E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Çela: Gjirokastra, me nivelin më të lartë të kriminalitetit, Berati me më të ulëtin! Rritet numri i të pandehurve për korrupsion

Qarku i Gjirokastrës ka nivelin më të lartë të kriminalitetit në vend. Kështu deklaroi Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, gjatë raportimit në Komisionin për Çështjet Ligjore, teksa shtoi se qarku me nivelin më të ulët të kriminalitetit është Berati, me koeficient të kriminalitet nën mesataren kombëtare.

Po ashtu Çela shtoi se Shkodra nga ana tjetër paraqet tendenca në rritje të kriminalitetit.

“Në vitin 2022, përqindjen më të ulët të kriminalitetit për 100.000 banorë e ka qarku Berat, ndërsa përqindjen më të lartë e ka qarku Gjirokastër. Sa i përket tendencës, vërehet se rritjen më të lartë e ka qarku Shkodër me 10,64 %, ndërsa qarku Berat ka koeficient të kriminalitetit nën mesataren kombëtare, që rrezulton me ulje 25,09 % krahasuar me vitin 2021”, u shpreh Çela.

Sa i përket korrupsionit, Çela bëri me dije se ka një rritje me 114.9% të numrit të të pandehurve të dërguar për gjykim, krahasuar me vitin 2021. Po ashtu është rritur me 3.7 herë më shumë, nga 19 në 91, numri i personave të dënuar për korrupsion.

“Për veprat penale të korrupsionit në kompetencë lëndore të prokurorive të juridiksionit të përgjithshëm, efektiviteti vijon dukshëm i lartë, 91,35 % e çështjeve janë dërguar për gjykim dhe 8,65 % e çështjeve janë pushuar. Referuar të dhënave statistikore për këtë grupvepra, janë regjistruar 262 procedime penale me 201 të pandehur dhe 169 procedime me 187 të pandehur janë dërguar për gjykim, ose krahasuar me vitin 2021 me rritje 162 % të numrit të procedimeve të regjistruara, dhe me rritje 212.9 % të numrit të procedimeve dhe rritje 114.9 % të numrit të pandehurve të dërguar për gjykim për këto vepra penale, si dhe me rritje mbi 3.7 herë (nga 19 në 91) të numrit të personave të dënuar për vepra penale kundër korrupsionit”, u shpreh Çela.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›