E Shtunë, 31 Tetor 2026

Beograd, ministrat e jashtem mblidhen sot per Kosoven

BEOGRAD- Ministrat e punëve të jashtme të Serbisë, Spanjës dhe Turqisë, do të takohen sot në Beograd, për të gjetur një zgjidhje për mënyrën e paraqitjes së Kosovës në konferencat ndërkombëtare rajonale.

Gazeta ‘Blic’bën të ditur se takimi i treshes, Vuk Jeremic, Miguel Angel Moratinos (në rolin e përfaqësuesit të Këshillit të ministrave të BE-së) dhe Ahmet Davutoglu, do të jetë kyç për gjetjen e formulës së re të bashkëpunimit rajonal, ashtu që asnjëri vend të mos përjashtohet nga dialogu. Pas këtij takimi, janë planifikuar konsultime ndërmjet anëtareve të BE-së dhe administratës së Brukselit lidhur me marrëveshjet e arritura, ndërsa finalizimi pritet të ndodhë javën e ardhshme, gjatë vizitës së ministrit të Jashtëm të Italisë, Franco Frattini, në Beograd.

Temë e takimit të sotem do të jetë konferenca e Sarajevës, sigurimi i pjesëmarrjes së të gjitha shteteve të rajonit, duke përfshirë edhe Kosovën, por edhe çështjet e veprimeve të mëtejshme, pasi Gjykata Nderkombetare e Drejtesise të japë mendimin për pavarësinë e Kosovës. Nga konferenca e Sarajevës, që mbahet më 2 qershor dhe organizohet nga Spanja si udhëheqëse e BE-së, pritet hapja e perspektivave të reja për të gjitha vendet e Ballkanit perëndimor në integrimet evropiane. Mirëpo, BE dëshiron që paraprakisht të gjejë mënyrën që në të, të marrin pjesë edhe zyrtarët e Beogradit edhe ata të Prishtinës.
(s.g/BalkanWeb)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›