Nisma Thurje ankimon vendimin: Na regjistroni si subjekt zgjedhor dhe kandidatin tonë për Bashkinë Dropull

Nisma Thurje ka ankimuar vendimin për mosregjistrimin si subjekt zgjedhor dhe rrjedhimisht për mosregjistrimin të kandidatit të saj të vetëm për kryetar bashkie, Kosta Garo për Bashkinë Dropull të qarkut të Gjirokastrës.
Nisma Thurje argumenton se ka dorëzuar dokumentet në KZAZ nr 82 në Bashkinë Dropullit, më 27 mars 2023 për regjistrimin në zgjedhjet e 14 majit, por kjo gjë nuk ka ndodhur. Në argumentin e KZAZ, thekson Nisma Thurje, nuk thuhet që ka mungesë dokumentacioni pasi do ishte paraqitur në procesverbal.
“Nuk ka asnjë argument pse anëtarët e KZAZ kanë vendosur që subjekti Partia Nisma Thurje të mos regjistrohet në këto zgjedhje. Edhe në rast se KZAZ do të kishte vërejtur parregullsi, subjektit zgjedhor do duhej t’i kërkohej plotësimi i dokumentacionit, gjë që nuk ka ndodhur”, thuhet në ankimimin e Nismës Thurje.
Për këtë arsye Nisma Thurje kërkon regjistrimin e saj si subjekt zgjedhor dhe të kandidatit të saj. Gjatë shortit të hedhur në KQZ relator i kërkesës ankimore të Nismës Thurje u caktua Elvis Çefa.
K. Ankimore Nr. 39 (Nisma Thurje, KZAZ) by Rtsh Faqe on Scribd
Gjithashtu një tjerët kërkesë ankimore u paraqit nga Qendra “Qëndresa Qytetare” një organizatë jofitimprurëse, ku kërkon gjobitjen e ministres së Shëndetësisë Ogerta Manastirliu me vlerën 90 mijë lekë lidhur me një aktivitet në përurimin e investimeve në Spitalin e Lezhës.
Sipas Qendrës “Qëndresa Qytetare” thuhet se ministrja ka përdorur burimet publike në mbështetje të PS për qëllime elektorale. Relator për shqyrtimin e kësaj çështje është caktuar Ledio Braho.
K. Ankimore Nr. 38 (Qendresa Qytetare) by Rtsh Faqe on Scribd
/rtsh.al/