Hetimet e Ahmetajt dhe dekretimi i kreut të SHISH, Rama “mbyll gojën”: Nuk merrem me thashetheme

Nuk ndodh shpesh që kryeministri Edi Rama të dalë para gazetarëve për të njoftuar vendimet që merren në tryezën e këshillit të ministrave.
Janë ministrat të cilët thuajse çdo javë dalin para godinës së kryeministrisë të njoftojnë vendimet e qeverisë dhe të sqaruar efektet e tyre. Pse jo dhe për tju përgjigjur pyetjes së gazetarëve lidhur me situatën ekonomike apo politike të vendit.
Dalja e fundit ishte më 28 shtator 2022 ku njoftoi rritjen e pagës së policëve, sot njoftoi shpërblimin për pensionistët me 5 mijë lekë muajin e ardhshëm dhe premtimin një reformim të pagës mesatare deri në 900 euro në harkun e këtyre 2 viteve, pra 2023, 2024.
Por a është kjo në shkelje të Kodit Zgjedhor i cili nuk lejon që qeveria 4 muaj përpara zgjedhjeve të bëjë shpërblime të tilla, të ulë taksat dhe të ndikojë në mënyrë tek qytetarët?
Rama thotë se nuk kanë lidhje me Kodin Zgjedhor, por “se janë zotime që janë marrë denbabaden nuk kanë asnjë lidhje me zgjedhjet”
“Ne nuk mund tu themi pensionistëve që nga taksa e jashtëzakonshme që mblidhet tani në fund të marsit ju nuk mund të merrni gjë se janë ca zgjedhje vendore dhe do prisni 4 muaj, se kështu kanë vendosur së bashku partitë në ato kinezeritë e tyre për të bërë sisteme që janë të panjohura në botë.
Ne i respektojmë ato kinezeri që i kemi bërë vetë, nuk ka asnjë diskutim, por kjo nuk mundet dot as t’i shkojë në mend njeriu se mund të na pengojë ne që të shpërblejmë pensionistët në kushtet kur për pensionistët jo 5 mijë lekë të reja plus por edhe 1 mijë lekë të reja plus janë të rëndësishme, siç e dimë mirë të gjithë” tha kryeministri, Rama.
Ndërkohë “mbylli gojën” para gazetarëve kur erdhi momenti për tiu përgjigjur pyetjeve lidhur me hezimitin e presidentit për dekretimin e kreut të SHISH.
I quajti thashetheme politike dhe mediatike të cilat kishte vendosur të mos i përgjigjej.
Kryeministri Edi Rama: Nga unë mësohuni të dëgjoni pagat, pagat, pagat, ekonomia, ekonomia, ekonomia, mirëqenia e njerëzve, mirëqenia e njerëzve, mirëqenia e njerëzve dhe transformimi i përgjithshëm dhe modernizimi i vendit tonë. Kurse këto pastaj, thashethemet e katundit tonë politik dhe mediatik i kemi bërë bashkë për shumë vite, unë nuk kam as dëshirë, as energji, as nevojë dhe mbi të gjitha as kohë për t’u marrë me këto.
Ish numri dy i qeverisë së Ramës tashmë po hetohet nga SPAK me katër akuza.
Pyetjes së gazetarëve nëse do të merrte vendim politik për Arben Ahmetaj, Rama iu përgjigj: ”Kjo është pjesë e këtyre thashethemeve”
/rtsh.al/