Bënë fushatë në aktivitete publike, Celibashi kërkon gjobitjen e Armando Subashit dhe 2 kryebashkiakëve të tjerë

3 kryetar bashkie dhe 7 persona përgjegjës për raportimin e veprimtarive publike në 10 bashki të vendit janë kërkuar nga KQZ që të gjobiten për thirrje të natyrës elektorale dhe zgjedhore në aktivitetet publike të këtyre institucioneve.
KQZ kërkon gjobitjen me 10 mijë lekë të kryetarit të Bashkisë Fier, Armando Subashi, kryetarit të Bashkisë Përrenjas, Nuri Belba dhe kryetarit të Bashkisë Librazhd Kastriot Gura. Këta akuzohen nga KQZ për përdorim të burimeve njerëzore, financiare dhe logjistike të administratës shtetërore para zgjedhjeve.
Gjithashtu KQZ kërkon gjobitjen me 5 mijë lekë edhe të 7 personave përgjegjës për raportimin e veprimtarive publike, konkretisht në Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit, në Bashkinë Poliçan, në Bashkinë Skrapar, në Bashkinë Roskovec, në Bashkinë Lezhë, në Bashkinë Bulqizë dhe në Bashkinë Elbasan.
KQZ sqaron se në drejtim të tyre kanë ardhur 20 denoncime, ku në aktivitetet publike të këtyre institucioneve janë bërë deklarata elektorale, e ndaluar me ligj nga Kodi Zgjedhor.
Për këtë arsye KQZ i ka kërkuar Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve për vendosje të sanksioneve administrative ndaj tyre. Rtsh.al mëson se kjo kërkesë është marrë në shqyrtim nga KAS dhe do dalë me një vendim në mbledhjen e radhës.
Kerkesa Nr 11 e Komisionerit Per KAS by Rtsh Faqe on Scribd
/rtsh.al/