“Edi Rama është modeli i regresit historik dhe social për Shqipërinë”

Reagon Zëvendësministrja e Integrimit, Jorida Tabaku
Zëvendësministrja e Integrimit, Jorida Tabaku i ka rikujtuar dhe një herë turpet e kreut të opozitës Edi Rama.
Në një deklaratë të saj dje për mediat, Tabaku u shpreh se, “Një njëri që nuk njeh familjen tregon se nuk ka asgjë tjetër për zemër, veç interesit të tij të çmendur vetjak”. Duke vijuar më tej ajo tha se, sot të gjithë shqiptarët janë njohur me faktet e rënda të dhunës të bëra publike, të cilat përbëjnë një nga faqet e turpit për Edi Ramën, që me heshtjen e tij i ka vërtetuar e pranuar plotësisht ato.
“Si grua por edhe si pedagoge, denoncoj fuqimisht dhunën dhe fshehjen e Ramës pas kornizës së privatësisë. Të nxjerrësh gruan nudo në plazh publik nuk është çështje private, por shqetësim për shoqërinë. Të godasësh bashkëshorten në prani të tjerëve nuk është çështje private por shqetësim për shoqërinë. Të mos i japësh fëmijës për 5 vjet detyrimin ushqimor dhe ta sorollatësh nëpër gjyqe është mizori e jo privatësi. Këto janë akte të dënueshme nga ligji për një shtetas të thjeshtë; ndërsa përbëjnë vepra të patolerueshme për një zyrtar në detyrë apo kryetar partie që mbahet nga kontributet e taksapaguesve”, u shpreh Tabaku.
Më tej Zëvendësministrja e Integrimi, tha se kur një njëri i tillë pa moral dhe dinjitet i ushtron këto antivlera në tempullin me të shenjtë për këdo, që është familja, shoqëria është e ekspozuar ndaj marrëzive më ç’njerëzore që mund të gjenerojë mëndja e tij perverse.
“Kreu i opozitës Edi Rama, është modeli i regresit historik dhe social për Shqipërinë. Ai nuk e njeh familjen. Një njeri i tillë tregon se nuk ka asgjë tjetër për zemër, veç interesit të tij të çmendur vetjak. Për njerëz të tillë ka kura dhe spitale. Fatkeqësia është se opozita është vënë në shërbimin më të keq dhe më të rëndomte ndaj këtij interesi. Si rezultat, nuk janë të rastit thirrjet për dhunë dhe destabilitet, pasi për mendjet perverse këto janë të vetmet mjete për t’i imponuar antivlera të tilla shoqërisë shqiptare. Por kjo nuk do të ndodhë kurrë,” tha ndër të tjera Tabaku, duke theksuar se nuk heshtim dhe as nuk do të heshtim ndonjëherë. “Asnjë grua shqiptare, prind apo edukator nuk duhet të heshtë ndaj dhunës në çfarë do lloj forme që paraqitet ajo dhe kushdo qoftë dhunuesi”, përfundoi Tabaku.