E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mosintegrimi është asimilim i egër

Në trajtimin e deritashëm të problematikës së gjerë të mërgatës shqiptare në një hark të gjatë kohor, u mora kryekëput me raportet brendashqiptare, qoftë të vetë mërgimtarëve në dhe të huaj, qoftë të raporteve të tyre me atdheun në aspekte ndër më të ndërlikuarat. Ndërkaq rëndësi shumë të madhe ka të shihet raporti i tyre me vendet nikoqire, tek të cilat kanë kërkuar strehë.
Brezin e parë të mërgimtarëve tanë, të ashtuquajturit gastarbajterë, pothuaj në tërë Europën e kanë trajtuar si jugosllavë, prandaj edhe çështjen e integrimit të tyre e kanë vështruar në këtë prizëm. Kërkesat e atij brezi në të vërtetë kanë qenë tepër modeste, sa pjesëtarë të tij të shumtë sot thonë pa e fshehur që edhe pas disa vjetësh qëndrimi në këto vende, nuk kanë arritur as qytetin ku kanë banuar ta njohin e të mos flasim për gjuhën e ndonjë aspekt tjetër integrues.
Me ardhjen e brezit tjetër të mërgimtarëve, të cilin e karakterizonte një shtresim i hollë intelektual në krahasim me të mëparshmin, çështja e integrimit të mërgimtarëve tanë u bë paksa më e mprehtë. Një aspekt të veçantë të këtij integrami gjysmak paraqiti sidomos shkolla shqipe e mësimit plotësues, e cila u bë një faktor kyç për të kthyer vëmendjen e vendësve kah brezi i ri që po hynte në jetën e akëcilit vend me një sërë problemesh mjaft dramatike. Vetë mërgimtarët tanë nuk ishin fare të përgatitur për këtë proces të vështirë që po trokiste me rrapëllimë përnjëherë në të gjitha dyert hapakrah! Ndërkaq, në anën tjetër, administrata e vendeve strehuese i shmangej këtij procesi, duke pasur që më parë vlerësimin demonizues të grupeve e të partive të veta politike me primesa jo të vogla raciste ndaj të huajve. Këta mërgimtarë, ç`është e vërteta, nuk janë ballafaquar pothuaj asnjëherë seriozisht me çfarëdo ksenofobie, qoftë për ta kundërshtuar atë me vendosmëri apo, në anën tjetër më pozitive, për të ecur me vendosmëri drejt një integrimi të mirëfilltë. Asgjë nuk është marrë aq seriozisht, sepse të gjitha gjërat serioze janë trajtuar si të përkohshme. I përkohshëm ka qenë qëndimi i tyre, e përkohshme shkolla, puna, sigurimi dhe çdo gjë tjetër. Duke jetuar që nga rinia e hershme deri në pleqëri të thellë në një gjendje përkohshmërie të vazhdueshme, këta njerëz kanë mbetur pa një orientim të caktuar jetësor, e të mos flasim për integrim. Nëse thuhet sot me njëfarë krenarie të marrë, se ata kështu janë ruajtur nga asimilimi, përgjigjen duhet ta jap paksa të vrazhdë: Ata, thjesht, nuk kanë qenë të predispozuar as të asimilohen!
Duke e stërkequr pikësëspari atë pjesë mësimi shqip në shkollë, qoftë me programe të jashtëkohshme e pa kurrfarë niveli, qoftë me mësimdhënës kryekëput të paaftë për të hyrë në çfarëdo konkurrence me shkollën e sotme moderne që vepron gjithandej, problemet e këtij raporti midis mërgimtarëve e vendësve po mbilleshin që nga kopshtet e fëmijëve e deri te arkat e pensioneve të pleqërisë. Tërë kësaj atmosfere duhet shtuar organizimin e shqiptarëve gjoja ndër parti politike, ndërkaq dihet fare mirë që ato nuk janë as të lejueshme të veprojnë si të tilla me ligjet e këtushme. Si janë regjistruar dhe si funksionojnë ato gjithandej Europës dhe cili është roli faktik i tyre, është një punë që nuk vlen të merremi me të. Ndokush ndoshta do të donte të na bindë për rolin e tyre në kultivimin e traditave patriotike dhe ruajtjen e identitetit! Tashmë prej këtyre kornizave iluzore janë larguar edhe vetë ata që i kanë themeluar e kanë vrapuar duke zhvatur aq gjatë pas tyre. Megjithatë, në këtë princip organizimi, në tërë mërgatën e shumëllojshme të Europës, vetëm kurdët dhe shqiptarët ende mbajnë këtë lloj organizimi.
Nuk janë vetëm shkalla tepër e dobët e shkollës shqipe dhe masivizimi tepër i gjerë i organizimit partiak faktorët që e kanë lënë mërgatën shqiptare të paintegruar në përmasa tragjike. Mosintegrimi i një mase kaq të madhe njerëzish çështjen e shpur drejt udhës që ka vetëm një drejtim: ajo ose do të mbetet në shkallën më të ulët të konservimit parak, prej së cilës nuk do të mund të bëjë një hap më tej; ose do të asimilohet përfundimisht në një shkallë shumë më të ulët se ç`është faktikisht në shkallën e vet natyrale! Ata duhet të dinë njëherë e mirë se jeta, ndonëse thonë që është e bukur, i ka ligjet e veta të egra e të pamëshirshme.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›