E Shtunë, 31 Tetor 2026

Benedikti XVI: Lutem për të ardhmen pa mure, të krishterët të impenjohen për bashkimin e tyre të plotë

Mbyllet turi tetëditor i vizitës së Atit të Shenjtë në Lindjen e Mesme

Përfundoi dje udhëtimi i 12-të apostolik i Papës Benedikti XVI, pas tetë ditësh të ngjeshura me aktivitete e takime në Tokën Shenjte. Erdha në këtë vend si mik i izraelitëve dhe i palestinezëve, tha Papa në ceremoninë e lamtumirës, në aeroportin e Tel Avivit, sot pak pas mesditës. Të pranishëm presidenti izraelit Shimon Peres dhe kryeministri Benxhamin Netanijahu. E si mik, Ati i Shenjtë bëri këtë thirrje të fuqishme: “Kurrë më gjakderdhje! Kurrë më ndeshje! Kurrë më terrorizëm! Kurrë më luftë! Ta thyejmë rrethin vicioz të dhunës. Të vendoset paqja e qëndrueshme, e bazuar mbi drejtësinë, qoftë pajtim e shërim i vërtetë”.
Me tone të ndezura, fjalimi i fundit i Benediktit XVI në këtë shtegtim pas gjurmëve të Jezu Krishtit. Papa kërkoi që të njihet universalisht e drejta e Shtetit të Izraelit për paqe e siguri brenda kufijve të njohura nga bashkësia ndërkombëtare dhe e drejta për një atdhe të pavarur palestinez, ku njerëzit të jetojnë me dinjitet e të mund të lëvizin lirisht. Zgjidhja e konfliktit në Lindjen e Mesme, që duhet të çojë në krijimin e dy shteteve, të mos mbetet ëndërr, por të bëhet realitet, theksoi Papa Racinger.
Duke përshkuar etapat e udhëtimit, Ati i Shenjtë nuk e fshehu se një nga pamjet më të trishtuara që pa, ishte muri i ndërtuar nga izraelitët për t’u mbrojtur nga palestinezët: “Ndërsa ecja pranë tij, u luta për një të ardhme, në të cilën popujt e Tokës Shenjte të jetojnë sëbashku në paqe e harmoni, pa nevojën e mjeteve të tilla të sigurisë e të ndarjes, por duke e respektuar njëri-tjetrin, duke pasur besim tek tjetri, e duke hequr dorë nga çdo formë dhune dhe agresioni”.
E di se arritja e këtij objektivi do të jetë e vështirë, tha Papa duke iu drejtuar presidentit izraelit Peres e duke i siguruar atij dhe Autoritetit Palestinez lutjet e veta e të katolikëve të mbarë botës. Benedikti XVI kujtoi edhe vizitën në Memorialin e Holokaustit Jad Vashem, ku u takua me të mbijetuarit e shfarosjes naziste: “Ato takime thellësisht mallëngjyese ripërtërinë kujtimet e vizitës sime të tri vjetëve më parë në kampin e vdekjes së Aushvicit, ku kaq shumë hebrenj – nëna, baballarë, burra, gra, vëllezër, motra, miq – u shfaqrosën çnjerëzisht në një regjim pa Zot, që propagandonte ideologjinë e antisemitizmit dhe të urrejtjes. Ai kapitull i frikshëm i historisë – tha Papa – nuk duhet harruar apo mohuar kurrë. Në të kundërtën, ato kujtime të errëta duhet ta përforcojnë vendosmërinë tonë e të na afrojnë edhe më tepër njërin me tjetrin, si degët e të njëjtit ulli, të ushqyer nga të njëjtat rrënjë e të bashkuar nga dashuria vëllazërore”.
Takimet e Papës në Patriarkatin greko-ortodoks dhe armeno apostolik/Dy takime të rëndësishme ekumenike karakterizuan ditën e fundit të qëndrimit të Benediktit XVI në Jeruzalem. Papa shkoi dje paradite, fillimisht në Patriarkatin greko-ortodoks, ku u prit nga Patriku Teofil III dhe krerët e bashkësive të krishtera në Tokën e Shenjte. Ndërsa, pas vizitës në Varrin e Krishtit, në Kishën patriarkale të Armenëve apostolikë, që kryesohet nga Patriku Torkom Monukian. “Bashkimi” ndërmjet të krishterëve lind nga e njëjta trashëgimi feje, ndërsa “turpi” u shkaktua nga ndarja e atij bashkimi, që para njëmijë vjetësh. Më e fortë akoma, është vetëdija se Shpirti i Shenjtë i shtyn Kishat e ndara drejt “pajtimit” të plotë. Më këto bindje, iu drejtua Benedikti XVI krerëve të bashkësive të krishtera në Tokën Shenjte. Greko-ortodoksët janë rreth 40 mijë, të përhapur në Izrael, Jordani e Çisjordani. Papa u ndal mbi përgjegjësinë për shpalljen e Ungjillit, që vjen nga ndikimi i Shpirtit të Shenjtë të Krishtit mbi apostujt: Në atë frymë, përmes shëlbimit që bashkon, qëndron misioni ynë! Prandaj, nuk është për t’u çuditur, se pikërisht në praninë e dëshirës sonë të flaktë për t’u çuar Krishtin të tjerëve, për ta bërë të njohur mesazhin e tij të pajtimit, ne eksperimentojmë turpin e ndarjes”.
Fjalë e rëndë e Papës, i cili nënvizoi se për të krishterët e sotëm, jo vetëm që nuk ka ndryshuar detyra për të shpallur pajtimin e Krishtit, por edhe ajo për të arritur në unitetin e Kishës: “Ne duhet të gjejmë forcën që ta dyfishojmë impenjimin për të përsosur bashkimin, për ta bërë të plotë, për të dhënë dëshmi të përbashkët për dashurinë e Atit, i cili dërgon Birin, që bota ta njohë dashurinë e Tij për ne”. Për vlerësimin e gjendjes aktuale të marrëdhënieve ekumenike, Papa u nis nga historia e nga përqafimet, “me domethënie të madhe simbolike”, që në të kaluarën në Jeruzalem patën shkëmbyer Papa Pali VI dhe Patriku ekumenik Atenagora, si edhe, jo shumë vjet më parë, Gjon Pali II e Patriku Diodoros. Edhe prania e Patrikut ekumenik Bartolomeu I në Sinodin e Ipeshkvijve në Vatikan, tetorin e kaluar, ishte shenjë e qartë bashkimi më të fuqishëm ndërmjet katolikëve dhe ortodoksëve, theksoi Benedikti XVI. Këtë bashkëpunim, që vihet re në punimet e Komisionit të përbashkët ndërkombëtar për Dialogun teologjik, Papa ua uroi edhe bashkësive të krishtera në Tokën Shenjte. Kjo, nënvizoi Papa, do të ndikojë për mirë në shoqëri: “Lutem të kuptohet se aspiratat e të krishterëve të Jeruzalemit janë në sintoni me aspiratat e të gjithë banorëve, pavarësisht nga feja e tyre: ata duan një jetë të shënuar nga liria fetare e nga bashkekzistenca paqësore, dhe - në veçanti për brezat e rinj - nga mundësia për arësim e punë, nga perspektiva e strehimit të përshtatshëm dhe e rezidencës pranë familjes, e nga mundësia për të përfituar nga qëndrueshmëria ekonomike e për të kontribuar në të”.
Aktin e parafundit, para se të shkonte në aeroportin e Tel Avivit, për fjalimin e lamtumirës, Papa e përjetoi pranë Patrikut të moshuar armeno-apostolik, Torkom Manukian, lindur në Irak 90 vjet më parë. Disa qindra besimtarë e pritën me përzemërsi Atin e Shenjtë në Kishën e lashtë patriarkale të Shën Jakut, “zemra” e bashkësisë së armenëve apostolikë në Tokën Shenjte, ku ata numërojnë 10 mijë vetë: “Takimi ynë i sotëm, i karakterizuar nga atmosfera e përzemërsisë dhe e miqësisë, është një hap i mëtejshëm në rrugën drejt bashkimit, që Zoti dëshiron për të gjithë dishepujt e vet. Në dhjetëvjeçarët e fundit, kemi eksperimentuar, falë Hyjit, rritjen domethënëse të marrëdhënieve ndërmjet Kishës Katolike e Kishës Apostolike Armene”.
Një Kishë, për të cilën Papa vuri në dukje si historinë e shkëlqyer, ashtu edhe impenjimin e vendosur në dialogun teologjik, me katolikët dhe me ortodoksët: “Ky dialog, i mbështetur nga lutja, ka bërë hapa përpara në kapërcimin e keqkuptimeve të së kaluarës dhe premton shumë për të ardhmen… Ia besojmë sëbashku punimet e Komisionit të Përzier, Shpirtit të dijes e të së vërtetës, që të sjellë fryte të bollshme për shtimin e bashkimit të të krishterëve e për shpalljen e Ungjillit ndër burrat e gratë e kohës sonë”.
Marrë nga Radio Vatikani

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›