E Diel, 1 Nëntor 2026

Bello: Nuk do ta djeg mandatin, në janar në Kuvend

23/12/2009  PS e nis 2010-n me thyerjen e bojkotit
Një veprim i tillë do të ndiqet nga të tjerë ligjvënës
Janari i vitit të ardhshëm do të shënojë thyerjen e vendimit të Partisë Socialiste për të bojkotuar Parlamentin. Është ligjvënësi socialist Marko Bello që do t’i japë goditjen e parë një vendimi të tillë, duke u pasur dhe nga të tjerë deputetë të PS-së. I njohur si një nga kritikët e ashpër të kryetarit të PS-së, deputeti Bello deklaroi dje se në janar të vitit 2010 do të kthehet në Kuvend. Ndalur te bojkoti parlamentar i PS-së si dhe në aksionin politik të saj, Bello i cilësoi si një histeri kolektive, që dëmton interesat e vendit. “Nuk ka një dokument zyrtar, përfshi dhe Kushtetutën e vendit, që është ligji mbi ligjet, të parashikojë bojkotin. Bojkoti është një formë e përkohshme, e cila synon një qëllim të caktuar. Është përdorur edhe më përpara nga PS-ja në kushte krejt të tjera, në kushte të justifikuara. Është përdorur edhe nga PD-ja në kushte të ekzagjeruara”, - vuri në dukje Bello. Sipas tij, ka ardhur koha t’i jepet fund bojkotit. “Nuk është rruga që na çon atje ku duam të arrijmë. Bojkoti, për fat të keq, të jep përkohësisht një lloj mbështetje të militantëve, elektrizon përkohësisht një pjesë të qytetarëve. Sot dëgjova zëra në PS se është baza ajo që kërkon që ne të ngelemi jashtë Parlamentit, por unë do të pyesja: po roli i elitave dhe udhëheqjes ku është? Nëse ne duam të themi se kështu na kërkohet dhe ne nuk jemi në gjendje t’i sqarojmë, t’u shpjegojmë njerëzve pse bojkoti është i dëmshëm, pa diskutim që njerëzit do të inkurajonin bojkotin”, - vuri në dukje deputeti i PS-së. Nga ana tjetër, duke mos pranuar mënyrën se si po e argumenton lidershipi i PS-së qëndrimin jashtë Kuvendit, Bello nënvizoi se “është e lehtë të bësh të zemëruarin, është e lehtë të bësh qejfmbeturin dhe të braktisësh institucionet, por nuk fiton asgjë. Atëherë duhet kthyer në Parlament”. Për këtë arsye deputeti i PS-së, përfaqësues i lëvizjes për mendimin ndryshe në këtë parti, bëri me dije se nuk do ta djegë mandatin e tij. “Unë e kam thënë dhe e përsëris se nuk kam ndër mend ta djeg mandatin që më kanë dhënë qytetarët shqiptarë. Do të hyj në Kuvend pa diskutim. Shpresoj të jem së bashku me kolegët e mi”, - vuri në dukje Bello lidhur me këtë çështje. Për ta bërë sa më të qartë gjykimin e tij mbi situatën në të cilën është përfshirë kampi opozitar, Bello u shpreh se “nuk dua të ndodhë ajo që e ka parashikuar shumë bukur Hasheku te libri i tij i famshëm ‘Ushtari i mirë Shvejk’, i cili thoshte: ‘Mirë që u çmendën të gjithë gjeneralët e perandorisë, po pse u çmendën në të njëjtën kohë?’ Nuk dua të ndodhë të kemi një histeri kolektive. Shpresoj që PS-ja të gjejë arsyen për t’u kthyer në Parlament. Unë personalisht do të kthehem në Parlament.” Në këtë mënyrë, tashmë një prej deputetëve të PS-së pritet të thyejë bojkotin, por një veprim i tillë ka gjasa të ndiqet dhe nga të tjerë ligjvënës, kryesisht përfaqësues të mendimit ndryshe në PS.
Klosi për mandatet
Sekretari organizativ në selinë rozë, njëkohësisht deputet i PS-së, Blendi Klosi, pati deklaruar pak kohë më parë në një intervistë televizive se grupi parlamentar socialist do të futet në Kuvend brenda afatit kushtetues të skadimit të mandatit për të bërë të mundur vlefshmërinë e mandateve. “Ky është një qëndrim që e kemi thënë edhe më përpara. Për të mos djegur mandatin që na ka dhënë elektorati, ne do të hyjmë në Kuvend para afatit kushtetues, domethënë para datës 7 mars të vitit 2010”, - pati vënë në dukje Klosi. Duke folur për mënyrën që do të ndjekë opozita për të mos djegur mandatet e fituara në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit, deputeti socialisti theksoi se hyrja në Parlament do të jetë vetëm për procesin e betimit dhe gjithçka do të vijojë sipas qëndrimit zyrtar. “Ne e kemi thënë se nuk e njohim këtë parlament, por mund të bëjmë betimin dhe të protestojmë sërish për transparencën e zgjedhjeve”, - u shpreh sekretari i organizativ në selinë rozë. Ndërkohë, edhe pse do të ndërmerret një veprim i tillë, Klosi pati sqaruar më tej se opozita do të vazhdojë në rrugë demokratike largimin e Berishës me zgjedhje të parakohshme, megjithëse më parë kërkohej hapja e kutive, në rast të kundërt largimi i kësaj qeverie është i paevitueshëm.
Apeli i Mendimit Ndryshe
Lëvizja për Mendimin Ndryshe në Partinë Socialiste ka insistuar në vijimësi në kërkesën e saj për t’u kthyer në Kuvend. Këtë kërkesë deputetët socialistë të njohur si kundërshtarë të kreut Rama ia patën drejtuar lidershipit socialist në formën e një rezolute, ku nisur nga vetë momentet e rëndësishme për vendin kanë kërkuar hyrjen e grupit parlamentar të PS-së në sallën e Kuvendit që të hënën e ardhshme. U kërkojmë të gjithë deputeteve të opozitës të rishikojnë vendimin për bojkotin e Kuvendit për të qenë prezentë në seancën kuvendore të datës 16 nëntor 2009 (me rastin e marrjes se vendimit të KE-së lidhur me aplikimin e Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Europian), me synimin për ta bërë grupin kuvendor të opozitës pjesëmarrëse në këtë moment të rëndësishëm për Shqipërinë dhe shqiptarët dhe për të demonstruar se opozita aktuale, ashtu si në të kaluarën, edhe në të tashmen e në të ardhmen në drejtimin e vendit ka vendosur sistematikisht dhe vendos interesat madhore të Shqipërisë e të shqiptarëve mbi gjithçka, duke synuar njëkohësisht të arrijë pa kompromis e me konsensus standardet europiane dhe të plotësojë të gjitha detyrimet që rezultojnë nga ky proces përmes pjesëmarrjes së saj aktive dhe veprimeve konstruktive institucionale”, - thuhej në rezolutë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›