Beogradi: Kosovën nuk e ftoi Maqedonia

Zëvendëskryeministri i parë i Qeverisë së Serbisë, Aleksandër Vuçiq ka deklaruar sot se Serbia nuk ka shkelur marrëveshjen e Brukselit duke pohuar se Maqedonia, si organizatore e Samitit të Ohrit, vetë ka vendosur që të mos e ftojë Kosovën.
“Maqedonia vetë ka marrë vendim që Kosova të mos marrë pjesë në samit ndërsa kësaj i kanë kontribuar dhe kërkesat e disa vendeve tjera”, ka thënë Vuçiq për mediat serbe, duke shtuar se kjo nuk kishte lidhje me marrëveshjen e Brukselit.
“Të gjitha marrëveshjet e mëhershme të cilat vendi ynë i kanë nënshkruar, nuk i ka shkelur”, ka pohuar Vuçiq duke shtuar se nuk është i informuar për detajet.
Mirëpo në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Serbisë kanë pohuar se Kosova nuk është ftuar në samit pasi Serbia dhe dy shtete të tjera kanë kundërshtuar praninë e saj në Samit./Indeksonline/