Beqaj, dëmtimi i komprometon kalimin te Hamburgu
Dëmtimi në shpatull i ka kushtuar Arjan Beqajt më shumë sesa thjesht prezencën në dy ndeshjet e radhës me Shqipërinë në eliminatoret e Botërorit 2010. Në fakt, për sfidën me Hungarinë, portieri do të ishte i vëzhguari special i përfaqësuesve të Hamburgut. Sipas burimeve pranë lojtarit, kishin filluar bisedimet që Beqaj të transferohej në Bundesligë në sezonin e ardhshëm, për të qenë portier i dytë i skuadrës së drejtuar nga holandezi Martin Jol. Pas paraqitjeve të jashtëzakonshme me qipriotët e Anorthosis në Ligën e Kampioneve, ai pothuajse i ka bindur drejtuesit e klubit gjerman se është një alternativë shumë e mirë, edhe sepse Frank Rost (35 vjeç) po mendon të tërhiqet në fund të edicionit. Për Beqajn, ajo me Hamburgun do të ishte kontrata e jetës. Tashmë që është në moshën 32-vjeçare, vështirë se mund t‘i paraqitet një tjetër alternativë kaq e mirë për të mbyllur karrierën. Ndërkohë, zyrtarët e FSHF-së konfirmuan se të premten Beqaj ka udhëtuar drejt Belgjikës, për të kontrolluar shpatullën e nxjerrë nga vendi. Ai është vizituar te mjeku Mark Mertens, i cili njihet si një prej specialistëve më të mëdhenj për dëmtimet e futbollistëve dhe më specifikisht të portierëve. Madje, së fundmi ai ka kuruar "gardianin" më të mirë në botë, Xhanluixhi Bufon, gjatë problemeve të shumta fizike që kishte lojtari i përfaqësueses italiane. Ndërkohë, sipas kontrolleve të para me stafin mjekësor të Kombëtares dhe rezultateve të rezonancës magnetike, Beqaj rrezikon të qëndrojë minimalisht 4 muaj jashtë fushave të lojës.