E Diel, 1 Nëntor 2026

Berat, refuzohet fejesa, rrihen familjarët e djalit, 6 të plagosur

BERAT- Refuzimi i fejesës së dy të rinjve për pak sa nuk ka shkaktuar tragjedi në një fshat të Beratit. Grindjet dhe konfliktet mes pjesëtarëve të familjes së djalit dhe asaj të vajzës ka degjeneruar deri në përleshje.

Burime zyrtare nga drejtoria e policisë së këtij qarku bëjnë me dije se të afërmit e dy të rinjve janë rrahur mjete të forta dhe për pasojë kanë mbetur të plagosur 6 persona, njëri prej të cilëve, Ylli Zenuni është në gjendje kritike për jetën në spitalin Ushtarak të Tiranës.

Të dëmtuarit, mes të cilëve dhe dy gra janë pjesëtarë të familjes së djalit. Ngjarja e rëndë u shënua në orët e vona të mbrëmjes të së shtunës në fshatin Tozhaj të Beratit. Ndërkohë, policia ka shoqëruar babain, xhaxhain, vëllanë e vajzës si dhe nipin e tyre. Bëhet fjalë për Tajar Fushtanin, Bajram Fushtanin, Romeo Fushtanin, përkatësisht 54, 56 dhe 23 vjeç si dhe nipin e tyre 29-vjeçarin Krenar Turani, të cilët akuzohen për "plagosje të rëndë me dashje, kryer në bashkëpunim".
KONFLIKTI
Sipas policisë lokale, konflikti mes familjes Zenuni dhe familjes Fushtani ka nisur rreth dy javë më parë. Mësohet se familja Zenuni ka kërkuar dorën e vajzës së familjes së Ali Fushtanit për djalin e tyre. Por, babai i vajzës nuk ka pranuar që e bija të fejohej me djalin e familjes Zenuni. Pavarësisht refuzimit të kryefamiljarit, familja Zenuni ka vazhduar përpjekjet për lidhjen e miqësisë. Fjala për fejesën e mundshme të dy të rinjve është përhapur në të gjithë fshatin. Kjo ka shqetësuar prindërit dhe të afërmit e vajzës, të cilët kanë vendosur që të sqaroheshin njëherë e mirë me familjen Zenuni. Mbrëmjen e së shtunës ata kanë shkuar tek shtëpia e familjes Zenuni, por debatet e forta mes palëve kanë përfunduar në përleshje të përgjakshme.
(s.g/GSH/balkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›