E Shtunë, 31 Tetor 2026

Beogradi në mes

Ftesën që iu bë shfaqjes ‘Çifti Martin’ për pjesëmarrje në Festivalin Ndërkombëtar ‘Mucijevi Dani’ në Beograd, drejtoresha e Teatrit Kombëtar të Kosovës, Burbuqe Berisha, e refuzoi lehtë, për shkaqe që mund të cilësohen politike. Autori i shfaqjes, Bekim Lumi, nga ana tjetër, këtë vendim të saj e përjetoi keq – si artist. Gazeta Express zhvilloi një intervistë paralele me të dytë. Doli se Berishën dhe Lumin i ndan një hendek i thellë, sa i përket konceptimit të vetë arsyes së ekzistimit të artit. Nga Faton Raçi më 06 prill 2011 në ora 18:00

Pas disa ftesave në teatrot e ndryshme të vendit dhe të rajonit, në të cilat shfaqja ‘Çifti Martin’, e regjisorit Bekim Lumi, u prit shumë mirë, e njëjta kohë më parë u ftua për pjesëmarrje edhe në festivalin teatror beogradas ‘Mucijevi Dani’.

Mirëpo, përkundër dëshirës së autorit që shfaqja të jepej edhe në kryeqytetin e Serbisë, si njëlloj dëshmie se, përkundër mungesës së mjeteve, edhe tek ne bëhet një art i mirëfilltë skenik, drejtoresha e Teatrit Kombëtar të Kosovës, Burbuqe Berisha, nuk lejoi që shfaqja të nisej drejt Beogradit.

Megjithëse arsyetimi - siç është publikuar në mediat kosovare – kishte të bënte me sigurinë e trupës prishtinase gjatë qëndrimit në Beograd (respektivisht në Serbi), duket se kjo mospërputhje në qëndrimet mes autorit të shfaqjes dhe drejtoreshës së TKK’së, më shumë ka të bëjë me vetë konceptimin e asaj që quhet art. Natyrisht, edhe politika nuk mungoi, edhe pse për artin, të paktën deklarativisht, thuhet se thyen edhe kufijtë që politika zakonisht s’mund t’i thyej.

Mospajtimet ndërmjet Burbuqe Berishës, në cilësinë e drejtoreshës së TKK’së, gjegjësisht të institucionit prodhim i të cilit është shfaqja ‘Çifti Martin’, dhe autorit të saj, regjisorit Bekim Lumi, vërehen edhe në intervistën paralele që EXPRESS zhvilloi me që të dytë. Qartazi se, Berisha dhe Lumi mbajnë qëndrime goxha të ndryshme, jo vetëm për rastin e fundit, por edhe për atë se si duhet kultivuar, afirmuar dhe zhvilluar arti i mirëfilltë skenik kosovar, përgjithësisht. Dhe, përderisa e znj. Berisha mbetet pranë qëndrimit të saj, paksa të politizuar, regjisori Lumi, elaboron në mënyrë të detajuar jologjikshmërinë e këtij vendimi, për ekzistimin e të cilit fajëson vetëm teket personale dhe pseudopatriotizmin e drejtoreshës së TKK’së.

EXPRESS: Si e komentoni ju mendimin, sipas të cilit, shfaqja ‘Çifti Martin’ nuk duhet performuar para publikut në Beograd?

Berisha: Unë asnjëherë nuk kam konstatuar se ‘Çifti Martin’ nuk duhet të shfaqet para publikut Beogradas, por se nuk duhet të nënçmohet vetja dhe institucioni i cili prezantohet, përkatësisht Teatri Kombëtar i Kosovës. Kjo, ngase shfaqja “Çifti Martin” nuk është ftuar atje për të prezantuar Kosovën, por qytetin e Prishtinës.
Serbia ende nuk i njeh pasaportat dhe targat e Kosovës, ashtu siç nuk e njeh ende as shtetin e Kosovës. Udhëtimi me leje speciale për ekipin sjell pasiguri dhe rrezik permanent gjatë udhëtimit dhe qëndrimit nё Beograd, gjegjësisht në Serbi.

Lumi: Mendimi apo pretendimi për ta ndaluar pjesëmarrjen dhe performimin e shfaqjes ‘Çifti Martin’ në Festivalin Ndërkombëtar ‘Mucijevi Dani’ në Beograd është pjesë e mendësisë primitive, provinciale, folklorike dhe pseudopatriotike, me të cilën në këtë rast, për fat të keq, identifikohet një krijuese, e cila është drejtoreshë e përgjithshme e Teatrit Kombëtar të Kosovës. I ashtuquajturi ‘vendim’ i saj, me të cilin ajo arbitrarisht, madje duke mos e përfillur fare mendimin e drejtorit artistik, i cili, konform Ligjit për Teatrin, është përgjegjës për bashkëpunimin ndërkombëtar dhe vendimin e një organi drejtues 9 anëtarësh, siç është Këshilli Drejtues, është tejkalim i kompetencave, shkelje e ligjit dhe injorim i papërgjegjshëm i organeve tjera drejtuese të Teatrit Kombëtar të Kosovës. Kjo, gjithashtu, është censurë staliniste dhe atavizëm i vonuar, përmes të cilit cenohet e drejta universale e shprehjes së lirë artistike dhe e drejta e qarkullimit të ideve. Ndërkaq, preteksti qesharak i ‘rrezikut’ e i ‘pasigurisë’, në emër të të cilit është marrë ‘vendimi’ refuzues, është paranojë dhe fobi e pajustifikueshme.

EXPRESS: Çka humbet, apo çka fiton Teatri Kombëtar i Kosovës, por edhe skena kosovare përgjithësisht me vendime të kësaj natyre?

Berisha: Fiton dinjitetin dhe krenarinë, se ne jemi ata që do të shfaqemi aty ku na respektojnë, me realitetin e ri dhe me fytyrën e re që tashmë e ka Kosova.
Lumi: Me vendime të këtilla të përçudnuara, Teatri Kombëtar i Kosovës e dëmton rëndë imazhin e tij artistik, duke krijuar artificialisht përshtypjen se, para se një institucion artistik, është një konjukturë me karakter ‘politik’. Për aq më tepër, kjo nuk do të duhej të ndodhte kur organizatorët e festivalit, pa asnjë kushtëzim apo paragjykim, e kanë pranuar emërtimin zyrtar të Teatrit Kombëtar të Kosovës. Teatrot Kombëtare janë personifikim dhe përfaqësim i shtetësisë. Me gjeste të këtilla primitive rrënohen përpjekjet për plasimin dhe promovimin ndërkombëtar të vlerave tona artistike kombëtare dhe të vetë imazhit të Teatrit Kombëtar të Kosovës. Kjo praktikë refuzuese e izolon dhe e bunkerizon teatrin tonë, i mbyll shtigjet e bashkëpunimit artistik regjional, i shton dhe zgjeron edhe më tutje paragjykimet raciste në Serbi për shqiptarët si njerëz të ‘paemancipuar’. Për aq më tepër, refuzimi nuk do të duhej të ndodhte kur është fjala për shfaqjen ‘Çifti Martin’, e cila, veç tjerash, e ka brenda vetes edhe rrëfimin tragjik të luftës nga Kosova. Përmes refuzimit, ne e humbim rastin që këtë rrëfim tragjik ta shfaqim në qytetin dhe në vendin ku u projektua lufta, krimi, spastrimi etnik dhe gjenocidi kundër nesh. Pas pjesëmarrjes nëpër disa festivale evropiane dhe vlerësimeve jashtëzakonisht afirmative për shfaqjen ‘Çifti Martin’ edhe nga kritika teatrore ndërkombëtare, ne kemi çka të prezantojmë edhe në këtë festival, prandaj në Beograd, larg çdo inferioriteti, do të duhej të shkonim me pretendimin për superioritet dhe shkëlqim artistik. Gjithsesi, refuzimi tekanjoz është mungesë e sensit për ta kuptuar se arti është mjeti më i mirë për tejkalimin e paragjykimeve dhe keqkuptimeve, të cilat ndërmjet njerëzve, zakonisht, i krijon politika. Në çfarëdo rasti, ky ‘vendim’ refuzues e ka vetëm një të mirë: përmes tij është hapur debati publik mbi një temë tabu, me të cilën ne, nëse duam të jemi pjesë e natyrshme e integrimeve kulturore, ekonomike e politike evropiane, duhet të merremi sot apo e shumta nesër. Refuzimi i vazhdueshëm apo mungesa e përgjigjes mbi këtë temë na lë aty ku jemi: të izoluar, pa liberalizim vizash dhe nën mbikëqyrje e tutorllëk të vazhdueshëm ndërkombëtar.

EXPRESS: A mendoni se arti kosovar (pra, cilado formë e tij) do të avancojë, po qe se ai nuk përballet/krahasohet, fillimisht me atë që krijohet në rajon, e pastaj edhe më gjerë?

Berisha: Kjo vepër artistike ka një vlerë të madhe, dhe si e tillë ka pasur dhe do të ketë shumë prezantime të suksesshme ndërkombëtare, jo vetëm në rajon por edhe më gjerë.

Lumi: Për fat të keq, standardi i teatrit është tmerrësisht larg nga çdo standard i teatrit botëror. Prirja e tij nuk është fare në trend me zhvillimet e teatrit bashkëkohor. Në vend të komunikimit e të hapjes me botën, teatrit kosovar vazhdon të jetë kryesisht i mbyllur në gëzhojën e tij nacionale, gjë që është shprehje e dobësisë, e mjerimit, e impotencës dhe e mungesës së fuqisë së tij kreative. Para se në festivalet regjionale, evropiane e botërore, teatri kosovar vazhdon të bunkerizohet e të mrizojë me shfaqjet e veta nëpër festivalet diletanteske e provinciale të botës shqiptare. Duke u matur dhe duke u krahasuar me vetveten e jo me të tjerët, teatri ynë vazhdon të vetëkënaqet në mjerimin dhe në masturbimin e tij provincial. I ashtuquajturi ‘patriotizëm’ i teatrit dhe, përgjithësisht, i artit kosovar është pseudostandardi më spekullativ ‘artistik’, në emër të të cilit kamuflohet mediokriteti krijues dhe pamundësia e paaftësia e këtij mediokriteti për t’u ballafaquar, ndeshur e krahasuar me vlerat dhe standardet krijuese artistike ndërkombëtare. Logjika e mbylljes, e izolimit, e bunkerizimit në kufijtë nacionalë është logjikë e rrezikshme provinciale dhe totalitariste. Mungesa e kontakteve me vendet e regjionit e më gjerë është frikë, fobi dhe paranojë provinciale, është mungesë e kurajos dhe e guximit për të qenë pjesë e natyrshme e konkurrencës globale.

EXPRESS: A do të pranonit që – hipotetikisht - të ftonit ndonjë shfaqje nga Serbia për një inskenim të saj në Prishtinë?

Berisha: Ne vitin e kaluar e kemi ftuar, dhe kemi paralajmëruar, se në Prishtinë do të jetë mysafire një shfaqje nga Beogradi. Nuk kemi pasur asnjë paragjykim për këtë pune. Andaj, këtë gjë nuk e konsideroj fare hipotetike. Por, kjo shfaqje, në momentin e fundit dhe pa paralajmërim është anuluar, kinse se për shkaqe sigurie.

Lumi: Në Kosovë tashmë, në kuadër të disa festivaleve teatrore ndërkombëtare, kanë qenë disa shfaqje nga Serbia. Madje, në njërin nga këto festivale, i cili asokohe është organizuar në Teatrin Kombëtar të Kosovës, një aktore serbe është nderuar me Çmimin ‘Aktorja më e mirë’. Ardhja dhe paraqitja e produksioneve teatrore nga Serbia në Kosovë nuk ka pse t’i pengojë askujt. Ndërkaq, çështja e inskenimit të ndonjë drame serbe në teatrot tona është çështje individuale e krijuesve dhe e përzgjedhjes apo e përcaktimit repertoresk të këtij apo atij teatri. Në çfarëdo rasti, nëse bëhet fjalë për vlera të verifikuara artistike, një gjë e tillë nuk do të duhej t’i pengonte askujt.

EXPRESS: Cilën e konsideroni ju rrugë të duhur për kultivimin, afirmimin dhe zhvillimin e mëtutjeshëm dhe të mirëfilltë të artit skenik kosovar?

Berisha: Unë mendoj se për artin nuk ka barriera, por ka vetëm dinjitet artistik. Bota është shumë e hapur dhe ka shumë dimensione. E, aty ku ka vende për kulturë, ajo edhe do të prezantohet, dhe kjo ka ndodhur...
Teatri Kombëtar i Kosovës, me shfaqjet e veta, është shfaqur pothuajse në të gjithë Ballkanin, madje edhe në disa vende evropiane. Në momentin që Serbia e njeh shtetin e Kosovës, as aty nuk do të ketë më barriera. Por, gjendja ekzistuese është kjo që është.

Lumi: Zbatimi i standardeve krijuese e artistike ndërkombëtare e jo i pseudostandardeve politike, lokale e provinciale; hapja, e jo mbyllja, as vetëizolimi, as bunkerizimi; kontaktet, pjesëmarrja dhe përfaqësimi në ngjarjet dhe në festivalet teatrore ndërkombëtare e jo ‘matja’ e muskujve apo ‘përfaqësimi’ në të ashtuquajturat festivale provinciale ‘kombëtare’; guximi krijues për t’i refuzuar pseudovlerat, shabllonet dhe skematizmin konvencional; guximi krijues për t’i pranuar idetë, format dhe trendet artistike bashkëkohore dhe, krejt natyrshëm, guximi krijues për ta çliruar teatrin tonë nga diletantizmi, nga folklorizmi dhe nga ‘standardi’ spekulativ i pseudopatriotizmit. Kjo është rruga e vetme e krijimit, kultivimit, emancipimit, zhvillimit, promovimit dhe afirmimit të domosdoshëm të teatrit kosovar.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›