Mania e vetëpërbaltjes – një kompleks
Ishte koha e aksioneve me goditje të përqendruar. Fund tetori ose fillim nëntori, nuk më kujtohet. Mbaj mend se, pasi patëm ecur baltovinave nëpër errësirën e pasmesnatës, që me agun e parë filluam punën për hapjen e kanalit kullues. Shiu s’na u nda gjithë paraditen. Nga dreka doli një sy diell. Kur mbaruam normën, dy a tri orë pas mesit të ditës, qielli u kthjellua dhe jetëdhënësi i rruzullimit shkëlqeu fuqishëm. Çizmet ngarkuar deri në grykë, të baltosur si mos më keq, morëm udhën drejt vendit ku do të pritej shiriti i përurimit. Diku, në një vijë uji, u pastruam si mundëm. Vajzat e klasave të larta na i lanë fëshfëshet, kurse djemtë i nderën nëpër degë pemësh ose mbi shkurre. Fëshfëshet e holla kulluan sakaq dhe, nën rrezet e fuqishme të diellit, u terën, duke nxjerrë në pah ngjyrat e vërteta. Flitej se shkolla jonë kishte dalë e para mes shkollave dhe ndërmarrjeve të qytetit. Drejtori ishte mprehur ta merrte flamurin drejtpërdrejt nga dora e Sekretarit të Parë të Komitetit të Partisë, i cili pritej të vinte nga çasti në çast. Maturanti hokatar, Luani, njëri ndër nxënësit e mi më të mirë, e gërgiti drejtorin, demek se ashtu, i larë e i pastruar, do t’i ngjante shokut sekretar jo si aksionist, por si dasmor. Drejtori nuk e zgjati. U përkul, llackosi të dyja duart në baltë dhe i fshiu në fytyrë e në rroba, që të meritonte lavdërimet e rastit.
Ç’e shtyu drejtorin tonë të vetëpërbaltej? Frika e ndonjë dhëmbi në organizatën bazë të partisë si njeri me mbeturina mikroborgjeze, frika se kushedi ç’i shkrepej autoritetit më të lartë komunist të rrethit, dëshira që të përfitonte prej buzëqeshjes së tij, shtysa për të mbijetuar në pozitën e drejtorit a për të fituar ndonjë tjetër më me leverdi? Nuk e di cila syresh më shumë e cila më pak. Ndoshta të tëra bashkë. Ndoshta vetëm kompleksi i servilizmit ndaj të fuqishmit, çka i nënkupton të gjitha, madje edhe ca më shumë.
Një dëshirë e çuditshme vetëpërbaltjeje vihet e re sot, bash në radhët një takëmi intelektualësh, sipas meje, me komplekse mitomanie. Nuk është fjala në kuptimin e drejtpërdrejtë të emrit vetëpërbaltje. Asnjëri syresh s’besoj ta ketë përkulur ndonjëherë shpinën që të përlyejë duart me baltë dhe pastaj të llackoset në flokë, në fytyrë e në rroba. Qibra e tyre është ku e ku më e madhe se ajo e një drejtori mjeran të një shkolle të mesme të regjimit komunist. Pretendimet, gjithashtu. Nëse drejtori ynë s’pati ndonjë pretendim kushedi se çfarë dhe e llackosi veten me baltë që të bëhej i besueshëm e i pëlqyeshëm i regjimit, pretendimet e intelektualëve tanë të sotëm, pengje të mitomanisë dhe të ca komplekseve të tjera, i tejkalojnë caqet e vetvetes, vijnë e marrin përmasa gjithëpërfshirëse, të frikshme, deri në dëm të interesave kombëtare. Kujt i shërben sot, fjala vjen, përbaltja e figurës së Skënderbeut me botime e stërbotime, mbase të qëllimshme, madje tamam në këtë 100-vjetor të Pavarësisë? Kujt i shërben përbaltja e virtyteve dhe e vlerave tona të trashëguara, që na kanë mbajtur gjallë si komb?
Nuk ka sens krahasimi me gjestin e ish-drejtorit tënd, do të thotë ndokush. Përkundrazi. Jo vetëm që ka, por edhe referencat përkatëse janë të njëjta, ndonëse jo barabar të dëmshme. Nëse i pari u rrek të fitonte simpatinë e një hiçi, pa dëmtuar kënd, veç duke përbaltur vetveten, pala e dytë rreket të tërheqë vëmendjen e mjedisit, ndoshta edhe të qarqeve antishqiptare, duke përbaltur figura qendrore të historisë sonë ose vlera e ëndrra që na kanë mbajtur gjallë si komb, me shpresën e rreme se do të konsiderohen origjinalë. Nëse i nxit nënndërgjegjja apo e bëjnë me ndërgjegje të plotë, kjo është çështje që duhet diskutuar. Ama, ndryshimet e vetmet qëndrojnë te brendia e shtysave dhe te masa e dëmit. Shtysa e të parit: kompleksi i servilizmit. Dëmi, vetjak. Shtysat e palës tjetër: mitomania, përzier me komplekse inferioriteti, nëmos më keq, me kriza të identitetit gjenetik, që e nxitin bartësin drejt qasjeve antikombëtare. Dëmi, për fat të keq, është gjithëpërfshirës, mbarëkombëtar.
Kemi pasur rastin kohët e fundit të ndeshemi në shtypin e përditshëm me justifikime - sipas meje të çuditshme - se përkthimi i veprës së historianit Schmidt për Skënderbeun është një kontribut i ri në studimet historike që lidhen me epokën e Heroit tonë Kombëtar. Mundet! Gjithsesi, pyetja ime është: A duhet t’u besojmë pa një, pa dy, zbulimeve të studiuesit austriak apo t’ua lëmë shkencëtarëve të fushës përkatëse të merren me to? Personalisht, do të isha për të dytën.
Në këtë rrjedhë diskutimesh, ndoca qahen se, në opinionin e përgjithshëm, lidhur me figurën e Fatosit Shqiptar, nuk mund të ndahet miti nga e vërteta historike. Ç’të keqe sjellka për një ose disa individë të veçuar, historianë ose jo, ndërthurja e mitit me të vërtetën historike? Nëse, sipas tyre, ne paskemi vuajtur nga kjo ndërthurje e historisë me mitin, jam i bindur se, për të kundërtën, do të dëshpëroheshim thellësisht në shumicë dërmuese, madje në rang kombëtar.
Ndoca të tjerë, zbulimet e historianit austriak na i paraqitin si prurje të metodologjive moderne të studimeve historike, mbi të cilat duhet të thellohen edhe historianët tanë, të gjallë e të vdekur. Sipas meje, që e shoh çështjen nga këndvështrimi i një gazetari shqiptar, s’ka ndonjë të keqe që metodologjitë moderne të diskutohen në sezone akademike me historianët e gjallë. Do të ishte produktive që secili të sillte kontributin e vet, falë prirjeve dhe metodologjive që e kanë udhëhequr deri sot. Të vdekurit e kanë dhënë kontributin që për së gjalli. Vepra e tyre nuk është e paprekshme, ama, gjithsesi, duhet marrë në konsideratë, pa e fshirë me një të rënë të lapsit, ngase një historian i ditëve tona paska zbuluar ca të reja për prejardhjen e Vojsavës. S’do mend, ka edhe historianë që kenë zhbiruar sa komça ka pasur aksh xhaketë e Napoleonit. Pse të mos pranojmë që një tjetër historian të gërmojë prejardhjen e së ëmës së Gjergj Kastriotit, ose sa qime të thinjura ka pasur mjekra e Skënderbeut? Të vërteta kësisoj, Fatosit Shqiptar s’i heqin gjë më tepër se ç’u ka hequr ca carëve të Rusisë prejardhja e tyre gjermane.
Mirëpo, kur zbulime të një vlere të papërfillshme në krahasim me aktin madhor të veprës së Skënderbeut për epokën dhe për të ardhmen e shqiptarëve hidhen në tregun e shumicës, puna ndryshon, pasi atje ble gjithkush, i dituri e i padituri. Atëherë do të bëhej me të vërtetë shqetësuese pamundësia e ndarjes së të vërtetës historike, nga propaganda antikombëtare.
E vërteta historike e mitizuar, qoftë kjo e shprehur përmes veprave të artit maçist, nuk na ka sjellë ndonjë dëm deri më sot. Përkundrazi, na ka mbajtur gjallë e na ka frymëzuar krenari kombëtare, krenarinë e munguar e të goditur rëndë gjatë gjysmëshekullit të regjimit komunist. Vështirë ta ketë përfytyruar ndonjë brez shqiptarësh Skënderbeun pa kalin e harbuar dhe pa pallën legjendare. Në fund të fundit, dukuri të tilla nuk janë thjesht shqiptare. Përmes migrimit të dukurive sociale, historike, kulturore nga një trevë, në tjetrën, ne dhe fqinjë tanë – madje edhe përtej trevave fqinjësore - kemi dhënë e kemi marrë, pra kemi përfituar dhe kemi përvetësuar reciprokisht me popujt e tjerë. Nëse një grusht individësh të veçuar do të ndiheshin keq nga kjo e vërtetë dhe shërimin e krizave të tyre “identitare” ose mitomane do ta gjenin te zbulimet e Schmidt-it, le t’i përdorin ato si terapi, deri që të gjejnë veten në një shoqëri tjetër, ndryshe nga kjo e jona, sado që nuk do t’ua dëshironim kurë.
Në qoftë se një takëm individësh, historianë ose jo, kanë vënë në shënjestër figurën e Skënderbeut, që të na zhbëjnë 500 vjet histori, ndoca të tjerë kanë marrë nishan virtyte e vlera të tjera kombëtare shqiptare. Është fakt i pamohueshëm që disa media të shkruara ose elektronike i mëshojnë deri në tejskaj dhunës dhe krimit, duke i kërkuar ato me qiri ngado e kudo. Para do ditësh lexova diku se nuk do t’u besonim syve, nëse do të shihnim gazeta “pa pikë gjaku”, që në faqen e parë. Sipas meje, një konstatim me vend. Në shtyp, kronika e ashtuquajtur “e zezë” ka vendin e vet domethënës, gjithherë në kufijtë e së pranueshmes. Nga ky këndvështrim, jo rrallë, shtypi luan një rol të veçantë për frenimin e krimeve. Por, kur kronika merr përparësi dhe qëmtohet me qëllim që të shiten sa më shumë ekzemplarë me tituj të bujshëm dhe me foto “pa censurë”, roli i saj tjetërsohet në të kundërtën. Edhe më keq ndodh me hidh-e-pritet pa doganë, kur mendimet e shumëkujt shkojnë deri në absurditet. Diku lexova sikur ne, shqiptarët, “kulturën e dhunës” e paskemi të trashëguar. Aspak e besueshme, derisa historia jonë flet për të kundërtën. Mjaft t’i hedhësh një sy Kanunit, ku edhe gjakmarrja, shfaqur si “rregullator” në kushtet e mungesës së shtetit, ka pasur kufizimet e veta. Gjakësi vriste, por dhunë nuk ushtronte, madje kishte detyrim ta kthente viktimën sëmbari. Atëherë, a nuk ngjan tepër dashakeqe të fshish me një të rënë të lapsit traditën tonë të besës ose të mikpritjes, fjala vjen, dhe t’u mëshosh ca rasteve dhune që vërehen rëndom kudo në botë? Nëse ndokush e kërkon “kulturën e trashëguar të dhunës” në disa shprehje përkëdhelie si: “të hëngsha syrin”, “do të të ha si llokum”, “të të ha pak gushën”, “të ta këpus pak këmbkën” etj., unë do të thosha se këto nuk kanë të bëjnë aspak me dhunën, por me një afeksion të tejskajshëm, aspak të dëmshëm. Përveç kësaj, ato janë pasuri gjuhësore me vlera të pakrahasueshme shprehjeje, të cilat nuk mungojnë edhe në gjuhë të tjera.
Nëse qëmtuesi i përkëdheljeve “të dhunshme” do të ngulte këmbë të më mbushte mendjen se dhuna te përkëdheljet tona “merr nganjëherë karakter kanibalesk”, atëherë unë do ta siguroja se deri më sot, asnjë shqiptar nuk ia ka ngrënë, ta zëmë, syrin e zi të partneres, sado të bukur ta ketë pasur. As syrin e bardhë, as gushën, as faqen ose buzët qershi. S’di ndonjë teze të ketë bërë tavë me këmbkat e mbesës, pjekur në furrë. Asnjë nënë nuk ka vdekur se i ka thënë fëmijës “vdeksha unë për ty”. Dhe, po të ketë vdekur vërtet, atëherë ajo e ka çmuar se duhej të sakrifikonte, që t’i hapte rrugë jetës. Poeti rus Lebedev e mbyll poezinë e tij “Zemra e nënës”: “Mos zgjohej vogëlushja, ahere ngadal’ / në gjiun e nënës, dhe zemra u ndal...”.
Dhe, së fundi, nëse qëmtuesi i përkëdheljeve tona “të dhunshme” do të arrinte në deduksionin se “jo pak psikologë ose psikiatër mund t’i konsiderojnë këto si simptoma që dëshmojnë se ne vazhdojmë ta ruajmë e ta zhvillojmë kulturën e dhunës”, do ta këshilloja, jo pa dhimbje, të mos e humbte rastin të këshillohej sa më parë me ndonjë psikiatër. Cilido psikiatër në botën tonë, përveç ndonjë jashtëtokësori që s’di sesi do të reagonte, them se do të interesohej më së pari të dinte kujt i shërben në këtë rast vetëpërbaltja.