E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Bellingam, drejt Realit të Madridit

Reali i Madridit ka arritur një marrëveshje me Borusian e  Dortmundit, për blerjen e Xhjud Bellingamit për një shumë të përgjithshme që kapërcen 100 milionë Euro. Sipas mediave ndërkombëtare, 19-vjeçari pritet t’u nënshtrohet testeve mjekësore në ditët në vijim. Ky lajm u konfirmua të mërkurën pasdite edhe nga vetë klubi i Dortmundit, ndonëse në një mënyrë pak të paqartë. Në një deklaratë për shtyp, klubi gjerman sqaroi se një çmim prej 103 milionë Eurosh ishte rënë dakord me Realin e Madridit, me mundësinë e 30 milionë eurove të tjera në pagesa shtesë.

Por Borusia ka konfirmuar se nuk ka zyrtarisht një marrëveshje, pasi vetëm futbollisti nuk e kishte nënshkruar ende kontratën. Mançester Siti dhe Liverpuli ishin përfolur më herët në lidhje me interesimin për futbollistin e përfaqësueses së Anglisë. Bellingami erdhi nga Birmingami tek Dortmundi në 2020-ën dhe është shndërruar në një nga mesfushorët më të kërkuar të Evropës.

Ai ka shkëlqyer me gjermanët në Ligën e Kampioneve dhe ishte një lojtar kyç, edhe pse Borusia e Dortmundit e humbi titullin në mënyrë të pabesueshme në minutat e fundit të sezonit që sapo u mbyll në Bundesligë. Bellingam debutoi për Anglinë pas kalimit te Dortmundi dhe ishte titullar në përfaqësuesen e “3 Luanëve” të trajnerit Gareth Sauthgejt në Botërorin e 2022-shit.

Tek Reali i Madridit ai do t’i bashkohet një mesfushe që ka në përbërje Luka Modriçin, Federiko Valverden, Toni Krosin dhe Oreliën Tshuamenin. Kujtojmë se 19-vjeçari është nën kontratë deri më 2025-ën tek Dortmundi. Xhjudë Bellingami ka luajtur më shumë minuta, 2,691, se çdo lojtar tjetër i Dortmundit në këtë sezon të Bundesligës, duke realizuar edhe 14 gola në të gjitha veprimtaritë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›