E Shtunë, 31 Tetor 2026

Beograd, 51% e serbëve nuk do ta dorëzonin Mlladiçin

Më shumë se gjysma e serbëve, saktësisht 51 %, nuk do ta dorëzonin të akuzuarin nga Tribunali i Hagës për krime lufte në ish Jugosllavi, Ratko Mlladiç. Vetëm shtatë përqind e banorëve serbë do ta tregonin vendndodhjen e tij që të merrnin më pas shpërblimin prej 10 milionë euro.

Këto të dhëna janë nxjerrë nga hulumtimi i opinionit publik i realizuar në fillim të majit. Të dhënat përmes një interviste për mediat serbe i ka publikuar, Presidenti i Këshillit Kombëtar për bashkëpunim me Tribunalin e Hagës dhe Ministri për Punë Sociale në Serbi, Rasim Ljajiç.

Sipas Lajiç, vetëm 34 % e serbëve e mbështesin arrestimin e tij, ndërsa 40 % e tyre besojnë se ai është një hero i akuzuar.

Ndërkaq, vetëm 29 % e serbëve besojnë që qeveria e tyre do ta gjejë dhe më pas arrestojë Ratko Mlladiçin. Sipas Lajiçit, këto të dhëna janë më shumë një reagim i qytetarëve të Serbisë ndaj situatës së rëndë ekonomike dhe sociale.

“Ambienti është i tillë që qytetarët kërkojnë për fajtorë për pakënaqësitë e tyre,” ka thënë Rasim Lajiç.

Sipas ministrit serb, banorët e Serbisë mendojnë që për këto çështje janë fajtorë pushteti dhe presionet e bashkësisë ndërkombëtare.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›