E Diel, 1 Nëntor 2026

Benedikti XVI kujton shtegtimin në Tokën e Shenjtë dhe kërkon harmoninë mes fraksioneve të krishtera

Pavarësisht nga konfliktet ndërmjet viseve të ndryshme të Tokës Shenjte e atyre ndërmjet të krishterëve, që prej dymijë vjetësh Kisha vijon rrugën drejt bashkimit të saj të plotë. Me këto fjalë e përfundoi dje Benedikti XVI audiencën e përgjithshme, mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit, kushtuar plotësisht shtegtimit të tij apostolik në Tokën Shenjte. Në përfundim të audiencës, Papa kujtoi, në gjuhën angleze, Ditën botërore të komunikimeve, që do të kremtohet të dielën e ardhshme, duke bërë ftesë për përdorimin pozitiv të teknologjive dixhitale e duke i nxitur të rinjtë t’i përdorin për të dëshmuar fenë e tyre. Shtegtim i fesë, shtegtim i paqes: janë dy udhët që përshkoi Benedikti XVI duke ecur në një rrugë të vetme, atë që e çoi ku lindi Kisha e parë. Tetë ditë të ngarkuara me veprimtari, nga Mali Nebo, në Jordani e tek Varri i Shenjtë në Jeruzalem; ndërmjet ndërtesave e peizazheve që – tha Papa - të kujtojnë natyrën ‘shtegtare’ të Kishës mbi tokë; një Kishe që tashmë është e bashkuar me Krishtin, por që megjithatë, nuk mund ta shijojë ende amshimin e premtuar prej Tij. E ky është edhe fati i sotëm i Viseve të Shenjta, sa të shenjta, aq edhe vende mllefesh e gjaku: “Në këtë Tokë të bekuar nga Hyji, nganjëherë të duket se është e pamundur të dalësh nga spiralja e dhunës. Por për Zotin e për ata që besojnë në Të, s’ka asgjë të pamundur! Prandaj nga besimi në Zotin e drejtë e të mëshirshëm, që është pasuria më e çmuar e këtyre popujve, duhet të burojnë me gjithë forcën respekti, pajtimi e bashkëpunimi”. Pastaj Papa kujtoi Jeruzalemin, udhëkryq përshpirtërie e kundërvëniesh, qytet i paqes’, që shpreh planin e Zotit për njerëzimin: të formojë prej tij një familje të madhe, të cilin Krishti e realizoi me vdekjen e tij, duke e shembur, kështu, murin e armiqësisë: “Të gjithë besimtarët, prandaj, duhet t’i lënë pas shpine paragjykimet e dëshirën për të sunduar e të vënë në jetë njëzëri, urdhërimin themelor, që na kujton se duhet ta duam Zotin me gjithë vetveten e ta duam të afërmin si vetveten. Pikërisht këtë duhet të dëshmojnë hebrenjtë, të krishterët e myslimanët, për të nderuar kështu, me fakte, lutjet që i bëjnë Zotit me gojë”. E pikërisht bindja se fetë duhet të japin ndihmesën e tyre për pajtimin, e shtyu Papën të vihej për udhë si shtegtar i paqes në Jordani e në Izrael, të ndalej tek Muri i Lotëve e tek Kupola e Shkëmbit, xhamia më e lashtë e Tokës Shenjte, e akoma, tek Memoriali i Yad Vashem, ku u lut për tragjedinë e paharruar e të paharrueshme të Shoah. E duke kujtuar pritjen plot respekt të familjes mbretërore jordaneze, në Aman si dhe mundësinë që iu dha për të bekuar, në këtë komb, gurët e parë të dy kishave të reja, Benedikti XVI ripohoi një koncept shumë të dashur, të cilin e kujton dhe e mbron vazhdimisht: “Ky fakt është shenjë e hapjes së portave dhe e respektit që vërehet në Mbretërinë Hashemite për lirinë fetare e për traditën e krishterë, e kjo meriton të vlerësohet lart.(…). Sa e rëndësishme është që të krishterët e myslimanët të bashkëjetojnë paqësisht, duke respektuar njëri-tjetrin. Falë hirit të Zotit, e impenjimit të sundimtarëve, në Jordani kjo është realitet. U luta, prandaj, që të jetë kështu edhe gjetiu, duke menduar posaçërisht për të krishterët e Irakut fqinjë, të cilët jetojnë në kushte tejet të vështira”. Ndërsa Bazilikat e Betlehemit e të Nazaretit, përveç atyre të Jeruzalemit, me takimet e kremtimet e shumta, e pritën Benediktin XVI si shtegtar i fesë e si bari, që kishte shkuar të vizitonte grigjën e vogël katolike të Tokës Shenjte. Posaçërisht Betlehemin Papa e kujtoi sot si vend simbol, i cili tregon se njeriu është ende shumë larg nga kumtimi i paqes, që jehoi në një shpellë dymijë vjet më parë. E pikërisht Betlehemi, i varfër e i izoluar, mur i ndarjes ndërmjet izraelitëve e palestinezëve, ishte edhe vendi ku Benedikti XVI u drejtoi të gjithëve ftesën për ta kërkuar paqen me metoda, që e përjashtojnë dhunën: “Pavarësisht nga të përpjetat e të tatëpjetat e Viseve Shenjte në rrjedhë shekujsh, pavarësisht nga luftërat, shkatërrimet e, për fat të keq, edhe ndeshjet ndërmjet vetë të krishterëve, Kisha e vijoi misionin e saj, e frymëzuar nga Shpirti i Zotit të ngjallur. Ajo është për udhë drejt bashkimit të plotë, që Bota të besojë në dashurinë e Zotit e të provojë gëzimin e paqes së tij”.
Pak para përfundimit të audiencës së përgjithshme, Benedikti XVI kujtoi Ditën e ardhshme të Komunikimeve shoqërore dhe bëri, në gjuhën angleze, një thirrje drejtuar të gjithë përdoruesve të teknologjive e reja mediatike, duke i nxitur t’i përdorin pozitivisht, për të shfrytëzuar forcën e madhe të këtyre mjeteve e për t’i vënë në shërbim të miqësive e të solidaritetit, që mund të ndihmojnë për ndërtimin e një bote më të mirë: “Dëshiroj t’i inkurajoj të gjithë ata, që hyjnë në hapësirën kibernetike, t’i kushtojnë vëmendje ruajtes e promovimit të kulturës së respektit, të dialogut e të miqësisë së vërtetë, përmes të cilave mund të lulëzojnë vlerat e vërtetësisë, të harmonisë e të mirëkuptimit. Të rinj, ju drejtohem posaçërisht ju: dëshmojeni fenë tuaj përmes botës dixhitale! Përdorini teknologjitë e reja për të kumtuar Ungjillin, në mënyrë që Lajmi i Mirë i Hyjit, dashuria e pafundme për të gjithë njerëzit, të rikumbojnë në mënyrë të re në botën tonë gjithnjë më teknologjike”. Mendimi i fundit i Papës iu kushtua Solemnitetit të të Shëlbuemit, që në Vatikan e në disa vende të tjera do të kremtohet nesër, ndërsa në Itali, të dielën e ardhshme. Ky Solemnitet - kujtoi Ati i Shenjtë – na fton ta kundrojmë Jezusin i cili, para se të ngjitet në qiell, ua beson Apostujve mandatin ta çojnë Lajmin e tij të Shëlbimit deri në skajet më të largëta të tokës.
Dialogu katoliko-mysliman: përfundoi takimi i Amanit/Përfundoi dje në Aman të Jordanisë, takimi i parë i Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar, kryesuar nga kryetari, kardinali Zhan-Lui Toran, dhe Institutit Mbretëror për Studimet e Feve, kryesuar nga drejtori i tij, ambasadori Hasan Abu Nimah. Gjatë takimit, kushtuar temës ‘Feja dhe shoqëria civile’ – njofton një komunikatë përfundimtare – të dyja palët nënvizuan se fetë duhet të luajnë një rol të posaçëm në shoqërinë civile, duke dhënë kontributin e tyre për të mirën e përbashkët e duke u ngritur përmbi interesat politike, larg çdo etjeje për pushtet. Pjesëmarrësit nënvizuan rëndësinë e edukimit të të rinjve me vlerat e respektit reciprok e të kulturës së dialogut, të mospranimit të dhunës e të promovimit të bashkëjetesës paqësore. Të dyja palët ripohuan rëndësinë e demokracisë e të shtetit të së drejtës, që respekton të drejtat themelore të njeriut, posaçërisht lirinë e drejtësinë, pakicat etnike, larmitë kulturore e fetare e barazinë ndërmjet nënshtetasve. U nënvizua edhe roli që mund të luajnë fetë për fuqizimin e pjesëmarrjes në jetën shoqërore, duke dhënë kështu kontributin për ndërtimin e një shoqërie të qëndrueshme e të begatë, mbi bazën e parimit të ndihmës e të solidaritetit. U vendos edhe që takimi i ardhshëm të mbahet në Romë brenda dy vjetësh, i paraprirë nga një bisedë parapërgatitore. Tema dhe data mbeten për t’u caktuar. Ndërmjet të tjerëve, në takim, për palën katolike, e morën fjalën imzot Pier Luigji Çelata, sekretar i Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar; imzot Frensis Çulikat, nunc apostolik në Jordani e në Irak; imzot Jaser Ajash, metropolit greko-katolik në Jordani; imzot Salim Sajeg, mëkëmbës patriarkal latin për Jordaninë. Në delegacionin mysliman bënte pjesë edhe Sejed Muhamed Ali Abtahi, kryetar i Institutit për Dialogun Ndërfetar në Iran; Muhamed al-Sharkavi, pedagog pranë Universitetit të Kairos; profesor Abdul Naser Abul- Basal, drejtor i Universitetit Botëror Islamik për Shkencat e Arsimin (World Islamic Science and Education University); profesor Saoud el Mavla, i Universitetit të Beirutit. Në sesionin publik, mbajtur në përfundim të bisedimeve, kardinali Toran dhe princi El Hasan bin Talalal, falënderuan pjesëmarrësit për kontributin që dhanë gjatë takimit.
Marrë nga Radio Vatikani

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›