Media hitleriane dhe arkitekti i Shqipërisë europiane
Disa shkrime të botuara ditët e fundit në median e kontrolluar nga Edvin Rama, të cilat i adresohen kryeministrit shqiptar, z. Sali Berisha, janë me të vërtetë shokuese për pjesën më të madhe të qytetarëve shqiptarë. Më skandalozi midis tyre është shkrimi i një ish mësuesi të Historisë së PPSH-së në ish-Shkollën e Bashkuar, siç i adresohet një lexues në komentin tij në internet për këtë shkrim, i titulluar “Mein Kampf-i i Berishës”, i cili e krahason liderin demokrat me Hitlerin (!?) Ai e cilëson Berishën si “Hitlerin e kohës sonë”, thjeshtë për t’iu kundërvënë disa të vërtetave që lideri demokrat tha për një sërë veprimesh të turpshme të Edvin Ramës me familjarët e tij dhe artikulimit të kryeministrit për të shkulur me “darët e ligjit dhëmbët dhe dhëmballët e korrupsionit…”. Normalisht, thënie dhe etiketime të tilla si ato në artikullin e sipërcituar janë të papranueshme të dalin edhe nga goja e një komunisti ordinerë jo më të hidhen në letër nga dora e një gazetari, sado urrejtje komuniste që ai të ketë akumuluar. Ato nuk janë fjalë të gjuhës së bukur shqipe por helm i përqëndruar i një gjarpëri të tharë për ujë në mal. Me një fjalor të tillë nuk i janë drejtuar Sali Berishës në 1997-ën as banditët e ish Komiteteve të Shpëtimit Kombëtar. Si mund të flitet dhe të shkruhet në këtë mënyrë sot nga individë, prej të cilëve opinioni publik pret paanësi, të vërteta dhe inkurajim për proceset integruese? Shqetësimi këtu nuk qëndron tek tendenca punisto-mafioze për të kalitur frymën revolucionare të socialistëve shqiptarë, por të violenca e thikave pas shpine që mund t’i ngulen këtij kombi në prag të hapit përfundimtar për integrimin në familjen europiane. Shkrime të tilla inkurajojnë dhunën, trazojnë mendjet e sëmura për pushtet në rrugë antidemokratike, krijojnë paragjykime për arritjet e realizura me punë dhe reforma perëndimore, frymëzojnë opinionet diskriminuese për aftësinë qeverisëse dhe shtetformuese të shqiptarëve, cënojnë vlerat kombëtare të popullit tonë si faktor stabiliteti në rajon, apelojnë jo më për rikthimin e 1997-ës por të luftës civile midis partizanëve dhe ballistëve në 1943-1944, etj. Ndaj këtë katëgorinë e shkrues-denigruesve të pamëshirshëm të personalitetit europian të zotit Berisha, duke arritur deri sa ta krahasojnë atë me Hitlerin, unë e kam të vështirë t’i konsiderojë njerëz normalë. Por më shumë se sa të çekulibruar mendërisht ata janë të djallëzuar politikisht. Bojën në të cilën e ngjyejnë penën për të shkruar e nxjerrin nga katrani i shpirtit të tyre të zi. Veset u vijnë në ndihmë më shumë se sa virtytet, dhe mbi këtë bazë krijojnë aleancën e njerëzve problematikë për shoqërinë e civilzuar shqipëtare. Kjo është arsyeja që gënjështrën e shesin për të vërtetë dhe imoralitetin për vlerë. Nuk pushojnë së shpifuri dhe së inskenuari ndaj njerëzve të përkushtuar e të angazhuar për punë e vepra me vlera të konsiderueshme shoqërore, sikundër i janë turrur prej kaq kohësh Berishës dhe mbështetësve të tij të spikatur, duke i paraqitur publikut një tjetër personalitet ireal, i ndryshëm nga ai që është në të vërtetë, nëpërmjet goditjeve që ushtrojnë në pikat e tyre më të forta. Konkretisht, një nga pikat më të forta të liderit demokrat është edhe familja e tij shembullore, të cilën gazetarët sharlatanë e kanë vendosur prej kohësh në objektiv të sulmeve dhe akuzave të tyre amorale, duke e lakuar në të gjitha rasat togfjalëshin “familja kryeministrore”. Si mund të përgojohet pa fakte familja e kryeministrit Berisha që është një ikonë e familjes së rregullt shqiptare dhe të mbrohet po pa fakte historia e turpshme e marrdhënjeve familjare të Edvin Ramës? Gazetaria nuk është sherr rrugësh, ku mund të flitet e shkruhet me gjaknxehtësi. Ndërkohë gazetaria nuk është rreshtim interesash të pamoralshme, sikundër nuk është edhe keqintepretim i fjalimeve politike. Në këtë kuptim, ato çfarë artikuloi kryeministri Berisha ndaj Edvin Ramës lidhur me skandalet e tij në jetën familjare nuk janë sharje publike, por fraza politike, të cilat gazetarët duhet t’i zbërthejnë si duhet për qytetarët shqiptarë. Gazetarët normalë e të paindoktrinuar duhet të japin alarmin dhe të bashkohen kundër monstruoziteteve familjare të liderit socialist, duke i trajtuar ato si vese të rrezikshme shoqërore. Këmbëngulja e tij e pamotivuar për të mbajtur jashtë Kuvendit të Shqipërisë grupin Parlamentar të Partisë Socialiste është e rrezikshme për gjithë kombin dhe vendin tonë në këtë kohë integrimesh dhe përparimesh të dukshme. Ndaj nuk ka pse të mos e trajtojmë këtë qëndrim si një shfaqje e dhunimit të shoqërisë, duke braktisur bashkëpunimin institucional në të njëjtën mënyrë sikundër ka abandonuar e dhunuar edhe familjarët e tij të pafajshëm. Mitingu socialist para selisë së OSBE-së në Athinë dhe refuzimi i këshillave të ndërkombëtarëve për futjen në parlament të grupit të deputetëve të PS-së tregon dhe vesi i dhunimit të familjes nga Edvin Rama po shndërrohet në monstruozitet ndërkomëtar. Të rreshtohesh në krah të Edvin Ramës sot, do të thotë të rreshtohesh kundër interesave integruese të Shqipërisë, kundër moralit të shëndoshë të shoqërisë dhe kundër ofertës perëndimore për prosperitet kombëtar. Ne shqiptarët nuk mund të vazhdojmë ende të bëhemi të këqijtë e vetvetes, vetëm pse disa prej nesh shpërdrojnë në mënyrë të tmerrshme lirinë që na jep demokracia. Mund të kemi kundërshtime dhe mospajtime, por asnjëherë nuk shkohet në ekstrem, duke i rënë të mirës me shkelma. Gazetarët kanë një përgjegjësi të madhe në këtë drejtim, ndaj asnjëherë nuk duhet t’i hedhin benzinë zjarrit që mund të ndezë politika, aq më tepër duke përdorur të pavërteta mediatike. Ndaj ky shkrim e disa të tjerë pas tij nuk duhen marrë si sulme zinxhirë kundër Berishës, por si goditje të pandërprera kundër demokracisë dhe integrimit të Shqipërisë. Le të flasim me fakte, jo me fabrikime shpifjesh të ulëta, që shoqërojnë sjelljen publike të disa politikanëve apo gazetarëve të krahut të Edvin Ramës. Pra, le të flasim për atë që Sali Berisha është në të vërtetë dhe jo për klonimin komunisto-mediatik të tij. Për këtë është e nevojshme një historik i shkurtër i veprimtarisë së tij politike në shërbim të interesave madhore të shqiptarëve, duke filluar nga viti 1990 e në vazhdim.
Besojë nuk mund të mohohet fakti që Sali Berisha është intelektuali i parë shqiptar që i kërkoi në mënyrë publike pluralizmin udhëheqësit komunist Ramiz Alia, në një kohë që të tjerëve u shpëtonte shurra nga frika kur e sillnin nëpër mend një fjalë të tillë heretike për të periudhë. Nuk kalon shumë kohë nga ky moment dhe ai vihet menjëherë në krye të lëvizjes demokratike për krijimin e të parës parti opozitare në Shqipëri, pas më shumë se 45 vitesh nën sundimin hegjemon të Partisë Komuniste Shqiptare. Në zgjedhjet pluraliste të 22 marsit 1992, Partia Demokratike e Sali Berishës vjen në pushtet dhe ndërmerrë reformat më të suksesshme, krahasuar me të gjitha vendet e tjera të Europës Lindore, për konsolidimin e demokracisë dhe ekonomisë së tregut në vendin tonë. Kështu qysh në vitin 1994, Shqipëria arriti të realizojë rritje ekonomike dyshifrore, ndërsa një vit më vonë nivelin më të lartë të këtij treguesi në shifrat 13,3%. Kjo ishte arsyeja që institucionet e ndryshme ndërkombëtare shpreheshin atëherë me superlativa për “mrekullinë shqiptare”, duke na konsideruar si “vendin e suksesit suprizë”. Siç e kemi përmendur dhe herë të tjera, më skeptikët prej tyre mendonin se, “me këtë ritëm zhvillimi, Shqipërisë nuk i duhej më shumë se një dekadë për të arritur nivelin e vendeve më të zhvilluara të Europës Qëndrore dhe Lindore”, gjë e cila do të kishte bërë që sot vendi ynë të ishte në BE përkrah Polonisë, Çekisë, Sllovakisë, Hungarisë, Sllovenisë, Letonisë, Estonisë, Lituanisë, etj., qysh në maj të vitit 2004. Por vlerësimi dhe inkurajimi i ndërkombëtarëve nuk ishte vetëm i natyrës verbale. Në kancelaritë perëndimore po përgatitej stimulimi konkret i këtij progresi mbreslenës, ku akti i parë domethënës në këtë drejtim ishte pranimi i Shqipërisë si anëtare e Këshillit të Europës në 29 qershor 1995; një shpërblim i merituar ky sa për rezultatet spektakolare të reformave ekonomiko-shoqërore aq dhe për plotësimin e disa kushteve të tjera më shpejt se shumica e vendeve ish-komuniste të Europës Lindore. Social-komunistët e treguan menjëherë fytyrën e tyre antiperëndimore, pasi menjëherë dolën kundër anëtarësimit të vendit tonë në këtë organizëm të rëndësishëm, me teorinë e tyre maoiste të “mollës që ende nuk ishte pjekur”. Megjithatë një vit më vonë, pra në 1996-ën, Brukseli po formulonte tezat e projekt-Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit me synim çeljen e negociatave gjatë vitit 1997 dhe ndërmarrjen e reformave të tjera integruese në fushën e ekonomisë, sikundër ishte midis tyre dhe strategjia e privatizimit masiv, ndërkohë që sipërmarrja private kishte arritur të jepte gati 75% të PBB-së. Po kështu gjatë atij viti u arrit të nënshkruhen projekte të ndryshme investimesh me donatorët e huaj për sektorin energjitik, infrastrukturën rrugore, bujqësinë, arsimin, shëndetësinë, turizimin e kështu me radhë, të cilat kapnin shifrën e mbi 2 miliardë dollarëve.
Por rrebelimi komunist i vitit 1997 do t’i shumëzonte me zero të gjithë arritjet dhe hapat integrues që kishte bërë Shqipëria drejt familjes europiane deri në këtë periudhë dhe për tetë vjetë rresht do të qëndronte në vend numëro. Kësisoj, vendin e “mrekullisë shqiptare” do ta zinte “amullia dhe stanjacioni”, ku treguesit pozitiv të ekonomisë tonë u shndërruan në “rekorde të zeza” të shoqëruar me përkeqsimin e vazhdueshëm të treguesve social-ekonomik, thellimin e tejskajshëm të varfërisë, rritjen galopante të korrupsionit, etj. Treguesi i rritjes ekonomike ra gati 3 herë krahasuar me vitet 1995 - 1996, numëri i të papunëve u rrit po me këtë shifër, ndërsa kontributi i dikurshëm i sektorëve prodhues në strukturën e PBB-së u zvendësua nga sektori i shërbimeve dhe sektorët e tjerë dytësorë të ekonomisë. Në këto kushte, në vitin e parafundit të pushtetit majtist, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës nëpërmjet Komisionerit të Jashtëm të Bashkimit Evropian, Chris Patten do të jepte alarmin para komitetit parlamentar të Çështjeve Evropiane lidhur me krimin e organizuar, korrupsionin, mungesën e vullnetit politik të qeverisjeve socialiste për zgjedhje të lira e të ndershme, etj., duke theksuar se: “Qeveria shqiptare ose të bashkëpunojë me ne dhe të ecë përpara ose mund të vazhdojë të injorojë mesazhet tona të qarta. Dhe në këtë rast, unë mund të parashikojë vetëm stanjacion apo amulli në proçesin e saj të integrimit evropian”. Disa politikanë të lartë europianë po e humbisnin durimin me ne dhe kishin arritur deri aty sa të propozonin me dhimbje përjashtimin e Shqipërisë nga KE. Paralajmërimi ogurzi bëhej në mbyllje të vitit të parë të negociatave për marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit të Shqipërisë me Bashkimin Evropian dhe në ditën e pranimit të tetë vendeve ish-komuniste të Lindjes evropiane në BE, më 1 maj të vitit 2004. Ishte arritur në këtë pikë kritike pasi qeverisja majtiste e tetë viteve rresht për periudhën 1997-2005 funksiononte sipas parimit leninist: “një hap para, dy hapa prapa”. Kësisoj, procesi i parahapjes dhe ai i negociatave për firmosjen e Marrëveshjeve së Stabilizim-Asociimit që filloi në vitin 1999 do shndërrohej në procesin më të gjatë në historinë e Bashkimit Europian, dhe do të mbyllej vetëm pas ardhjes në pushtet të demokratëve me firmosjen e MSA-së në 12 qershor 2006.
Me rikthimin në pushtet të të demokratëve, pas 8 viteve në opozitë, në 3 korrik 2005 fillon një kapitull i ri për integrimin e Shqipërisë në strukturat euro-atlantike. Siç thamë, më 12 qershor 2006 nënshkruhet MSA. Në saj të reformave efikase të qeverisë “Berisha” në të gjitha fushat e jetës politiko-shoqërore, nuk u deshën më shumë se 2 vjetë e gjysëm kohë qysh nga nënshkrimi i MSA-së për të mbyllur ratifikimin e saj nga 27 vendet anëtare të BE-së, që përbën një rekord të ri në historinë e integrimit të vendeve ish-komuniste të Europës Lindore në Bashkimin Europian. Po kështu, gjatë kësaj periudhe u realizua marrja e ftesës për anëtarësimin në NATO, pavarësia e Kosovës dhe vizita në Shqipëri e të parit president në detyrë i SHBA-së. Duket sikur këto dy ngjarjet e fundit nuk kanë lidhje me proceset integruese por kjo s’është aspak e vërtetë. Përderisa këto ngjarje kanë lidhje me demokracinë, stabilitetin rajonal dhe vlerësimin për partneritetin dhe arritjet tona qeverisëse, janë të lidhura në mënyrë të padiskutueshme me çështjen e integrimit tonë euro-atlantik. Viti 2009 përbën ndoshta kulmin e këtyre arritjeve me anëtarësimin në NATO, shqyrtimin dhe miratimin nga Brukseli të kërkesës për marrjen e statusit të vendit kandidat për në BE, hapjen e dritës jeshile për liberalizimin e vizave në gjashtëmujorin e parë të vitit të vjen, të paraprira nga çertifikimi ndërkombëtar i zgjedhjeve të 28 qershorit, si “më të mirat që Shqipëria ka realizuar ndonjëherë në vitet e tranzicionit”. Arritjet e qeverisë “Berisha” në rrafshin ndërkombëtar u shoqëruan me mjaft arritje në palnin kombëtar nëpërmjet investimeve të shumëta në infrastukturën rrugore, energjitk, turizëm, arsim, shëndetësi, bujqësi e kështu me radhë. Rezultatet ishin kaq impresionuese jo vetëm për shqiptarët por edhe për ndërkombëtarët, të cilat arritën ta krahasojnë kryeministrin Berisha me Ajzenauerin.
“Kjo është mrekulli e lirisë”, do të thoshte Berisha në Samitin e NATO-së në Bukuresht, duke na bërë të ndjehemi të gjithë krenar për këto arritje. Sigurisht, asgjë nuk është arritur me “frymën e shenjtë” por me punë e reforma të mëdha, pjesa dërmuese të të cilave mbajnë vulën e kontributit personal të Sali Berishës si kryetar i Partisë Demokratike, President e Kryeministër i vendit. Parë në këtë këndvështrim do të thoshim se këto arritje, po aq sa ç’janë “mrekulli e lirisë” janë mrekulli e përgjegjësisë qeverisëse të Liderit demokrat , i cili në të gjitha postet e larta drejtuese që ka mbajtur dhe mban aktualisht u bë dhe vazhdon të jetë protagonisti “Number One” i integrimit euro-atlantik të Shqipërisë, duke manifestuar seriozitet e përgjegjësi institucionale në qeverisjen e vendit dhe duke manifestuar vullnet të hekurt për të goditur pa mëshirë krimin e organizuar dhe korrupsionin, kudo që shfaqen këto fenomene. Këto janë fakte të njohura botërisht. Për 8 vite që ishin në pushtet socialistët nuk kemi qoftë edhe një ngjarje të tillë madhore për interesat e qytetarëve shqiptarë me përjashtim të çeljes së sforcuar të negociatave për MSA-në në vitin 2003, gati 6 vjet më vonë pasi ishte paralajmëruar nga Brukseli një gjë tillë. Duke u bazuar tek këto fakte, për njerëz të civilizuar dhe pa indoktrinime komunistësh fanatik, Berisha duhet të gëzojë edhe mirënjohjen e tyre, pavarësisht se mund të jenë rreshtuar në kampin e kundërshtarëve të tij politikë. Dhe ka jo pak të tillë që e bëjnë këtë pohim nën zë. Por socialistëve dhe komunistëve të rreshtuar kundër Berishës do t’u kërkonim që në artikulimet, shkrimet dhe qëndrimet e tyre të mos ndikoheshin doemos nga vlerësimet e larta që bëjnë shqiptarët dhe ndërkombëtarët për figurën e shquar të zotit Berisha, por të udhëhiqeshin nga mësimet e Leninit të tyre të dashur se, “faktet janë kokëfortë”. Prandaj flisni me fakte, “shokë të idealeve komuniste e partizane” dhe jo me gjuhë hitleriane!...
...