E Shtunë, 31 Tetor 2026

Opozita fund bojktotit, axhenda e Kuvendit s'ka miratim ligjesh

TIRANE- Kuvendi nis sot punimet e sesionit të ri parlamentar ku do të jetë e pranishme edhe opozita e majtë. Në seancën e sotme e cila do të mblidhet në orën 18:00, do të miratohet kalendari tre javor ndërkohë që përveç fjalës së krerëve të grupeve parlamentare demokratit Astrit Patozi dhe socialistit Gramoz Ruci nuk do të ketë miratim të ligjeve.

Grupi parlamentar i Partisë Socialiste pritet të mblidhet paraditen e sotme për të vendosur për qëndrimin që do të mbajë në këtë sesion parlamentar. Mbledhja parashikohet të mbahet nesër në mesditë, pak orë përpara fillimit të seancës së parë, të sesionit të parë parlamentar, dhe parashikohet të vendosë për qëndrimin që do të mbajë Partia Socialiste sa i përket ligjeve që kërkojnë shumicë të cilësuar votash në parlament.

Konferenca e kryetarëve të grupeve parlamentare, ku ishte i pranishëm edhe kryetari i grupit të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi, miratoi të premten në unanimitet, draft-kalendarin tre javor të punimeve parlamentare, në të cilin përfshihen edhe ligjet me shumicë të cilësuar që janë kode, dhe ligji për Gjykatën Administrative.

Opozita kërkoi në këtë konferencë që të rikthehen në komisione ato ligje që janë kaluar pa praninë e opozitës. Kuvendi nga ana e tij ka zbardhur axhendën e sotme të seancës së parë të sesionit të ri parlamentar. Konkretisht pika e parë është hapja e punimeve të Kuvendit për sesionin e V-të të legjislaturës së XVIII, miratimi i procesverbalit të seancës plenare, Njoftim për miratimin me konsensus të programit të punës së Kuvendit për periudhën 5 shtator - 14 tetor 2011 dhe njoftim për miratimin me konsensus të kalendarit 3 javor të punimeve të Kuvendit për periudhën 5 shtator - 23 shtator 2011.
APELI I TOPIT
Me fillimin e sesionit të ri parlamentar, Presidenti i Republikës, Bamir Topi iu drejtua dje partive politike me një mesazh ku u bëhet apel që të heqin dorë përfundimisht nga çdo formë e bojkotit, me pasoja të rënda për demokracinë, integritetin e parlamentit, për qytetarët dhe për vendin. Në mesazhin drejtuar 140 deputetëve në sesionin e vjeshtës, ku rikthehen dhe socialistët kreu shtetit, bën thirrje për ulje tonesh dhe bashkim votash për ligjet e rëndësishme.Topi kujton se parlamenti e ka për detyrë dhe përgjegjësi të jetë faktor me rëndësi pro partneritetit midis institucioneve, të dëgjojë fjalën e tyre, të shprehet me votë, por edhe të respektojë pa ekuivok integritetin e tyre kushtetues.
(s.g/GSH/BalkanWeb) Lidhje te tjera Topi: Parlamenti jo shtojcë e qeverisë

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›