e tyre jo vetëm do të ndikojë në rritjen e vlerës së IHD, por industritë e instaluara në këto parqe, do të ndikojnë në rritjen e punësimit dhe prodhimit për eksport.