E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Do t’i bëjmë rrugët si në Zvicër

 

Kukës / Jonuz Hallaçi

“Pas fitores së 28 Qershorit, LSI do të bëjë të mundur përfundimin e disa akseve rrugore në këtë qark, për të kthyer alpet shqiptare në një Zvicër”. Kryetari i LSI, Ilir Meta zhvilloi takime në rrethin e Kukësit me qindra përkrahës të kësaj partie. Në takimet që zhvilloi në qytetin e Kukësit, por dhe në komunat e Shishtavecit dhe të Krumës në Has Meta prezantoi Planin për Veprim dhe kandidatët për deputetë të LSI. Nga qyteti i Kukësit Meta ka shprehur angazhimin e tij që pas fitores së 28 Qershorit LSI do të bëjë të mundur përfundimin e disa akseve rrugore në këtë qark, për të kthyer alpet shqiptare si në  Zvicër. Kreu i LSI e cilësoi të rëndësishëm ndërtimin e rrugës Durrës–Kukës, ideja për ndërtimin e së cilës ishte kohë më parë se Berisha të bëhej Kryeministër. Meta shtoi se përfundimi i kësaj rruge është i rëndësishëm, pasi vetëm duke shfrytëzuar resurset e kësaj zone do të bëhet e mundur rritja e mirëqenies së njerëzve në këtë zonë. Sipas tij, banorët e Kukësit kanë nevojë dhe për rrugë të tjera, për t’u lidhur me Tropojën dhe për t’u lidhur me pikat kufitare, kanë nevojë edhe për rrugë të brendshme, “që jeta juaj të bëhet më dinamike, që të dilni më shpesh në tregje dhe të rrisnin shpejtësinë e integrimit edhe në Europë”. Kreu i LSI ka shprehur vendosmërinë që Aeroporti i Kukësit, do të kthehet në një pikë tranziti ndërkombëtar. Meta shtoi se ky aeroport, i cili është fiktiv do të kthehet në një burim mirëqenie dhe zhvillimi për gjithë veriun. Meta premtoi dhe siguroi se statusin e minatorit, i cili nuk u miratua nga ky parlament, LSI do ta miratojë në parlamentin e ardhshëm pasi është e domosdoshme të tregojmë solidaritet për këta punonjës të cilët kanë punuar në kushte tejet të vështira. Njëkohësisht do të miratojmë edhe ligjin për kujdesin e individëve të moshës së tretë, i cili u rrëzua nga parlamenti që përfundoi mandatin. Kreu i LSI theksoi se prioriteti i kësaj force politike është hapja e sa më shumë vendeve të reja pune, duke lehtësuar nga tatim taksat çdo biznes, i cili punëson 5 persona apo përjashtimin nga këto detyrime të çdo biznesi të ri, i cili bën të mundur hapjen e një vendi pune. Meta garantoi gjithashtu angazhim dhe mbështetje për të gjithë fermerët për nxjerrjen e bujqësisë nga kriza, duke subvencionuar deri në 25 për qind të gjitha inputet, si dhe subvencionim të njësisë së prodhimit deri në masën 20 për qind. Meta nënvizoi se vetëm duke ndjekur një politikë të tillë subvencionuese do të synojmë që brenda 4 viteve të ardhshme të punësohen 100 mijë shqiptare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›