E Shtunë, 31 Tetor 2026

Benzema: Po, pas golit shqiptar ishim në panik

TIRANE-Fitorja me Shqipërinë nuk e ka lënë edhe aq të kënaqur trajnerin Loran Blank, i cili ka paralajmëruar skuadrën e tij për takimin e radhës në Rumani. Duke folur në uebsajtin zyrtar të UEFA-s, tekniku i "Gjelave" ka përsëritur edhe njëherë vështirësinë e sfidës së zhvilluar të premten në mbrëmje, por sipas tij, ekipi duhet të përmirësohet në rast se dëshiron të fitojë edhe në tokën rumune. "Shqipëria bëri shumë presion në pjesën e dytë dhe ne humbëm pak qetësinë, - deklaroi Blank. - Në Rumani do të jetë e vështirë, sepse ne kemi një objektiv për të arritur, vajtjen në Europian. Tani nuk jemi ende aty edhe pse jemi të parët në grup", shtoi ai. "Ne i rritëm jo pak shanset tona për kualifikim, duke fituar në Tiranë, - tha kapiteni Alu Diarra. - E kemi fatin në duart tona, sepse nëse fitojmë ndeshjet e mbetura, atëherë do të jemi të parët". "Duam të zëmë vendin e parë, - deklaroi mbrojtësi Erik Abidal. - Presim një ndeshje më të vështirë në Rumani, sepse kjo skuadër luan pak më mirë se Shqipëria". Ndërkohë, ylli i mbrëmjes së 2 shtatorit, Karim Benzema, ka treguar se francezët patën një moment frike pas golit të Bogdanit. "Kishte një moment paniku dhe hezitimi pas golit të Shqipërisë. Për fat, asgjë nuk ndodhi. Ne treguam soliditet dhe e menaxhuam shumë mirë fitoren", u shpreh sulmuesi i Realit të Madridit. Për ndeshjen e nesërme, Blank do të ketë të gatshëm edhe mbrojtësin Adil Rami, i rikthyer nga pezullimi. Pritet që në stol të ulet Kabul, autor i një paraqitjeje zhgënjyese ndaj Shqipërisë.
Franca do të largohet sot nga Tirana, për të udhëtuar drejt Rumanisë, ku nesër në mbrëmje do të kërkojë një tjetër fitore.

(d.b/a.latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›