E Diel, 1 Nëntor 2026

Vidhen paratë e komunës Gjegjan të Pukës

23/12/2009  Grabitësit morën 2 milionë lekë
SHKODER- Burimet policore bëjnë të ditur se në orët e para të ditës së djeshme janë vjedhur paratë e komunës Gjegjan të rrethit Pukë. Nga hetimet paraprake dhe deklarimet e zyrës së financës së komunës Gjegjan ka rezultuar se janë vjedhur 2 milionë lekë të reja. Nga këqyrja e vendit të ngjarjes është konstatuar se hajdutët kanë shfrytëzuar dritaren e pasme të ndërtesës së komunës për të hyrë në ambientet e saj, ku dhe kanë vjedhur paratë. Vjedhja është konstatuar nga vetë punonjësit mëngjesin e sotëm, kur kanë dalë në punë. Pas këtij konstatimi, drejtuesit e komunës në fjalë kanë lajmëruar policinë dhe kanë bërë denoncimin përkatës. Menjëherë pas lajmërimit në vendngjarje ka mbërritur grupi hetimor nga policia e Pukës si dhe grupi i punës kundër krimit ekonomik nga Drejtoria e Policisë së qarkut Shkodër. Të njëjtat burime shprehen se ende nuk është arritur të identifikohen autorët, ndërkohë që mendohet se hajdutët mund të kishin pasur informacion nga punonjës të brendshëm për vendndodhjen e parave në komunën Gjegjan. Vjedhja e shumës në fjalë pritet të lërë pa para pensionistët dhe punonjësit e administratës.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›