Vdes nga infarkti, duke drejtuar automjetin
23/12/2009 Mjeti po lëvizte në kahun e kundërt
FIER- Vdes duke drejtuar automjetin e tij tip Benz me targa të Fierit në qendër të qytetit të Fierit 52-vjeçari. Një banor i qytetit të Fierit është gjetur i vdekur brenda automjetit të tij tip Benz, ndërsa ka qenë duke drejtuar automjetin e tij. Ngjarja e rrallë ka ndodhur rreth orës 14 të ditës së djeshme në qendër të qytetit të Fierit, në cepin e ish-Turizmit të Fierit. Shtetasi Sofokli Dhano banor i qytetit të Fierit është gjetur i vdekur brenda në automjet nga disa kalimtarë të rastit kur panë të çuditur lëvizjen e fundit jo normale të automjetit. Automjeti ka qëndruar në kahun e kundër të lëvizjes dhe kalimtarët e rastit kanë gjetur brenda në makinë me kokën në timon 52-vjeçarin. Menjëherë është lajmëruar policia, e cila ka mbërritur në vendngjarje, ka bërë këqyrjen e kufomës dhe ka kryer veprimet e para procedurale. Dërgimi në spital i 52-vjeçarit ka qenë pa dobi. Ai ka vdekur në vend në automjet sipas mjekut ligjor nga infarkti i miokardit, pra sëmundja e zemrës, e cila i ka shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Materialet iu dërguan Prokurorisë së rrethit për hetime të mëtejshme.