E Diel, 1 Nëntor 2026

Zonja Klinton, këtu nuk ka antiamerikanizëm, por…

Është e vërtetë që, krahasuar me të gjitha vendet e Evropës, në Shqipëri nuk ka antiamerikanizëm. Nuk ka parti, lëvizje, frymë, madje as grupime qytetarësh me pikëpamje antiamerikane, përjashtuar ndoshta disa, aty te pesë përqindëshi, sipas një sondazhi të fundit, të cilët janë yshtur e indoktrinuar vitet e fundit nga shtysa të jashtme, kryesisht nëpërmjet fondamentalizmit islamik. Por edhe ky antiamerikanizëm në miniaturë nuk përbën risi e nuk ka ndikim mbi shoqërinë shqiptare, pasi nuk ka lindur, së paku deri tani, nga shkaqe të brendshme, shkaktuar prej gabimeve, lajthitjeve diplomatike, apo ndonjë padrejtësie ndaj çështjes shqiptare për hir të interesave globale amerikane.
Andaj nuk ka shqiptar sot që të mos jetë i vetëdijshëm: SHBA janë shteti e kombi që në historikun e marrëdhënieve dypalëshe nuk kanë lënë ndonjë gjurmë negative, ndonjë borxh, gjynah, pretendim grabitqar apo mëkat ndaj nesh, përkundrazi. Sigurisht që nuk është vetëm përkrahja për mëvetësinë e Presidentit Uillson, as çlirimi i Kosovës, i papërfytyrueshëm pa ndërhyrjen amerikane, që na kanë bërë më proamerikanët e Ballkanit dhe të Evropës. Por ne shqiptarët, si popull i vogël, i shumëvuajtur, i mbërthyer në një vetmi të gjatë e në një hartë të sakatuar gjeografike, me aq shumë ngatërresa, keqkuptime, folklor, deformime të sistemit politik, të përfshirë aq shpesh dhe aq lehtë në luftëra të drejta e të padrejta, më së pari me veten e pastaj edhe me fqinjët, në këto 100 vjet ne kemi kërkuar te SHBA modelin e munguar të lirisë, demokracisë dhe të drejtësisë. Kjo është më kryesorja, një konstante e paluhatur në qëndrimin tonë proamerikan.
E pra, jo vetëm shqiptarët e diasporës kanë parë te SHBA arbitrin e paanshëm e të drejtë, aq shpesh të munguar e të dyshimtë brenda “fuçisë së barotit”, që ndryshe quhet Ballkan. Pritja aq e zjarrtë e Bejkerit nuk ishte për të si person, por si emblemë e SHBA, si nderim për këtë vend të madh prej të cilit shpresohej se do të na dhuronte, si me shkop magjik, drejtësinë, mirëqenien, përparimin dhe demokracinë e lakmuar në shekuj.
***
Vizita e një sekretari shteti amerikan, e zonjës Klinton në Tiranë, është e katërta, pas Bejkerit, Pauellit dhe zonjës Ollbrajt. Secila nga këto vizita nuk ka qënë vetëm protokollare, ca qoka rutinore diplomatike mes shtetesh e personalitetesh, por vizita historike, sepse kanë prurë risi e ndryshim qenësor në politikën e brendshme të Shqipërisë. Kështu, ardhja e Bejkerit ishte oksigjen i nevojshëm, në kohën e duhur, për antikomunizmin; zonja Ollbrajt u shfaq si një avokate dhe mbështetëse e palëkundur për Kosovën; zoti Pauell paralajmëroi futjen në NATO… Ja përse nuk besoj që vizita e zonjës Klinton do të përcillet thjesht e vetëm si një dhuratë e “babait të madh” për 100-vjetorin e pavarësisë për “vëllanë e vogël”, si po thuhet në prag të vizitës së saj. Aq më pak nuk do të lihet të nënkuptohet si një mbështetje politike e SHBA për “burrin e shtetit” në fuqi, Sali Berishën.
Administrata e Obamës ndoshta është më e qarta në këtë drejtim: ajo është e bindur se vetëm vlerat e demokracisë janë aleat i qëndrueshëm i saj, përmbi nevojat për stabilitet rajonal “me çdo çmim”… Për më tepër Shtëpia e Bardhë me sa duket ka nxjerrë mësimet e duhura nga shekulli i kaluar, duke u tërhequr madje edhe nga luftërat në zonat e nxehta. SHBA me sa duket kanë nxjerrë përfundime përse ka lindur dhe cilat janë arsyet e antiamerikanizmit nëpër botë, deri në atë shkallë sa të motivohet edhe terrorizmi ndërkombëtar, si një doktrinë jo vetëm antiamerikane, por edhe si një rrezik global. Është kuptuar më në fund se nuk shuhen konfliktet me konflikte, aq më pak duke përkrahur liderë rajonalë me prirje antidemokratike. Është kuptuar tashmë se përkrahja për qëllime hegjemoniste apo edhe pragmatiste, e regjimeve diktatoriale e autoritare, mjaft që udhëheqësit e tyre të jenë deklaruar proamerikanë, ka sjellë më pas përfundime tragjike për popujt e Amerikës së Jugut, të Afrikës dhe të Azisë, dhe, pse jo, edhe telashe jo të pakta për vetë SHBA, duke e paguar më shtrenjtë se Evropa koston e terrorizmit.
Prandaj respektimi i standardit demokratik tani po bëhet më parësor e thelbësor, një kriter i padiskutueshëm, krahasuar me synimin për stabilitet, apo me aleancat “strategjike”, të cilat presupozohet se do të sjellin (e theksuar kjo mendësi ishte sidomos në kohën e Luftës së Ftohtë, kur zbatohej formula: “armiku i armikut tim është miku im…”) përfitime pragmatike, të drejtpërdrejta e të atypëratyshme për fuqitë e mëdha. Janë të shumtë shembujt në shekullin e kaluar që dëshmojnë këtë të vërtetë të hidhtë, po aq edhe zhgënjyese… Tashmë është provuar dhe kuptuar: nëse përkrah krerët politikë që nuk janë demokratë, por demagogë, diktatorë dhe autokratë të mirëfilltë, shtypës dhe gjakatarë, ke bërë ndërkohë kundër teje edhe popujt që shtypen prej tyre, sepse ka mbetur pa u futur “djalli në shishe”… Kur populli urren udhëheqësit e vet, urrejtja vetvetiu do të përcillet automatikisht edhe te “aleatët” që i patën përkrahur… Këtu duhet kërkuar shkaku përse ka mbirë, jo pa shkak, si egjëri, antiamerikanizmi.
Putinizmi i përhapur tashmë në jo pak vende të ish-Lindjes e kërkon mbështetjen e vet ideologjike te kultivimi i antiamerikanizmit, të cilin e përdor, kur i leverdis, jo pa sukses, jo vetëm si gogol ndaj popullit, por edhe si trysni ndaj SHBA… Aferat më të fundit të Berishës me Azerbajxhanin, Kinën, Serbinë, Turqinë, pse jo nesër edhe me Rusinë janë ilustrim i kësaj trysnie që mund të shqipërohet: ose më përkrahni, ose në rajon do të ketë destabilitet!… Deri tani, sidomos në qarqet diplomatike të Evropës, kjo taktikë nuk mund të thuhet se nuk ka patur sukses, gjë që ka bërë të mbyllen sytë dhe veshët ndaj mungesës së standardit demokratik. Prandaj vizita e zonjës Klinton në Tiranë pritet të dëshmojë një vullnet, në mos të kundërt, më të qartë lidhur me nivelin e standardit të demokracisë në Shqipëri.
***
Vështruar me këtë sy vizita e zonjës Klinton do të përcillet me vëmendje jo të zakontë nga opinioni publik, nga qytetarët e thjeshtë, paçka se nuk do të dalin ta presin shqiptarët si pritën zotin Bejker njëzet vjet më parë. Nuk lipset shumë vëmendje specialistësh të ambasadës të pikaset se që tani, qëllimisht e djallëzisht po projektohet e po përhapet ideja nga qarqet dhe mediat zyrtare sikur ardhja e zonjës Klinton është shprehje e mbështetjes për qeverinë aktuale, më konkretisht: sikur me gjasë SHBA, duke dërguar zonjën Klinton në Tiranë, po kërkon të sjellë mesazhin se e përkrah dhe e nderon Berishën si një “burrë shteti”. Jo më kot Berisha kërkon ta privatizojë edhe këtë vizitë kur thotë se zonja Klinton po vjen në Tiranë “me ftesën time” dhe se ardhja e saj qenkësh “ngjarja më e rëndësishme në këtë 100- vjetor”, etj., thënie provincialësh ballkanikë… Besoj se zonja Klinton, edhe pa u këshilluar nga ndihmësit e saj e di se një qasje e tillë e pakujdesshme do të sillte e mbillte një “mesazh” të dëmshëm jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për interesat afatgjatë amerikane në rajon. Zonja Klinton duhet ndihmuar jo vetëm prej ambasadës amerikane në Tiranë, po edhe nga shoqëria e këtushme civile që të mos bjerë në këtë “grackë” ballkanike, duhet të mos lejohen trajtime të tilla vulgare “partizane” të vizitës, të tipit: Kush na futi në NATO? Kush na i liberalizoi vizat? Kush na e dha statusin e vendit kandidat në BE? Kush na solli demokracinë?... Dhe rezultati: kush ishte kundër aspiratës për integrim, gjë që, rrjedhimisht nënkupton: kush është antiamerikan, përveç opozitës?
Edhe sikur të lihet të nënkuptohet kjo pandehmë, nuk duhen lejuar kësish interpretime të cilat, tekefundit, do të ligjërojnë edhe më gjatë përçarjen kombëtare si dhe mungesën e dialogut mes partive, kësaj here gjasme edhe “me mbështetjen amerikane”… Jetojmë në Ballkan, jetojmë në Shqipëri, ku mungesa e shpresës se ky vend mund të bëhet demokratik zor të besohet se varet nga aftësia e përkushtimi i liderëve, se sa duke mbajtur sytë nga Perëndimi, në rastin konkret nga SHBA. Prandaj i duhet thënë hapur zonjës Klinton, ende pa e vënë këmbën në tokën shqiptare: kjo tokë ende nuk është çminuar nga minat dhe nga predhat jo vetëm të Luftës së Dytë Botërore, por edhe nga ato të vitit 1997, kur President ishte i njëjti njeri, Sali Berisha; është i njëjti udhëheqës i pazëvendësueshëm që ka të njëjtin emër e mbiemër, të njëjtat huqe e tarbjate, me më shumë pasuri e pushtet të pakufizuar se ç’kishte para njëzet vitesh…
Dhe, rrjedhimisht tani është edhe më i rafinuar për t’u shfaqur si demokrat i thekur dhe njëkohësisht edhe si puthador i përulur i SHBA-ve!
(er.nu/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›