E Diel, 1 Nëntor 2026

Delvinë, rrihet në mes të qytetit kandidati republikan i Vlorës

 

DELVINE - Rrihet në mes të Delvinës drejtori i spitalit të qytetit, Ilir Gazeli, i cili konkurron për deputet në emër të Partisë Republikane në Vlorë. Ngjarja ndodhi rreth orës 18:00, kur 55-vjeçari ndodhej në prani të disa personave të tjerë. Në këtë moment i është afruar Shkëlqim Isufi 35 vjeç, banor i fshatit Bamatat, i njohur si pronar i një pike karburanti në Delvinë. Ai i është drejtuar Gazelit, njëkohësisht mjek dhe sekretar i PR-së në Delvinë me fjalë fyese, duke i kërkuar fillimisht llogari pse mjetet e spitalit nuk furnizoheshin me karburant në pikën e tij. Duke vazhduar më tej me kërcënime, ai i ka pohuar në sy të personave  të tjerë: "Bashkë kemi edhe llogari të tjera. Ti ke qenë fillimisht tradhtar i PBDNJ-së kur u ktheve me PD-në dhe tani bëhesh tradhtar i PD-së duke u bërë me PR-në dhe duke na marrë votat tona". Pa pritur asnjë reagim, Isufi, i njohur si përkrahës i PD-së e ka goditur drejtorin e spitalit disa herë me grushte, duke i shkaktuar plagë në fytyrë. Ndërhyrja e personave të tjerë ka shmangur vazhdimin e dhunës. Menjëherë në vendngjarje ka shkuar grupi i gatshëm i policisë së Delvinës, por dhunuesi u është kundërvënë edhe vetë policëve, duke i fyer dhe kërcënuar edhe ata, ndërsa i ka shpëtuar ndalimit deri në orët e vona. Ilir Gazeli ka bërë denoncimin në polici për ngjarjen, duke kërkuar ndjekjen deri në fund të kësaj çështjeje. Sipas tij, nuk ka dyshim se motivi është politik. "Kjo ka lidhje me kandidimin tim për PR-në, gjë që bie ndesh me interesa të personave të veçantë në Delvinë, ku mes tyre bën pjesë edhe dhunuesi im, Shkëlqim Isufi. Çështjen do ta ndjek deri në fund në rrugë ligjore", deklaroi ai. sh.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›