E Diel, 1 Nëntor 2026

Benedikti XVI në Ditën e Emigrantëve: “hapjani dyert shpresës, mos i mbyllni kufijtë”

30-10-2012 / Gazeta 55

“Emigracioni: shtegtim feje dhe shprese”: kjo është tema e Mesazhit të Papës për Ditën e 99-të Botërore të Emigrantit dhe të Refugjatit, që do të kremtohet më 13 janar 2013. Në dokumentin, i cili u bë i njohur sot, Benedikti XVI nënvizon se, pavarësisht nga kriza ekonomike, duhen respektuar të gjitha të drejtat themelore të njerëzve, që detyrohen të emigrojnë. Ati i Shenjtë u bën thirrje shteteve të mos i mbyllin hermetikisht kufijtë dhe të bëjnë përpjekje për ta zgjidhur që në rrënjë problemin e trafikut dhe të shfrytëzimit të personave.
“Feja e shpresa” janë shpesh të vetmet gjëra, që gjenden në valixhen e emigrantit, të vetmet gjëra, që ata mund të marrin me vete, por kontributi i tyre në vendet ku shkojnë mund të jetë i madh, edhe nga pikpamja kishtare. Papa i njeh çdo shteti të drejtën të vendosë për flukset e emigracionit, por tërheq vëmendjen mbi faktin se ekziston edhe një e drejtë për të emigruar, pjesë e të drejtave themelore të njeriut, që duhen respektuar.
Nga ana tjetër, nënvizon Benedikti XVI, shumica e emigrantëve largohen nga vendi i tyre për shkak të kushteve ekonomike, të mungesës së minimumit për të jetuar, për shkak të fatkeqësive natyrore, të luftrave e të problemeve shoqërore. Ata kanë të drejtë të mos emigrojnë, të jetojnë në vendin ku kanë lindur e ku kanë të dashurit e tyre, prandaj duhen ndihmuar për t’ia arritur këtij qëllimi. Shpesh, denoncon Ati i Shenjtë, shtegtimi i shpresës kthehet në kalvar për të mbijetuar e kjo e lëndon dinjitetin e emigrantit.
Nuk mund të harrohet, thekson Papa, çështja e emigracionit të parregullt, sidomos kur ai realizohet përmes trafikut dhe shfrytëzimit të personave, veçanërisht të grave e fëmijëve. Nga njëra anë, këshillon Benedikti XVI, duhen dënuar ashpër këto fenomene, por nga ana tjetër, zgjidhja nuk mund të jetë mbyllja e kufijve dhe rritja e sanksioneve kundër emigrantëve të parregullt. Ati i Shenjtë uron të ndërhyhet në vendet e varfëra me projekte për zhvillimin e tyre, duke pasur gjithnjë parasysh rastin e veçantë, për të cilin kërkohet mbrojtje humanitare, ose strehim politik.
Më pas në Mesazh, roli i Kishës Katolike. Ajo, thekson Papa, duhet të shmangë rrezikun e asistencializmit, në favor të integrimit të vërtetë e të plotë të emigrantëve, që duhet të jenë anëtarë aktivë e të përgjegjshëm të shoqërisë, me të drejta e detyra të barabarta me qytetarët e vendit mikpritës. Vetëm në këtë mënyrë, ata mund të kontribuojnë për të mirën e përbashkët e mund t’i pasurojnë bashkësitë e krishtera me dëshminë e tyre të fesë, duke u dhënë gjallëri të re.
Kardinali Veliò: asnjë shtet nuk ka të drejtë t’i dëbojë emigrantët/Mesazhi i Benediktit XVI për Ditën Botërore të Emigrantit 2013 u paraqit dje në Sallën e Shtypit të Vatikanit, në një takim, kryesuar nga kreu i dikasterit vatikanas për emigrantët, kardinali Antonio Maria Veliò. Hirësia e tij ripohoi se çdo shtet ka të drejtë t’i mbrojë qytetarët e tij, por asnjë shtet nuk ka të drejtë t’i flakë jashtë emigrantët.
Fjalët e fundit, që u thanë në konferencën e shtypit kushtuar paraqitjes së Mesazhit papnor për Ditën e Emigrantit, ishin theksim i bindjes së qartë e të drejtpërdrejtë të kreut të dikasterit vatikanas për emigracionin. Kur një gazetar e pyeti si duhet kuptuar pika e dokumentit, që trajton rregullimin e flukseve të emigrantëve, duke u interesuar edhe në se Vatikani është pro apo kundra kontrollit të fortë mbi ta, kardinali Veliò dha përgjigjen: “Përballë procesit të emigrimit, nuk mund të flitet për njërin, që e inkurajon, e tjetrin, që e shkurajon. Për njërin, që përpiqet të zgjidhë problemet lindur nga ky proces, e tjetrin, që nuk përpiqet. Unë besoj se asnjë shtet në botë nuk ka të drejtë t’i flakë jashtë emigrantët, por edhe se asnjë shtet në botë nuk duhet të jetë aq naiv, sa t’ua hapë portat të gjithë atyre, që do të dëshironin ta kapërcenin këtë prag. Ka ligje e shteti duhet ta mbrojë identitetin kulturor, mirëqenien, vetë nënshtetasit e vet. Por kjo nuk do të thotë se ka edhe të drejtën t’i dëbojë emigrantët”.
Në hapje të konferencës së shtypit, vetë imzot Veliò, përveç aspekteve humanitare të punës së zhvilluar nga Kisha në ndihmë të emigrantëve, theksoi edhe përmasën fetare të fenomenit. Emigranti, tha Hirësia e Tij, nuk duhet parë thjeshtë si një trup që lëviz, me kërkesa, ëndrra, shpresa, por edhe si shpirt, i ngarkuar me bindje, në të cilat beson.
E duke cituar një studim të vitit 2012, titulluar “Feja në shtegtim”, që vë theksin mbi fenë e emigrantëve lidhur me vendin, ku emigrojnë, domethënë, me dhjetë shtetet më të prekura nga ky fenomen (Federata Ruse, Ukraina, Gjermania, Franca, Mbretëria e Bashkuar e Spanja, por edhe Arabia Saudite e India), kardinali kujtoi se kombi më emblematik në këtë drejtim janë SHBA, me rreth 43 milionë të huaj, të strehuar, nga të cilët, 32 milionë të krishterë, posaçërisht meksikanë: “Këta numra flasin për burimet e pasura fetare, që sjellin me vete emigrantët, e njëkohësisht dëshmojnë se ata shpresojnë shumë në ndihmën e bashkësive të krishtera, në gjirin e të cilave do ta jetojnë fenë”.
Prej këndej, shtoi kardinali, Kisha, në veprimtarinë e saj bamirëse e baritore, nuk duhet ta harrojë kurrë përmasën fetare, por duhet të jetë gjithnjë shembull në impenjimin për t’i mbrojtur me të gjitha forcat dinjitetin e të drejtat e emigrantëve: “Kisha ka një rol të rëndësishëm në procesin e integrimit. Ajo përgjigjet me vënien e njeriut dhe të dinjitetit të tij në qendër të vëmendjes, me porosinë që të mbrohen pakicat, duke vlerësuar kulturat e tyre, ndihmesën në favor të paqes universale, përmasën kishtare e misionare të fenomenit të emigracionit, rëndësinë e dialogut dhe të ballafaqimit brenda shoqërisë civile, bashkësive kishtare dhe konfesioneve e feve të ndryshme”. Kujtojmë se fenomeni i emigracionit vijon të jetë tejet aktual. Kushtet e sotme ekonomiko-politike i shtyjnë 740 milionë emigrantë ndërkombëtarë (sipas llogarive të Organizatës Botërore të Emigracionit, në vitin 2011), pa llogaritur këtu refugjatët e njerëzit që kërkojnë strehim, jeta e të cilëve shpesh, siç theksoi në konferencën e shtypit imzot Jozef Kalathiparambili, sekretar i dikasterit papnor, është një kalvar i vërtetë, që nis me shtegtimin në varka të vjetra, nëpër detëra të trazuara, e përfundon me një jetë dramatike, tepër të njohur për të gjithë ata, që e kanë provuar sa e trishtuar është të ngjitësh shkallët e huaja e të hash bukën e huaj!Pikërisht përkrah këtyre njerëzve është Kisha e për ta, Mesazhi i Papës, drejtuar mbarë botës.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›