E Diel, 1 Nëntor 2026

MASHT shkelë 5 herë ligjin e Prokurimit

Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë është e interesuar që të furnizojë ministrinë më vetura, por nuk e din me sa.

Prokurimi i Ministrisë së Arsimit ka shpallur tender për “Furnim me vetura për nevojat e MASHT-it”, duke e shkelur 5 herë Ligjin e Prokurimit Publik. Në tender nuk është precizuar sasia e veturave, madje nuk janë definuar dhe nuk janë kërkuar aftësitë teknike dhe profesionale duke anashkaluar karakteristikat primare të procedurës së përpilimit të dosjes së tenderit.
Pos shkeljeve të ligjit të prokurimit, ministria këtë aktivitet të prokurimit nuk e kishte paraparë fare për vitin 2013.

Shkeljet e ligjit i ka vërejtur, Agjencia kundër Korrupsionit, e cila i ka drejtuar dje një opinion Ministrisë së MASHT-it, përmes së cilës kërkohet që ti ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për evitimin e shkeljeve të evidentuara në lidhje me tenderin, “ Furnizimi me vetura për nevojat e MASHT-së”, në mënyrë që të mundësohet respektimi i dispozitave të Ligjit për Prokurimin Publik.

Nga zyra e prokurimit e Ministrisë së Arsimit është përgatitur “Njoftimi kontratë” e cila është publikuar në faqen elektronike të KRPP-së me datë 24 Prill.

“Deklarata e Nevojës dhe Përcaktimit të Disponushmërisë së fondeve nga Ministria e Arsimit është përpiluar më datë 08 Janar 2013, por ky planifikim dokumenton se nuk është paraqitur fare aktiviteti i prokurimit në fjalë. Më pas kërkesa për inicimin e procedurave të prokurimit për blerjen e veturave për nevojat e MASHT-it, figuron me të njëjtën datë, por e pa precizuar për sasinë e veturave”, ka vërejtur Kundër korrupsioni.

Ndërkaq e gjithë kjo, sipas Agjencisë, si për habi nuk është e përfshirë në Planifikimin e Prokurimit për vitin 2013, që konsiderohet hapë nismëtarë për secilin aktivitet të profumit nga Autoritetet Kontraktuese.

“Kjo le të kuptohet se Planifikimi i prokurimit për vitin fiskal 2013 nuk ishte në dispozicion të Agjencisë kundër Korrupsionit për kryerjen e punës zyrtare, ani pse ka figuruar në kërkesën për dokumentacion drejtuar Kundër korrupsionit për kryerjen e punës zyrtare. Dosja e tenderit është përgatitur më datë 22 prill. 2013. Në dosjen e tenderit nuk janë definuar dhe nuk janë kërkuar Aftësitë teknike dhe profesionale duke anashkaluar karakteristikat primare të procedurës së përpilimit të dosjes, vlen të theksohen të tillat: autorizimi, garancioni, mirëmbajtja, katalogët dhe afatin e lifterimit”, thuhet në opinion e Agjencisë, që i është adresuar Drejtorit të Prokurimit në Ministrinë e Arsimit, Xhemajl Buzuku, dhe Sekretarit të Përgjithshëm, Xhavit Dakaj.

Por, kjo nuk ëhstë e gjitha. “Në vazhdën e listës së specifikacioneve e cila ishte e pa formatizuar në bashkëlidhje. Gjithashtu përveç në kërkesën e njësisë kërkuese, as në dosjen e tenderit nuk është paraqitur fare sasia e veturave me të cilat duhet të furnizohet Ministria”.

Përfundimisht Agjencia ka sugjeruar Ministrinë, konkretisht Zyrën e prokurimit, që të përpiloi dosjen e tenderit me specifikacione të cilat i lejojnë inkuadrim të barabartë kompanive në këtë aktivitet të prokurimit.

Ky veprim i Zyrës së Prokurimit, sipas AKK-së, jep mundësi që të ngjajë veprime të kundërligjshme, e për këtë është i arsyeshëm anulimi i procedurës së prokurimit, në të kundërtën veprimet e tilla janë shkelje e dispozitave të Ligjit të Prokurimit Publik, si neni 7 (Barazia në trajtim/Jo diskriminim), neni 8 ( Planifikimi i prokurimit), neni 27 (Dosja e tenderit), neni 28 (Specifikat teknike), neni 69 (Aftësia teknike dhe Profesionale)./M.B/Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›