Benedikti XVI: Kush ndjek leksionin e Galileut, e ngre vështrimin drejt Krijuesit të gjithçkaje
“Kush e sheh kozmosin, duke ndjekur leksionin e Galileut, nuk mund të ndalet vetëm në atë që vëzhgohet me teleskop, duhet të shkojë përtej, për ta pyetur veten rreth kuptimit dhe qëllimit të krejt Krijimit”. Ky është thelbi i mesazhit që Papa Benedikti XVI i dërgoi dje Universitetit Papnor Lateranens, me rastin e konferencës me temë: “Nga teleskopi i Galileut në kozmologjinë evolutive. Shkenca, filozofia dhe teologjia në dialog”. Ky takim zhvillohet në kuadrin e Vitit Ndërkombëtar të Astronomisë, për të kremtuar 400-vjetorin e zbulimit të teleskopit. Papa përshkruan habinë dhe emocionin e Galileut, kur 400 vjet më parë, në vitin 1609, drejtoi për herë të parë në qiell teleskopin, “ndërtuar prej meje – thoshte atëherë shkencëtari pizan – i ndriçuar nga Hiri Hyjnor”. Shkenca ndryshoi një herë e përgjithmonë. Galileu, shpjegon Ati i Shenjtë në mesazh, nuk i bëri vetes thjesht pyetjen si të shoh yjet, por donte të dinte origjinën e universit. E vetë universi na shtron përpara pyetje, përgjigjia e të cilave nuk gjendet vetëm përmes shkencave. Galileu, i mahnitur para kozmosit të krijuar shkruante: “Zoti e ka shkruar librin e natyrës në formën e gjuhës së matematikës. E megjithatë, matematika është shpikje e shpirtit njerëzor për të kuptuar Krijimin”. Kështu, përkimi i përsosur ndërmjet strukturës objektive të universit dhe strukturës intelektuale të subjektit njerëzor, na fton të pranojmë një Inteligjencë të vetme krijuese, që i lidh këto dy realitete. Kjo Inteligjencë është Zoti, i cili e ka zbuluar veten në Jezu Krishtin, duke treguar dashurinë e pakufishme për botën.
Benedikti XVI teologëve: nëse nuk jemi të përvujtë nuk kemi asnjë mundësi për ta kuptuar Zotin/Teolog i vërtetë është ai që nuk e kërkon thjesht me inteligjencën e vet misterin e Zotit, duke e zhveshur kështu nga kuptimi figurën e Krishtit, por është i vetëdijshëm për kufizimet e veta, ashtu siç qenë shumë shenjtorë të njohur si mësues të mëdhenj. Ky ishte mendimi i shprehur sot paradite nga Papa gjatë Meshës së kremtuar me anëtarët e Komisionit Teologjik Ndërkombëtar, të cilët dje kishin mbledhjen e përgjithshme. Prototipin e teologut që di gjithçka, që e studion Shkrimin e Shenjtë, ashtu si ndokush prej shkencëtarëve studion natyrën - pra me ftohtësinë akademike, që pretendon ta copëzojë misterin dhe injoron krejtësisht shkëndijën trashendentale në të – Benedikti XVI e sheh tek skribët, që u tregojnë Mbretërve Dijetarë rrugën për në Betlehem, të Krishti Fëmijë. Këta, theksoi Papa, janë specialistë të mëdhenj. Mund të thonë se ku do të lindë Mesia, por nuk e ndjejnë shtysën për të shkuar tek Ai:
“Kështu është edhe në kohën tonë, gjatë dyqind vjetëve të fundit, vërejmë të njëjtën gjë. Ka shumë të mençur, shumë specialistë, teologë të mëdhenj e profesorë të fesë, që na kanë mësuar shumë gjëra. Kanë hyrë në detajet e Shkrimit Shenjt e të historisë së shëlbimit. Por nuk kanë arritur ta shohin vetë misterin, thelbin e vërtetë të tij: që ky Jezus ishte vërtet biri i Zotit… Mund të përmendim lehtë emra të mëdhenj të historisë së teologjisë në këta dyqind vjet, nga të cilët kemi mësuar shumë, por zemrat e tyre nuk u hapën ndaj misterit”.
Papa kritikoi ashpër këtë mënyrë studimi, që e vendos personin përmbi Hyjin. E kritikoi sidomos një lloj teologjie, difektet e së cilës i shpjegoi bukur me një imazh efikas: “Peshkohet në ujrat e Shkrimit Shenjt me një rrjetë, që lejon vetëm peshq të një mase të caktuar e kur e kapërcejnë atë, nuk mbesin në rrjetë. Kështu, edhe misteri i madh i Jezusit, i Birit të bërë njeri, reduktohet në Jezusin historik, që i paraqitur në këtë mënyrë, është me të vërtetë një figurë tragjike, një fantazëm me mish e gjak, dikush që ka mbetur në varr, që është tretur, që është me të vërtetë i vdekur”.
Por historia e Kishës është e pasur me burra e gra të aftë ta njohin vogëlsinë e tyre para madhështisë së Zotit, të aftë për të qenë të përvujtë e për këtë arësye të arrijnë te e vërteta. E nga kjo aradhe e madhe, Benedikti XVI përmendi disa emra: “Nga Bernardetë Subiru te shën Tereza e Liziësë, me një lexim të ri të Shkrimit Shenjt, jo shkencor, por duke hyrë në zemrën e Shkrimit Shenjt, deri te shenjtorët e të lumët e kohës sonë: motër Bakita, Nënë Tereza, Damian de Vëster. Mund të përmendim shumë”. Kjo është një kategori të vegjëlish, që janë edhe të mençur, edhe doktorë e profesorë, modele frymëzimi, pasi na ndihmojnë të jemi teologë të vërtetë, të cilët misteri i Krishtit i prek deri thellë në zemër. Ashtu siç ndodhi me Zojën, apo me shën Gjonin, apo me centurionin nën Kryq. E më tej, shën Pali, që me jetën e tij përmbledh simbolikisht kalimin nga dija e rreme në atë të vërtetë: “Kështu, edhe pas ringjalljes, Zoti, në rrugën për Damask, prek zemrën e Saulit, një nga dijetarët që s’shohin. Ai vetë, në letrën e parë drejtuar Timoteut, e quan veten injorant në atë kohë, pavarësisht nga shkenca që njihte. Por Zoti i gjallë e prek. Bëhet i verbër e sheh me të vërtetë. Fillon të shohë. E doktori i madh bëhet i vogël e vetëm kështu sheh se Zoti është urti, dituria më e madhe se të gjitha dijet njerëzore”.
Punimet e Komisionit Teologjik Ndërkombëtar, kryesuar nga kardinali Uiliam Levada, do të vazhdojnë në Vatikan deri të premten. Metodologjia e studimeve teologjike është një nga temat që po diskutohen.
Një delegacion i Kishës ortodokse Autoqefale të Shqipërisë në Vatikan/Një delegacion i Kishës ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, i udhëhequr nga kryepeshkopi Anastas Janullatos do të vijë për vizitë zyrtare në Vatikan. Vizita do të fillojë pasnesër, më 3 dhjetor e do të zgjasë deri më 8 dhjetor. Më datë 4, pra të premten, delegacioni do të takohet me Papën Benedikti XVI. Për këtë vizitë të dëgjojmë peshkopin ortodoks të Krujës, Andon Merdani, në mikrofonin e don David Gjugjës