Beogradi kërcënon Shkupin për njohjen e Kosovës
Ambasadori serb në Maqedoni, Zoran Popoviç, deklaron se nëse Maqedonia do ta pranojë pavarësinë e Kosovës, atëherë marrëdhëniet mes dy vendeve do të jenë shumë serioze. Në një intervistë për Televizionin maqedonas A1, siç citon agjencia e lajmeve shqiptare në Maqedoni Ina, diplomati serb është shprehur se "Beogradi pret që Maqedonia të vazhdojë me politikën neutrale ndaj këtij problemi". Në pyetjen se çfarë hapash do të ndërmerrte Beogradi, nëse Maqedonia pranon pavarësinë e Kosovës, Popoviç ka thënë se Serbia ka qëndrim principal, “nga të gjitha vendet të cilat e pranojnë Kosovën, në një afat prej 48 orësh do t’i tërheq ambasadorët në shenjë proteste për shkak të mohimit të legjitimitetit dhe sovranitetit të Serbisë, si një shtet i tërë”. Fillimi i negociatave për demarkacionin e kufirit verior maqedonas me zyrtarët e Kosovës, sipas Popoviç, do të thotë se Maqedonia në njëfarë mënyre e ka mohuar sovranitetin e shtetit serb në territorit e tij. Gjatë intervistës së tij ambasadori Popovic nuk ka harruar të kujtojë se në lidhje me çështjen e emrit Serbia ka qenë ndër të parat që e ka pranuar emrin kushtetues të Maqedonisë dhe se nuk dëshiron t’i acarojë marrëdhëniet me njërin fqinj, për t’i përmirësuar me një tjetër.