Beogradi kerkon planin e OKB

Plani i qeverisë së Kosovës është i pavlefshëm. Serbët shpresojnë se më këtë mision do të konfirmohet sovraniteti, ndonëse opozita e ka cilësuar si njohje të pavarësisë së Kosovës.
Milivoje Mihajllovic, shef i kabinetit për Marrëdhënie me Publikun i kryeministrit serb, thotë për Top Channel se EULEX-i do të sjellë një jetë më të mirë. Sipas tij, serbët e Mitrovicën që kanë nënshkruar një peticion kundër këtij misioni e kanë parë atë me një sy të gabuar.
“Nuk jam i sigurt se të gjithë janë të lumtur me ardhjen e EULEX-it, por mendojë se jeta do të përmirësohet sikurse e serbëve edhe ashtu e shqiptarëve, nëse EULEX-i vjen në Kosovë në bazë të kërkesave të Beogradit”, u shpreh Mihajllovic.
Serbia ka kërkuar që prania ndërkombëtare të ketë rol neutral. Serbët e Kosovës kanë qenë kundërshtar të fortë të misionit evropian dhe vendosjes së gjykatës në veri. Por, zyrtari i qeverisë thotë se të gjitha kundërshtimet janë punë kriminelësh.
“Unë e di që ata që kundërshtojnë vënien e rëndit dhe rregullimit të situatës janë kriminel, para së gjithash pa ngjyrime etnike. Ata kanë interesat e tyre dhe vetëm atyre u leverdis që të qeverisë rrëmuja në Kosovë e Metohi, qofshin shqiptare ose serbe dhe për këtë arsye e kundërshtojnë ardhjen e tillë të EULEX-it në Kosovë”, shtoi zyrtari.
Serbët nuk kanë ndryshuar shumë qëndrim. Por, Mihajllovic thotë se duhet vepruar për afrimin e dy popujve dhe pajtimin e tyre. Bisedimet duhet vazhduar thotë Serbia.
“As shqiptarët s’mund të shkojnë në Bashkimin Evropian pa serbët, e as mund të jetojnë të izoluar. Sa më parë të fillojmë, nuk do thosha në fillim ripajtimin, por duhet ripajtim dhe është shumë me rëndësi të vendosen marrëdhënie të mira, të mos vijë te tensionet e reja dhe frika e re. Ky është qëllimi i kësaj gjenerate që udhëheq Serbinë tani”, tha Mihajllovic. .